E Diel, 1 Nëntor 2026

Yjet e Chelseas, të pafat

John Obi Mikel i është shtuar së fundmi listës së gjatë të futbollistëve fatkeq të Chelseas që do të mungojnë në Botërorin 2010. Mesfushori i Nigerisë e ka lënduar gjurin në ndeshje miqësore, para udhëtimit në Afrikën e Jugut, kështu që atij i duhet të heqë dorë nga kompeticioni më i rëndësishëm botëror i futbollit.

Një ditë më parë, një ‘fat’ të tillë e pati edhe sulmuesi i Bregut të Fildishtë dhe njëkohësisht i Chelseas, Didier Drogba, që pati një frakturë në dorën e djathtë, në ndeshjen miqësore ndaj Japonisë.

Për sulmuesin e rrezikshëm duket se po ashtu ka përfunduar ëndrra e Botërorit, por mediat e huaja shkruajnë se ai do ta kërkojë mrekullinë për të luajtur eventualisht në këtë eveniment (më 15 qershor kundër Portugalisë në Grupin H). Megjithatë, selektori Sven Goran Eriksson duket mjaft i brengosur, pasi Drogba është lideri i Bregut të Fildishtë.

Para Drogbas, Botërorin e kishin humbur edhe dy mesfushorët e Chelseas, Michael Ballack i Gjermanisë dhe Michael Essien i Ganës.

Kapiteni i Gjermanisë ishte lënduar i pari në nyjën e këmbës, gjatë ndeshjes për Fa Cup, të cilën ekipi i tij e fitoi 1:0 ndaj Portsmouth. Kurse Essien e kishte lënduar gjurin në turneun ‘African Cup of Nations 2010’ me Kombëtaren e tij, Gana.

Asnjëri nga këta dy futbollistë nuk ia ka dalë të shërohet me kohë, kështu që ata do ta përcjellin Botërorin 2010 si shikues. Nga katër futbollistët e lënduar, vetëm Drogba ka një fije shprese që të luajë në këtë Botëror.

Pa dyshim, aktiviteti i Afrikës së Jugut ka humbur disa nga protagonistët e tij, që mund ta bënin më zbavitës këtë kompeticion. Nuk janë vetëm futbollistët e Chelseas që e përjetuan këtë tragjedi.

Së fundmi, për shkak të lëndimeve, Anglia e ka humbur mbrojtësin Rio Ferdinand, kurse paraqitja e mesfushorit Andrea Pirlo për Italinë në Botëror është vënë në dyshim, pas lëndimit që pësoi në miqësoren me Meksikën. Sipas rregullave të FIFA-s, skuadrat kanë mundësi t’i zëvendësojnë futbollistët e dëmtuar deri në 24 orë përpara ceremonisë së hapjes së Botërorit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›