E Shtunë, 31 Tetor 2026

Yjet e futbollit: Ronaldo e meriton "Topin e Artë"

Yjet e futbollit botëror "votojnë" Kristiano Ronaldon për fitimin e "Topit të Artë". I pari ndër të gjithë është Lionel Mesi, i cili cilësohet si rivali më i fortë i mesfushorit portugez. Duke folur për francezen "L‘Equipe", argjentinasi ka pohuar se për shkak të triumfeve gjatë sezonit të kaluar, Ronaldo e meriton trofeun prestigjioz. "‘Topi i Artë‘? Do të votoja për Kristiano Ronaldon. Ai fitoi dy titujt më të rëndësishëm të sezonit: Premiershipin dhe Ligën e Kampioneve. E meriton ta marrë këtë trofe". Edhe nëse nuk shpallet fitues në dhjetor, Lionel Mesi ka shanse të mira për "të përvetësuar" çmimin e revistës "France Football" në të ardhmen. Ai po shkëlqen nën drejtimin e Pep Guardiolas, ndërkohë që Barcelona e këtij edicioni duket e denjë të fitojë në aktivitetet ku luan.

Më tej 21-vjeçari ka folur me elozhe edhe për një tjetër lojtar të madh të futbollit ndërkombëtar, Ronaldinjon. Në fillim të këtij sezoni, Mesi kishte detyrën të mbushte boshllëkun e lënë nga largimi i fantazistit brazilian, i cili u transferua nga katalanët për të vazhduar karrierën me Milanin në Serinë A. Pavarësisht moshës së vogël, kjo përgjegjësi nuk ka ndikuar në paraqitjet e yllit argjentinas. "Ronaldinjo është lojtari më i mirë në botë. Kur luan përkrah më të mirit, gjithçka bëhet edhe më e lehtë, pohoi ai. Por, kur një lojtar i klasit botëror largohet nga klubi, atëherë skuadra duhet të luftojë edhe më shumë që të plotësojë boshllëkun. Për sa u përket paraqitjeve të mia, nuk mendoj se kam ndryshuar stilin e lojës. Tentoj të bëj të njëjtat gjëra si më parë, edhe pse në momente të caktuara mundohem të improvizoj diçka të re".

Kaka - Duke u kthyer te "Topi i Artë", kandidatura e Kristiano Ronaldos është mbështetur edhe nga Kaka, fitues i këtij trofeu gjatë sezonit të kaluar. "Nëse fitues i këtij çmimi do të jetë Kristiano, atëherë ai e ka merituar, nënvijëzoi mesfushori brazilian. Mendoj se e meriton, për gjithçka që ka bërë me Mançester Junajted dhe për fitoret që ka arritur me këtë skuadër. Ai ishte lojtari kryesor në sukseset e të besuarve të Sër Aleks Ferguson. Gjithsesi, për t‘u bërë pasardhësi im duhet të presë deri në muajin dhjetor". Me fjalët e tij, lojtari i Milanit tregon bindjen se nuk ka shanse të jetë fitues në garën për vlerësimin si "Lojtari evropian i vitit". "Sa shanse kam unë këtë vit? Do të vazhdoj të bëj detyrën, votimet nuk janë në dorën time, shtoi më tej Kaka. Mendoj se këtu ka rëndësi edhe fakti se Milani nuk arriti të fitonte ndonjë trofe madhor gjatë edicionit të kaluar". Braziliani ka folur edhe rreth objektivave të kuqezinjve të drejtuar nga Karlo Ançeloti: "Skuadra e këtij sezoni është më e pjekur dhe ka më shumë kualitet se vitin e kaluar. Nuk luajmë gjithmonë mirë, por kemi vazhdimësi në arritjen e rezultateve pozitive dhe kjo është gjëja më e rëndësishme".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›