E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ylli: Alergjikët s’do vaksinohen për gripin

 Nis sot vaksinimi i grupeve të riskut për gripin e derrave. Drejtori i Shëndetit Publik, Alban Ylli, tha dje se efektet anësore të saj janë shumë të lehta dhe kalojnë brenda 24 orëve. Por personat që kanë alergji nga veza nuk do ta aplikojnë këtë vaksinë, pasi ajo në përbërje ka pikërisht këtë produkt. “Janë disa grupe që nuk do ta bëjnë vaksinën, si ata që kanë alergji nga veza. Efekte anësorë të lehta mund të ketë, që zakonisht janë brenda 24 orëve të para; temperaturë e lehtë, skuqje në vendin e injektimit apo gjëra të tilla të ngjashme”, u shpreh Ylli. Ai shtoi se vaksina nuk do të jetë me detyrim. “Vaksina është shumë komode për ne. Ka ardhur në ampula njëdozëshe, e shoqëruar me shiringat përkatëse. është një përdorimshme si vaksinë, por fakti që është njëdozëshe na ndihmon shumë në përdorimin e saj dhe nga pikëpamja e sigurisë, pra nga përhapja e sëmundjeve infektive. Ampulat kanë një sasi për adult, kështu që ne mund t’i shfrytëzojmë ato për dy fëmijë”, sqaroi Drejtori i Institutit të Shëndetit publik, Alban Ylli. Vaksina ndaj virusit, A/H1N1 në vendin tonë ka ardhur nga Hungaria. Janë dhjetë mijë doza, ndërkohë që në javët në vijim pritet kontigjent tjetër. Vaksina është 0.5 miligramëshe dhe organizmi i pacientit që e injekton atë fiton imunitet brenda 8 ditëve. Sipas Yllit, të gjitha qendrat shëndetësore, ku do të aplikohet kjo vaksinë do të jenë të pajisura edhe me antidote të ndryshëm për alergjitë që ajo mund të shkaktojë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›