E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjidhja dhe kompromisi si ndërhyrje

Rexhep Meidani Përse duhet të ndërhyjë qeveria? Ndërhyrjet  qeveritare mund të realizohen në plane të ndryshme. Ato mund të jenë:  për arsye politike, ligjore e institucionale, për arsye sociale, morale dhe etike, për arsye ekonomike, financiare e tregtare (p.sh., për shkak të distorcioneve të çmimeve, siç vihen re zakonisht përpara vitit të ri në Shqipëri, apo dështimeve, falimentit të tregut. Bile, në rastin e fundit, midis këtyre dështimeve apo distorcioneve, duhen shqyrtuar me kujdes çështje të tilla si ekzistenca e monopoleve ose oligopoleve; deformimet apo dështimet në shkëmbimin e informacionit, në dhënien dhe marrjen e tij; padrejtësitë e shfaqura apo paaftësia administrative në furnizimin e të mirave publike, etj. Midis tyre janë dhe eksternalitetet që ndeshen kur një grup (palë) i(e) tretë preket nga një transaksion i dhënë midis dy grupeve (palëve) të tjera. Shembuj të tillë janë, p.sh., ndotja e mjedisit, edukimi, etj. Po ashtu, dhe vetë informacioni dhe shkëmbimi i tij mund të bëhet një problem serioz. Prandaj kërkohet dhe ndërhyrja qeveritare, por ajo duhet të vlerësohet me seriozitet, në rrafshin publik, edhe për raste të tjera. Një matricë për analizën e politikë-bërjes        Politikë-bërja (dhe vendimmarrja), në përgjithësi, apo politika publike, në veçanti, duhet të jenë sistematike, të organizuara, duke përfshirë mundësitë, alternativat e programet konkrete. Karakteristika kryesore të saj janë: efektiviteti social; efecienca, rendimenti e fizibiliteti ekonomik; barazia (paanësia), liria e fizibiliteti politik. Veçse nuk duhet harruar që këto karakteristika nuk kanë peshë të njëjtë në situata të ndryshme. Po ashtu, krahas tyre, vlejnë të konsiderohen dhe çështje të tilla si: pjesëmarrja, fleksibiliteti, transparenca, etj. Në analizën e politikë-bërjes dhe në vendimmarrjet përkatëse një problem në vete është lidhja strategjike fakte-vlera. Pikërisht, kjo strategji politikë-bërje e vendimmarrje, pasqyrohet, në mënyrë skematike, në tabelën këtu pranë. Aty, në variantin më të thjeshtë, lidhja midis fakteve e vlerave, mund të shprehet në trajtën e një matrice (2, 2). Meqë interpretimi i kësaj matrice është shfrytëzuar për interesa të kampeve të ndryshme, po e ilustrojmë edhe njëherë këtë lidhje fakte-vlera në kuadër të përplasjeve qeveri-opozitë ose PS-së dhe PD-së (p.sh., kërkesave të PS-së për hapjen e kutive dhe refuzimit apo sulmit frontal propagandistik e kriminalizues të PD-së). Në përgjithësi, siç duket dhe nga tabela, për një nivel të lartë mirëkuptimi mbi faktet dhe një nivel të lartë mirëkuptimi mbi vlerat mund të bëhet fjalë për zgjidhje teknike. Ky do të ishte rasti kur rezultatet zgjedhore do të pranoheshin nga të dy palët kryesore në zgjedhje, pas mbylljes së ankesave dhe deklarimit përfundimtar të Komisionit Qendror. Pak a shumë ky ishte rasti i zgjedhjeve të vitit 2005, të njohura edhe nga PS-ja në qeverisje, që pranoi dhe realizoi rotacionin normal të pushtetit politik. Por, kjo nuk është më situata e sotme, pavarësisht pozicionimeve fillestare optimiste nga të dy palët, gjatë procesit zgjedhor dhe në ditën e parë pas tij!       Në rastin e një niveli të lartë mirëkuptimi mbi faktet, por të një niveli të ulët mirëkuptimi mbi vlerat, kemi të bëjmë me një zgjidhje politike. Ky është pak a shumë rasti i marrëveshjes politike për krijimin e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar në kulmin e krizës së piramidave, në mars 1997. Ndërsa, për një nivel të ulët mirëkuptimi mbi faktet, por nivel të lartë mirëkuptimi mbi vlerat (një vlerë e tillë bazike demokratike konsiderohet dhe institucioni i votës së lirë e të ndershme) kemi të bëjmë me një zgjidhje juridike. Gati-gati e tillë (edhe për nivelin e ulët të mirëkuptimit mbi faktet) mund të konsiderohet marrëveshja "brenda natës" për amendamentet kushtetuese të 2008-ës, për "hir" të pranimit të sistemit zgjedhor rajonal. Parë me kujdes, zgjidhja politike duket ende si tepër e vështirë, bile relativisht më e përjashtuar sesa ajo juridike, sepse në të tërën për të, ka dy gjysma përjashtuese. Në njërën gjysmë politike pretendohet mirëkuptim i lartë mbi faktet dhe në gjysmën tjetër pretendohet një mirëkuptim i lartë mbi vlerat (të paktën, sipas ekspozimeve dhe fjalëve të bujshme e agresive, në të dy gjysmat e tilla). Sidoqoftë, duke ruajtur një mirëkuptimin mbi vlerat (ligjin, vendimin gjyqësor), por një mirëkuptim të ulët mbi faktet, mund të realizohet një zgjidhje juridike që, nga njëra anë, imponon bashkëpunimin apo rregullimin ligjor dhe nga ana tjetër, mundëson veprimtarinë e përbashkët parlamentare, vetë pezullimin e bojkotit, si kusht për rregullimin ligjor, kontrollin e investigimin zgjedhor të kutive problematike (qoftë dhe me përzgjedhje të rastit). Dhe, kjo është plotësisht e mundshme. Veçse, nëse PD-ja (në fakt, Berisha) vazhdon të parapëlqejë bojkotin për qëllimet e veta pseudo-"reformuese" (më saktë uzurpuese!), bile më shumë duke synuar ta nxisë e "frymëzojë" këtë bojkotin, sesa të mundësojë kontaktin e kompromisin midis palëve. Pikërisht, gjithçka në dëm të opozitës, orientimit kaotik të saj apo  dobësimit të mbështetjes së jashtme për të!  Së fundi, për nivele tepër të ulëta mirëkuptimi mbi faktet dhe nivele të ulëta mirëkuptimi mbi vlerat kemi të bëjmë me situatën kritike, me vetë krizën e kaosin. Ky është rasti i ekspozimit të një oreksi të madh për pushtetin, i fitimit të shpejtë të karriges, nga njëra anë, apo i kokëfortësisë së skajshme të ruajtjes së saj, nga ana tjetër. Këtë e ka vuajtur qytetari shqiptar, në jo pak raste, përfshirë shkrirjen e shtetit, më 1997. Prandaj, varianti i katërt në matricën (2,2), edhe sikur të shfaqet në embrion, duhet shmangur me çdo kusht. Sepse edhe i tillë ai dëmton jo vetëm imazhin politik të vendit, por dhe atë ekonomik të tij, gradualisht deri duke u bërë dhe potencialisht i rrezikshëm...     Pse duhet qeveria?        është po ajo pyetje e shtruar që në fillim të shkrimit. Pse duhet, pra, qeveria? çfarë bën ajo? Si vepron shumica parlamentare për ta modeluar e kontrolluar qeverisjen? Në fakt, qeveria, krahas operacioneve të tjera, që lidhen me rendin, qetësinë, mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve, etj., shihet dhe si një entitet, që u mbledh taksa individëve e firmave, që shpenzon atë që merret nga ky taksim, që rregullon aspekte të ndryshme të aktivitetit ekonomik. Dhe, akoma, më e rëndësishme, për t'i shpërndarë sa më drejt të mirat materiale, por jo për të pasuruar klanin e vet politik, ekonomik e mediatik...Qeveria është përgjegjëse, kur ajo vetë është e përgjegjshme, edhe për mbarëvajtjen e jetës shoqërore- kulturore, për shëndetin dhe kohezionin social, madje në një përpjekje të përditshme për të shmangur e kuruar çdo shenjë dobësimi e depresioni në nivel social. Dhe, jo për ta provokuar atë në mënyrën më të llahtarshme!...  Situata problematike shqiptare, por dhe kriza globale, kanë dëshmuar qartë nevojën për ndërhyrje të ndryshme qeveritare. Kjo vlen si për aktivitetet kryesore ekonomike, ashtu dhe ato me pasoja politike. Nuk mund t'u lihet gjithçka ndërveprimeve private midis individëve (apo tregjeve), sidomos kur motivi i kësaj ndërhyrjeje lidhet sa me efeciencën, po aq dhe drejtësinë e barazinë ("ekitetin"). Bile, në fakt, do të ishte krejt e pëlqyeshme që një qeverisje ta kishte mundësinë e shqyrtimit të opsioneve konkrete të "ekitetit" në popull, për të arritur në një zgjidhje të përshtatshme për të gjithë. Por, kjo gjë është në thelb e pamundur, sepse një ekonomist mund të diskutojë shumë më lehtë për çështje të efeciencës por jo patjetër për çështje të epitetit, krejt ndryshe nga sjellja e një politikani të papërgjegjshëm. Për më tepër, efecienca mund të analizohet e debatohet pa u kushtëzuar nga referenca konkrete apo parime morale e filozofike, bile fare ndryshe nga rasti i ekitetit, ku marrin një vlerë në rritje pikërisht parimet morale e etike. Kjo bëhet më e dukshme, po të kihet parasysh se efecienca lidhet dhe me të mirat publike, me eksternalitetet, falimentet e tregut, dështimet në qeverisje; ndërkohë që ekiteti del më në pah në procesin e rishpërndarjes, përfshirë dhe pensionet apo sigurimet shoqërore. Pikërisht, me këtë koncept drejtësie e barazie, lidhen sot në botë politikat konkrete publike për zhvillimin e kapitalit njerëzor (për kohezionin social), aq të goditur mjaft rëndë në Shqipëri në të gjithë këto vite tranzicionit. Edhe thjesht ky element e detyron zgjidhjen, kompromisin, pra dhe ndërhyrjen!...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›