E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konfikti i interesit të ortakut-administrator

Aulona Hazbiu

Nga praktika e ndjekur nga një pjesë e bizneseve me kapital shqiptar, për sa i takon administrimit të shoqërisë, rezulton se ortaku që zotëron shumicën e kuotave të shoqërisë, mban gjithashtu, edhe funksionin e administratorit të saj (i ashtuquajturi “ortak-administrator”). Në të kaluarën, kjo situatë ka rezultuar në krijimin e një vatre konfliktesh midis ortakut të shumicës dhe ortakut të pakicës (që përfaqëson, të paktën 5 % të totalit të votave në asamblenë e përgjithshme të shoqërisë ose një pjesë më të vogël, nëse është parashikuar në statutin e shoqërisë). Në mënyrë të arsyeshme, ortaku i pakicës është i interesuar për të parandaluar transaksionet (kontratat ose marrëdhëniet e tjera) të mund të ndërmerren nga ortaku-administrator, me qëllim përfitimin financiar personal, duke anashkaluar kështu interesat e shoqërisë.

Çdo administrator duhet të kryejë detyrat e përcaktuara në ligj ose në statut në mirëbesim (bona fide) dhe në interesin më të mirë të shoqërisë në tërësi. Detyrimi i besnikërisë nënkupton që administratori duhet të mënjanojë çdo situatë ose transaksion me interes financiar personal, të drejtpërdrejt ose jo të drejtpërdrejtë, që bie ndesh me interesat e shoqërisë. Nëse administratori, vepron në kundërshtim me detyrat e tij, atëherë ai duhet t’i dëmshpërblejë shoqërisë dëmet që rezultojnë nga shkelja e detyrave dhe t’i kalojë çdo përfitim financiar personal që ai ose persona të lidhur me të, kanë realizuar nga veprimet e parregullta. Veçanërisht, ortakët e shoqërisë duhet të autorizojnë, paraprakisht, të gjitha transaksionet që kryhen nga ortaku-administrator, jo vetëm ato ku ky i fundit përfaqëson të dyja palët kontraktore (self-dealing), por edhe transaksionet midis shoqërisë dhe një pale të tretë (që ka marrëdhënie personale ose financiare me administratorin, i cili përfaqëson shoqërinë në këtë transaksion). Në këto raste, ortaku-administrator duhet të deklarojë natyrën dhe objektin e interesit të tij në këtë transaksion. Më tej, ligji përcakton që ortaku-administrator nuk mund të marrë pjesë në votimin për miratimin e transaksionit që është përfshirë dhe nuk llogaritet në “kuorum” (numrin e përgjithshëm të votave të pjesëmarrësve në votim) në mbledhjen e asamblesë së ortakëve. Përjashtimi i ortakut-administrator nga e drejta e votës synon të forcojë pozitat e ortakut të pakicës, i cili mund të ndalojë një transaksion, nëse vlerëson se bie në kundërshtim me interesat e shoqërisë.

Parimi i kryerjes së detyrave në interesin më të mirë të shoqërisë në tërësi vlen edhe për ortakët e shoqërisë. Në zbatim të këtij parimi, në rrethana të caktuara si për shembull, nëse vlerësohet aktiviteti i ortakut, ose vendoset për shuarjen e detyrimit ndaj ortakut ose ngritjen e padisë kundër ortakut ose dhënien apo, jo të përfitimeve të reja një ortaku, atëherë ortaku, objekti i këtyre vendimeve, sipas dispozitave të ligjit, përjashtohet nga votimi në asamblenë e përgjithshme.

Në lidhje me sa më sipër, lind pyetja: A mundet ortaku administrator të ushtrojë të drejtën e tij të votës në asamblenë e përgjithshme, e cila diskuton dhe vendos mbi shkarkimin e tij si administrator për shkaqe të arsyeshme?
Nisur nga terminologjia e përdorur në ligj, përjashtimi nga e drejta e votës të ortakut, kur asambleja e ortakëve vendos mbi aktivitetin e tij, vlen vetëm në rastin kur shqyrtohet aktiviteti i tij “si ortak i shoqërisë”. Në veçanti, kjo do të thotë që ortaku i cili mban pozicion drejtues ose është i punësuar në një shoqëri tjetër që ushtron veprimtari në të njëjtin sektor ekonomik të shoqërisë (veprimtari konkurruese), nuk mund të votojë në mbledhjen e asamblesë së ortakëve që ka për objekt shqyrtimi pikërisht veprimtaritë me karakter konkurrues. Rrjedhimisht, ortaku-administrator mund të ushtrojë të drejtën e votës në mbledhjen e asamblesë së përgjithshme të ortakëve, e cila merr në shqyrtim shkarkimin e tij, nga funksioni i administratorit të shoqërisë. Duke qenë se ortaku nuk përjashtohet nga e drejta e votës dhe mund të votojë kundër shkarkimit të tij nga funksioni i administratorit, ortakët e pakicës nuk mund të shkarkojnë ortakun-administrator me vendim të asamblesë së përgjithshme. Një tjetër aspekt i rëndësishëm është edhe fakti që sipas ligjit, ortaku i pakicës nuk mund t’i drejtohet gjykatës me qëllim shkarkimin e administratorit për shkaqe të arsyeshme, pasi ky shkarkim është hedhur poshtë nga shumica e ortakëve në asamblenë e përgjithshme. Në ndryshim me Ligjin, neni 55 i ligjit i mëparshëm “Për Shoqëritë Tregtare” (Nr. 7638, datë 19.11.1992) parashikonte shkarkimin e administratorit për shkaqe të arsyeshme me vendim gjykate. Rrjedhimisht, ortaku i pakicës që dëshiron t’i kundërvihet ortakut-administrator “të padëshiruar”, mund t’i drejtohet gjykatës kompetente vetëm me objekt (i) kërkesën për shfuqizimin e një vendimi të administratorit që është në kundërshtim me ligjin ose statutin (ii) kërkesën për shpërblim të dëmit të pësuar nga shoqëria si pasojë e shkeljes së detyrimit të besnikërisë nga ana e administratorit ose (iii) thirrjen e një mbledhje ose për të përfshirë në rendin e ditës të mbledhjes çështjen e shkarkimit të administratorit.

Autorja është e punësuar në studion ligjore “Boga & Associates”
Shkrimi është marrë në adresën e internetit: internationallawoffice.com dhe publikohet me lejen e autores

4 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›