E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moxart, magjia muzikore e një gjeniu

Dr. Sul Gragjevi

Volfgang Amadeus Moxart (1756-1791) konsiderohet si gjeniu i artit muzikor botëror. Në 35 vitet e jetës së tij Moxarti kompozoi më shumë se 600 punime muzikore, të cilat arritën një nivel madhështor të ekspresionit muzikor në të gjitha llojet; prej operas deri te koncertet për piano, violinë dhe frymorët e drurit, dhe prej masterpjesëve korale e deri te 41 simfonitë e tij të famshme. Volfgang Amadeus Moxart u rrit si gjeni i muzikës në sajë të talentit të tij "infant prodigy", për t’u bërë një instrumentist virtuoz dhe një kompozitor i madh. Edhe pse kanë kaluar më shumë se 200 vjet pas vdekjes së tij, ende sot kompozimet gjeniale të Moxartit vazhdojnë të interpretohen e të dëgjohen me admirimin më të madh. Vetëm 15 vjet pas vdekjes së Moxartit, një muzikant i oborrit atë kohë, shkruante: "Ai ishte një meteor në horizontin muzikor për daljen e të cilit ne ishim ende papërgatitur". E gjithë muzika e kompozuar e Moxartit, e kompozitorit më produktiv të të gjitha kohërave, tregon nivelin e tij në inteligjencë, mjeshtëri, teknikë; një integritet muzikor që nuk vërehet te ndonjë tjetër para dhe pas tij. Koncertet e Moxartit janë interpretuar me mjeshtëri edhe nga Arthur Grumiaux, Yehudi Menuhin, Anne-Sophie Mutter, Jasha Heifetz etj. Interpretimet e Arthur Grumiaux dhe Anne-Sophie Mutter në violinë, në koncertet me pjesët e Moxartit janë ndër më të mirat. Violinë-koncertin No. 3 Grumiaux e luajti me Orkestrën Simfonike të Londrës nën drejtimin e Sir Colin Davis, ndërsa violinë-koncertin No. 5 e luajti me Orkestrën Simfonike të Filarmonisë Vjenë, në një interpretim "suprem". Kritikë të ndryshëm shtojnë që zëri i violinës së Grumiaux është si ai që e admironte vetë Moxarti i madh, delikat, elegant dhe brilant. Unë i kam dëgjuar violinë koncertet e Moxartit me të gjithë virtuozët e shekullit 20 dhe 21, por interpretime të tilla janë të rralla. Disa e kanë quajtur edhe "poeti" i violinës, ndërsa Anne-Sophie Mutter, Divina e violinës, hapi një epokë të re të madhështisë, mjeshtërisë dhe të ekspresivitetit në luajtjen e violinës. Moxarti, përveç se ishte një pianist i shquar, ishte edhe një violinist shumë i mirë në rininë e tij. I mësuar nga i ati, Leopold, që ishte një interpretues ekspert/mësues, i cili shkroi një libër me vlerë për luajtjen në violinë, Moxarti zhvilloi stilin e tij violinistik elegant.
Leopoldi në fakt donte ta largonte të birin nga përqendrimi në piano si instrumentin e tij primar duke i thënë: "Në qoftë se ju doni ta vlerësoni veten, mund të bëheni violinisti i parë në Europë". Mjeshtëria në violinë e ndihmoi 19-vjeçarin Moxart për një pozicion më të mirë në Orkestrën e Oborrit Salsburg, një vend si koncertmaestër, në krye të orkestrës. Kjo gjë bëri që Moxarti të shfrytëzojë mirë të qenit mbi orkestrën, për të kompozuar jo më pak se 5 violinë-koncerte para përfundimit të vitit 1775, dy të parat në pranverën e këtij viti, ndërsa tre të tjerat në vjeshtë dhe dimër. Shumë kritikë të muzikës i kanë konsideruar të pesë violinë-koncertet e Moxartit si punime më sinjifikative sesa një avancim profesional, njëkohësisht edhe si hap i parë drejt pjekurisë reale krijuese. Duhet thënë që violinë-koncertet Nr. 3, 4 dhe 5 janë pjesët instrumentale më të mira të Moxartit që zënë një vend të sigurt në repertorin orkestral. Janë punime shumë tërheqëse, me një imagjinatë melodike moxartiane që të ngjallin kënaqësi të vërtetë. Moxarti arriti kulmin e tij në koncertet e pianos. Ato janë një arritje e lartë instrumentale, por edhe në fushën orkestrale. Koncertet e Moxartit dallohen për patos, pasion dhe dramë. Koncertet
e pianos e vulosën kompozitorin e ri si një pasardhës i denjë i Bethovenit.
Piano-koncerti K 467 ka qenë afirmimi triumfues i Moxartit dhe këtë e dallojmë në simbolin e marshit të paharrueshëm të temës me të cilën fillon ai koncert. Piano-koncerti në Do minor është koncerti që luhet shumë shpesh. E kanë interpretuar pianistë virtuozë, të njohur, si Vladimir Ashkenazy, Andre Previn, Alfred Brendel, Daniel Barenboim, Gina Bachauer (studente e Rachmaninovit), Maurizio Pollini etj. Edhe ky piano-koncert është melodik dhe i pasur me elemente të virtuozitetit. Moxarti e kompozoi këtë koncert kur ishte i zënë me operan
“Martesa e Figaros”, por e përfundoi më 1786-n. Performanca e këtij piano-koncerti u bë në Burgtheater të Vjenës. Në këtë performancë luajti vetë Moxarti. Kur e dëgjoi Bethoveni piano-koncertin e Moxartit në Do minor, tha: "Ah, ne kurrë nuk do të mund të bëjmë diçka të tillë!" (Alfred Einstein). Goethe ka thënë: "Një fenomen si Moxarti është një gjë e pashpjegueshme".

4 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›