E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani shpëton nga “armiku” Kamoleze

Erion Bogdani, edhe pse nuk luan për Livornon, të paktën mund të ndihet "fitues". Jo në fushë. Por, në bankinë. Aty ku e "saldoi" trajneri Xhankarlo Kamoleze.
Nga dita e sotme, sulmuesi kryesor i Kombëtares shqiptare ka një armik më pak. Pikërisht Kamolezen, i shndërruar në një ish-trajner, pasi presidenti i Livornos, Aldo Spineli e shkarkoi teknikun pas humbjes së rëndë 4-1 në shtëpi me Milanin, duke rikthyer në bankinë Fernando Orsin, njeriun që këmbënguli në blerjen e Bogdanit verën e kaluar, duke ia rrëmbyer shqiptarin Romës, atje ku mund të luajë sezonin e ardhshëm Lorik Cana.
Livorno, 270 minuta përpara përfundimit të Serisë A është e fundit në klasifikim dhe mundësitë e shpëtimit janë thuajse zero. Skuadra e Bogdanit do të luajë kundër Atalantës në transfertë, Torinos në shtëpi dhe kundër Empoli jashtë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›