Ylli i Hollivudit vjen në Shqipërinë për të promovuar vlerat kulturore dhe turistike të vendit

Eliza Dushku: “Do promovoj vlerat artistike, kulturore dhe turistike të vendit tim”
Është rikthyer sërish në Shqipëri, për një vizitë dhjetë ditore, aktorja hollivudiane, me origjinë shqiptare Eliza Dushku. Ajo është pritur dje në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” nga nën kryetarja e bashkisë, znj. Jorida Tabaku, si dhe nga personalitete të njohura në botën e spektaklit në Shqipëri. Nën kryetarja e bashkisë znj. Tabaku i ka shprehur mirëseardhjen aktores me famë botërore, ndërkohë që e ka cilësuar vizitën e saj, si një promovim të vlerave kulturore dhe turistike që mbart Shqipëria. Vetë aktorja Eliza Dushku, është shprehur se është e lumtur që po viziton Shqipërinë për herë të tretë. Ajo thotë se ketë herë bukuritë e këtij vendi do t’i marrë me vete, nëpërmjet një dokumentari që pritet të realizojë në Shqipëri, së bashku me yje të tjerë shqiptarë të njohur në botë.
“Këtë herë kam sjellë një grup xhirimi amerikan, për të udhëtuar rreth vendit dhe për të dokumentuar bukuritë dhe vlerat e Shqipërisë, në mënyrë që t’i tregojmë botës më shumë mbi Shqipërinë. Njerëzit ende nuk dinë mjaftueshëm për këtë vend dhe në disa raste duhet t’ia tregosh se sa e bukur është Shqipëria nga bregdeti, nga malet dhe qytetet e saj
Dua t’i tregoj botës se çfarë ka dhe çfarë ofron Shqipëria. Shpresoj që të kemi një bashkëpunim me kanalet e njohura ndërkombëtare, për të promovuar këtë dokumentar. Dua të vizitoj dhe Korçën, vendin ku kanë lindur të parët e mi”- u shpreh aktorja e hollivudiane, Eliza Dushku. Ajo shton edhe më tej kur thotë se s’ka ndërmend të largohet nga Shqipëria pa marrë pasaportën shqiptare, pasi siç shprehet ajo, “është krenare që është shqiptare”. “Ah – kam aplikuar edhe për shtetësinë shqiptare, dhe shpresoj që pasaporta ime të jetë gati para se të lë këtë vend”- thotë duke buzëqeshur Eliza.
Nënkryetarja e bashkisë Jorida Tabaku tha gjithashtu se “aktorja Eliza Dushku do të takohet nesër (sot) me kryebashkiakun e Tiranës, z. Lulzim Basha”. Po ashtu, Eliza do të vizitojë edhe disa nga qendrat tregtare të Tiranës e më pas do të ketë një udhëtim turistik në Durrës, Berat, Korçë, Krujë e Vlorë për të bërë një promovim sa më të mirë të Shqipërisë. Në këtë tur ajo do të shoqërohet nga një grup amerikan si dhe nga fotografi i njohur Fadil Berisha. Në pritjen e organizuar në Aeroportin “Nënë Tereza” ka qenë i pranishëm dhe aktori shqiptar që luan në Hollivud, Blerim Destani, cili do të jetë pjesë e këtij dokumentari së bashku me Inva Mulën, e plot emra të tjerë të botës së spektaklit
Kush është aktorja hollivudiane, Eliza Dushku
Eliza Dushku prej vitesh njihet si një prej protagonisteve më aktive në botën kinematografike amerikane. Aktorja me origjinë shqiptare ka qenë pjesë e disa skenarëve të suksesshëm me aktorët e mëdhenj si Arnold Schëarzenegger apo edhe Robert De Niro në disa prej produksioneve të Hollivudit si: Locked In (2010), Noah’s Arc: The New Beginning (2009), Sex and Breakfast (2008), The Alphabet Killer (2007), The Last Supper (2006) apo Wrong Turn (2003), prodhim i vitit 2003. Aktorja Eliza Dushku, aktualisht është e fokusuar në projekte televizive dhe seriale të suksesshme, në të cilat aktorja shqiptare është në rolin e protagonistes kryesore.