Djegia e Teatrit “Skampa”/Lajthit “Neron” Sejdini, kërkon zjarrfikës bashkiakë

Administratori i Teatrit “Skampa” në Elbasan, kryetari i bashkisë së qytetit, z.Qazim Sejdini, duke dashur të justifikojë dremitjen e administratës së tij në drejtim të marrjes së masave kundër zjarrit, lëshoi së fundit një mufkë sa qesharake aq edhe të trashë. Për opinionin elbasanas, z.Sejdini hodhi “idenë” se bashkia po shihte mundësinë e krijimit të një reparti zjarrfikës pranë bashkisë. Kjo ishte edhe tallja më e madhe që mund të bëjë një kryebashkiak me qytetarët e tij.
Funksionet organike të bashkive dhe komunave janë të përcaktuara me ligj. Z.Sejdini e di shumë mirë që një gjë të tillë nuk mund ta bëjë për shumë arsye. Është vepër penale nëse një institucion shtetëror ushtron kompetencat e një institucioni tjetër. Nëse kjo do ishte në dorë të bashkive, atëherë këto të fundit mund të krijonin reparte ushtrie, polici rendi, prokurori, gjykata, etj. Atëherë kur e di, pse bën deklarata të tilla z.Sejdini? Vetëm për një arsye: për të gjetur fajtorë të tjerë e për të dalë si shpëtimtar i situatës, pavarësisht se duket si kofini pas të vjelit. Me deklaratën e bërë, z.Sejdini ka luajtur edhe me inteligjencien e qytetarëve elbasanas.
Në dorë të pushtetit vendor (këtë rast bashkisë) ligji ka parashikuar vetëm një gjë: parandalimin e rasteve të rënies së zjarrit. Këtu është edhe përgjegjësia e Bashkisë së Elbasanit. Objekti i teatrit, a rrethohej nga objekte të ndërtuara pa leje? A ishte përgjegjësi e inspektoratit ndërtimor të bashkisë apo jo sigurimi i distancave të objektit Teatri “Skampa”? A ka pasur bashkia raporte inspektimi nga zjarrfikësit e Elbasanit për Teatrin “Skampa” apo jo? Cilat kanë qenë masat e marra. A ka rehabilituar bashkia rrugën për nga kalon reparti zjarrfikës apo jo?
Mjaftonin këto për të dhënë përgjigje që i takojnë një kryetari bashkie, mandati i të cilit do kujtohet për zhdukjen e skenës së Teatrit “Skampa”.