E Diel, 1 Nëntor 2026

Petro Marko, një bust nga Agim Rada

Agim Rada është skulptori i përzgjedhur për realizimin e bustit të shkrimtarit Petro Marko, pas konkursit kombëtar të shpallur në gusht të 2008-ës. Komisioni i ngritur me urdhrin e Ministrisë së Kulturës dhe i përbërë nga Eleni Gjovreku-kryetar, Rubens Shima, Gazmend Leka, Buron Kaceli dhe Maksim Bushi vlerësoi si më të përshtatshëm bocetin e paraqitur nga artisti Rada, për bustin i cili do të vendoset në vendlindjen e Markos, në Dhërmi. Petro Marko ka një biografi nga më të pasurat dhe më të bujshmet në letërsinë shqiptare. Deri në vitin 1936, ai punoi në Tiranë si gazetar dhe po atë vit, në moshën 23-vjeçare u nis vullnetar në Luftën e Spanjës, si luftëtar në brigadat internacionale. Pas Luftës së Spanjës, gjatë kthimit për në Shqipëri, ai do të ndeshet dhe do të marrë pjesë në shumë beteja antifashiste nëpër Evropë. Pas kthimit në Shqipëri në vitin 1940 do të burgoset nga italianët, që aso kohe e kishin pushtuar Shqipërinë dhe do të përfundojë në kampin e ishullit Ustika afër Palermos. Në përfundim të Luftës Antifashiste në vitin ‘44, Petro Marko do të marrë pjesë në radhët e partizanëve italianë, duke i rënë kryq e tërthor Italisë, si luftëtar dhe si komandant me përvojë luftarake. Kur kthehet në Shqipërinë e çliruar, ftohet që të qëndrojë në krye të gazetës "Bashkimi" në Tiranë, por shpejt do të përjetojë disa nga vitet më të rënda nëpër burgjet e shtetit shqiptar komunist. Në kulturën dhe letërsinë kombëtare, Petro Marko është personalitet i përmasave të mëdha. Të tillë e ndjen lexuesi Petron në romanet "Hasta la vista" dhe "Qyteti i fundit", ku rruga e tij jetësore e asimiluar artistikisht, është aq e pranishme. Në vitet ‘70 ai do të shkruajë romanin "Një emër në katër rrugë", ndërsa periudhën e vështirë të jetës së tij në ishullin e Ustikës do ta përjetësojë në romanin e tij të rëndësishëm "Nata e Ustikës". Paraqitja e shkrimtarit Petro Marko me dy romanet e tij të parë "Hasta la vista" dhe "Qyteti i fundit" në vitet ‘60 është një kthesë e vërtetë në historikun e shkurtër të romanit shqiptar. Faqet më të fuqishme të prozës së Petro Markos reflektojnë triumfin e dashurisë dhe të humanizmit njerëzor. Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në vitin 2003 dekoroi Petro Markon me Urdhrin "Nderi i Kombit".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›