Ymeri: Tash i mbetet Qeverisë ta zbatojë mocionin

Nga deputetët e pranishëm në seancën plenare, pro këtij mocioni votuan 42 deputetë, kundër 33 dhe abstenuan vetëm 2. Mocioni në fjalë që mori mbështetjen e shumicës së deputetëve përbëhet nga tri pika kryesore.
E para obligon Qeverinë që t’i marrë masat e reciprocitetit të plotë politik, ekonomik e tregtar ndaj Serbisë, e dyta thotë se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë duhet ta nxisë dhe udhëheq bashkëpunimin me prodhuesit vendor dhe ndërmarrjet tregtare për gjetjen zëvendësimeve për produktet e importuara nga Serbia, kurse e treta thekson se Qeveria duhet t’i forcojë të gjithë mekanizmat shtetëror për ta siguruar zbatimin e përpiktë të masave të reciprocitetit ndaj Serbisë.
Pas votimit në seancë, shefi i Grupit Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri tha se mocioni obligon Qeverinë e Kosovës që të ndërmarrë hapa konkret dhe t’i përgjigjet Serbisë me reciprocitet të plotë në të gjitha fushat.
“Me mocion kemi kërkuar nga Qeveria që t’i zbatoj masat e reciprocitetit të plotë në tri rrafshe shumë të rëndësishme ndaj Serbisë. Në rrafshin politik siç na konsideron Serbia neve politikisht ta konsiderojmë edhe ne atë, në rrafshin ekonomik të njëjtat gjëra që na i bënë Serbia edhe ne ekonomikisht t’ia bëjmë asaj dhe në raport me marrëdhëniet tregtare ku t’i zbatojmë të njëjtat gjëra që na i bënë Serbia neve. Pra, të mos pranojmë mallrat e Serbisë meqenëse ajo nuk po i pranon mallrat e Kosovës që të shkojnë në Serbi”, ka thënë ai.
Sipas deputetit Ymeri, edhe caktimi i pikave të mocionit nuk është bërë rastësisht, por sipas rëndësisë së tyre. Ai vlerësoi se aspekti politik është primar, mandej vijnë fushat tjera.
Kurse ministrja Mimoza Kusari-Lila gjatë seancës ka thënë se vendimi për reciprocitetin i marrë gjatë muajit korrik të këtij viti, është një nga vendimet më të rëndësishme të marra që nga shpallja e pavarësisë.
Sipas saj, masat e ndërmarra atëherë kanë dhënë rezultatet e tyre dhe se tani nuk është i nevojshëm vazhdimi i kësaj mase, sepse do të ishte negativ për Kosovën në aspektin e marrëdhënieve rajonale.
I pyetur se kur duhet të fillohet implementimin e mocionit, deputeti Visar Ymeri tha se kryesore është se ai mori mbështetjen e Kuvendit dhe tani i mbetet ekzekutivit që ta zbatoj në praktikë.
“Kjo tash varet prej Qeverisë. Qeveria nga ky mocion do të duhet të ishte e obliguar që t’i zbatoj këto masa, por ne do të mbesim vigjilent në Kuvend që të zbatoj këtë mocion, sepse është i votuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ai.
Mocioni ka marrë votat e deputetëve të Vetëvendosjes, mandej atyre të LDK-së dhe AAK-së, por Ymeri mendon që ky mocion mund të jetë përkrahur individualisht edhe nga deputetë tjerë, të pozitës.
Që nga viti 2008 Serbia ka bllokuar produktet kosovare, për shkak të ndërrimit të vulave nga të UNMIK-ut në ato të Republikës së Kosovës. Kjo ka bërë që prodhuesit e Kosovës të mos mund të eksportojnë produktet e tyre në Serbi, madje as të kalojnë transit nëpër këtë shtet. /kp/