E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritje taksash për makinat e vjetra

07/12/2011  Alarmi për nivelin e lartë të ndotjes, strukturat e mjedisit detajojnë planin urgjent të ndërhyrjes

Mediu: Krahas rritjes së taksave po punohet edhe për eliminimin e naftës D2

Pranvera Kola

Pas alarmit të lëshuar për nivelin e frikshëm të ndotjes që ka mbërthyer vendin tonë, strukturat e mjedisit vihen në lëvizje për planin e masave që do të zbatohen në reduktimin e këtij fenomeni, që po rrezikon jetën e shqiptarëve. Vlerësimet e bëra nga ekspertë tregojnë se ndër masat e para të ndërhyrjes do të jenë jo vetëm eliminimi i përdorimit të naftës D2, por edhe vendosja e taksës për automjetet e vjetrat që qarkullojnë në vend. Prej kohësh këta dy faktorë janë shndërruar në një burim të rrezikshëm për qytetarët, pasi kanë ndikuar ndjeshëm në shtimin e nivelit të ndotjes, duke përforcuar edhe komplikacionet shëndetësore, veçanërisht te grupet me imunitet të dobët.

Ndërhyrja

Zbatimi i këtyre masave është konfirmuar gjatë ditës së djeshme nga ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave Fatmir Mediu. "Masat konkrete kanë qenë në dy pikëpamje: eliminimi i përdorimit të naftës D2, që sjell ndotje të mëdha, dhe e dyta në taksat që janë vendosur në mjetet e vjetra", - ka deklaruar ministri kundrejt këtij fenomeni shqetësues. Më tej ministri ka sqaruar: "Ne do të përpiqemi të shohim implementimin e drejtë të tyre dhe bashkëpunimi i inspektorateve që merren me këtë fushë është më se i domosdoshëm, në mënyrë që të kemi një zbatim rigoroz të të gjitha akteve në fuqi.” Kjo në mënyrë që edhe niveli i ndotjes të frenohet, pasi gjendja ka arritur në limite problematike.

Situata

Vetëm pak ditë më parë një aktivitet i zhvilluar me drejtues të dikastereve të mjedisit, shëndetësisë, pushtetit lokal e institucioneve të tjera, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka prezantuar të dhënat alarmuese të studimit të kryer mbi nivelin e ndotjes në vendin tonë, të cilat, pavarësisht pretendimeve të ngritura për një përmirësim të tyre gjatë viteve të fundit, situata vetëm është përkeqësuar edhe më shumë. Ekspertët e OBSH-së kanë argumentuar se treguesit e ndotjes nuk kanë asnjë përmirësim gjatë dekadës së fundit, përkundrazi, çdo vit shifrat përkeqësohen më tej. “Tirana bën pjesë në qytetet më të ndotura në Europë. Ka 500 vdekje në vit për shkak të ndotjes. Situata është emergjente dhe duhen marrë masa konkrete”, - ka theksuar pak ditë më parë eksperti i OBSH-së gjatë prezantimit të studimit. Matjet e bëra kanë treguar se sërish pikat më të ndotura në kryeqytet janë qendra, “21 Dhjetori”, Rruga e Elbasanit dhe Zogu i Zi. Krahas automjeteve dhe lëndës djegëse të përdorur prej tyre nivelin e larë të ndotjes pohohet se e shkaktojnë edhe pluhuri i rrugës, pasi janë zona të tëra në ndërtim. Kundrejt kësaj situate shqetësuese dikasteret janë angazhuar që të bashkërendojnë punën e tyre edhe me pushtetin lokal për zbatimin e planit të ndërhyrjes, pasi, nëse vijohet me këtë gjendje, ndota e ajrit do t’i kushtojë shumë shtrenjtë popullatës shqiptare. Pjesë e planit të masave do të jenë ndërhyrja më e rregullt në mbledhjen e mbeturinave, pastrimin e rrugëve, shtimin e gjelbërimit apo disiplinimin e trafikut, që do t’u mbivihen edhe planet specifike të Mjedisit, Shëndetësisë, Transporteve, Bashkisë e institucioneve të tjera.

Pasojat fatale në shëndet

Strukturat shëndetësore kanë lëshuar alarmin se komplikacionet e shkaktuara si pasojë e nivelit të larë të ndotjes kanë pësuar rritje të frikshme. Vetëm nga grimcat e rrezikshme

dhe pluhuri në ajër çdo vit u merr jetën 500 pacientëve si pasojë e komplikacioneve të rënda në mushkëri. Por situata shqetësuese nuk mbetet me kaq, pasi mijëra të tjerë rrezikohen nga sëmundjet kancerogjene dhe ato kardiovaskulare, që rëndohen edhe më shumë nga ky faktor ambiental. Më tej studiuesit besojnë se jeta e banorëve të kryeqytetit si dhe disa rretheve të tjera në vend shkurtohet dy vjet vetëm prej ndotjes, ndërkohë që çdo vit shtohen mbi 1400 pacientë.

Alarmi për ndotjen

Studimi i bërë publik pak ditë më parë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë ka treguar se kryqëzimi i “21 Dhjetorit” mbetet pika më e ndotur jo vetëm në kryeqytet, por në të gjithë vendin. Problematike mbeten edhe qendra e kryeqytetit, Rruga e Elbasanit dhe Zogu i Zi. Në këtë zonë normat europiane kalohen deri me 10 herë. Konkretisht, të dhënat e raportuara nga OBSH-ja vënë në dukje se në ajrin e Tiranës gjenden grimca të rrezikshme dhe gazra helmuese, si dyoksid azoti, më shumë se 4 herë mbi kufirin shkencor, duke na klasifikuar si kryeqytetin më të ndotur në Europë, gjë që na vë përballë shumë sëmundjeve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›