Lunacek optimiste për liberalizimin e vizave

Në takimin e kryeministrit me Raportuesen e Parlamentit Evropian për Kosovën, Ulrike Lunacek është diskutuar për proceset e rëndësishme, nëpër të cilat është duke kaluar Kosova, si në kontekstin e brendshëm, ashtu edhe ne rrafshin e integrimit evropian.
"Kryeministri Thaçi ka falënderuar znj.Lunacek për kontributin e saj dhe të anëtarëve të Parlamentit Evropian lidhur me mbrojtjen e interesave të Kosovës në Bruksel dhe e siguroi atë se Kosova ka bërë dhe është e përkushtuar të bëjë përparim të dukshëm në rrugën e integrimit. Në këtë kuadër, kryeministri Thaçi theksoi se bazuar në përkushtimin institucional të Kosovës për përmbushjen e plotë të kritereve dhe standardeve evropiane të integrimit, liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, përkatësisht nisja e procesit të dialogut të liberalizimit të vizave me të drejtë pritet që të fillojë në ditët e ardhshme. Në këtë kuadër, kryeministri Thaçi ka mirëpritur qëndrimin e paraqitur nga Këshilli i Ministrave i BE-së që mbështet fillimin e dialogut të liberalizimit të vizave për Kosovën", thuhet ne njoftim te Zyres se Kryeministrit.
Kryeministri Hashim Thaçi në takim me Raportuesen e Parlamentit Evropian për Kosovë, Ulrike Lunacek ka ripërsëritur rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe ka konfirmuar që Republika e Kosovës ka qenë dhe do të mbetet faktor konstruktiv, duke respektuar vlerën e dialogut dhe të bashkëpunimit.
Ndërsa, Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Ulrike Lunacek ka përgëzuar Kryeministrin Thaçi për punën e bërë në drejtim të liberalizimit të vizave dhe ka shprehur optimizmin se qytetarët e Kosovës në një periudhë të afërt do të gëzojnë lirinë e lëvizjes në vendet e Bashkimit Evropian.
"Raportuesja Lunacek në takim me kryeministrin Thaçi ka vlerësuar lartë përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës në përmbushjen e agjendës evropiane, si dhe rolin konstruktiv të Republikës së Kosoves në dialogun teknik mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, duke konfirmuar mbështetjen e fuqishme nga ana e anëtarëve të Parlamentit Evropian për Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit", thuhet me tej ne njoftim.