E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvendosje: Të ndërpriten punimet ilegale të Serbisë

Nga Express më 26 gusht 2011 në ora 18:20

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosjes në një konferencë për media në Gjilan shprehu shqetësimin për investimet dhe ndërtimet ilegale të Serbisë në oborrin e Kishës Ortodokse në Dragancë dhe kërkoi nga organet kompetente që menjëherë të ndërhyjnë dhe t’i ndërpresin këto punime ilegale.

Kryetari i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Artanë, Lirim Gashi, ka thënë të premten se në fshatin Dragancë, rreth Kishës Ortodokse, Serbia këto ditë po ndërton objekte ndihmëse dhe murin e oborrit të kishës pa leje ndërtimi, pa leje për investime, madje edhe pa i njoftuar organet komunale e as ato qendrore për investim dhe ndërtim.

“Vetëvendosje kërkon nga organet kompetente komunale dhe qendrore, që menjëherë të ndërhyjnë dhe t’i ndërpresin këto punime ilegale që po bëhen rreth Kishës së Dragancës. Nëse Serbisë i lejohen investime pa kontroll dhe ndërtime pa leje, ajo mund të fillojë ta ndërtojë edhe ndonjë bazë ushtarake brenda territorit të Kosovës”, ka thënë Gashi.

Lidhur me keqpërdorimet e fondeve publike si dhe korrupsionin në komunën e Gjilanit, foli kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje në këtë Qendër, Ismajl Kurteshi.

Ai foli për tenderin për rregullimin e stadiumit të qytetit, i cili është në kundërshtim me qëndrimin për reciprocitet dhe bojkot të mallrave e shërbimeve të Serbisë.

Javëve të fundit Komuna e Gjilanit i ka investuar rreth 200.000 euro në rregullimin e “Stadiumit të Qytetit”. Bazuar në informatat jozyrtare punët i ka krye një kompani nga Serbia. Nga Serbia është sjellë edhe bari i stadiumit në kohën kur i tërë vendi po angazhohet për reciprocitet dhe bojkotim të prodhimeve dhe shërbimeve nga Serbia, thuhet në komunikatën për media të Lëvizjes Vetëvendosje.

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, e ka drejtuar një kërkesë zyrtare në zyrën e prokurimit në lidhje me këtë rast, dhe shpreson se shpejtë do ta ketë një përgjigje me shkrim, por edhe respektim të vendimit të institucionet më të larta të Kosovës në lidhje me reciprocitetin dhe bojkotimin e mallrave nga Serbia.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›