Z. Ilir Beqja, në Bangladesh ju do të ishit dënuar me burg!
Një parti e madhe, serioze dhe me kapacitete analizuese ekonomike e demokratike asnjëherë në botë s’do të përdorte artikullin e një gazetari ekonomie për të sulmuar qeverinë e vendit të tij. Ja që ndodh që deputeti antikushtetues Ilir Beqja përdor një shkrim reviste ekonomike të “The Economist” dhe jo një raport të detajuar të këshillit kombëtar të ekonomisë dhe demokracisë në Partinë Socialiste të drejtuar nga Shkëlqim Cani e Edi Rama për të thënë se vendi është më keq se Bangladeshi. Natyrisht Ilir Beqja s’ka asnjë informacion mbi ekonominë dhe demokracinë e Bangladeshit. Sepse po të kishte marrë indekset e demokracisë së Republikës popullore të Bangladeshit, në Azi, do të kuptonte se demokracia atje është në rrezik, ku ekonomia është për faqe të zezë, ku as rrjeti social Facebook nuk lejohet dhe shpesh mbyllet nga policia. Një vend i cili sipas raporteve aq të dashura nga 99-shat e Ramës, të “Transparency International”, është një nga vendet më të korruptuara në botë, dhe me cënim flagrant të lirisë së medies. Natyrisht Ilir Beqja s’e di që lideri i Partisë Socialiste të Bangladeshit (Lega Awami) Cheikh Hasina Wajed është nën proces që nga vitit 2007 për korrupsion. Shumë prej deputetëve të kësaj partie kanë përfunduar në burg për abuzim me detyrën. Mjafton të lexosh arkivin e Euronews për Bangladeshin për të kuptuar se korrupsioni po e mbyt këtë vend.
Kuptohet vetiu se Ilir Beqja, i cili është në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese nëse mandati dhe imuniteti i tij është legjitim, pasi ka shumë dyshime se ka abuzuar me postin për të përfituar para publike - do të fitojë besueshmëri publike dhe politike derisa Kushtetuesja t’ia heqë imunitetin.
Sakaq, është e turpshme që një deputet i Shkodrës, në vend që të interesohet për zonat e përmbytura të veriut të vendit, merret me analiza krahasuese mes demokracisë së Shqipërisë dhe diktaturës së Bangladeshit. Sigurisht ai zbaton urdhrat e shefit Edvin Rama, i cili s’ka turp që e baltos vendin me krahasime që s’qëndrojnë as në qiell e as në tokë. Pse për të kuptuar demokracinë e Shqipërisë duhet të shkojmë në Azi? Nëse do të bëjë një krahasim që qëndron pse nuk e bën me Europën, aty ku ne aspirojmë të integrohemi? Është një pyetje që Ilir Beqja duhesh t’ia kish bërë kryetarit të Partisë. Por Ilir Beqja ka frikë, ai s’mund të kundërshtojë personin që e solli nga fushat e basketbollit në Politikë, që nga pivot e shndërroi në specialist gjeopolitike.
Sidoqoftë Partia Socialiste në këtë fund viti është në një hall të madh bilanci, pasi llogaritë e nxjerrin me humbje kudo. Është totalisht e dështuar nga pikëpamja politike. Asnjë kauzë e saj s’ka fituar besueshmëri publike. Kauza e kutisë, e grevës së urisë dhe e protestave për të sekuestruar liberalizimin e vizave, kanë një bilanc negativ. Që prej 15 dhjetorit, shqiptarët lëvizin të lirë në Europë. Është meritë e qeverisë Berisha dhe e Partisë Demokratike arritja e heqjes së barrierës së fundit ndaj qytetarëve.
Edhe kauza e kutisë u mbyll me turp. Vendimi i Prokurorisë së Shkodrës provoi 100% se, zgjedhjet e vitit 2009 kanë qenë të lira e të ndershme, pasi ligji ka funksionuar me korrektësi, institucionet kanë funksionuar me korrektësi, drejtësia ka funksionuar me korrektësi. Vendimi i Prokurorisë së Shkodrës provoi edhe një të vërtetë tjetër, pse Rama hoqi dorë nga fletët e votimit. Rama nuk u tregua i sinqertë me shqiptarët, nuk u tha se po hiqte dorë për shkak se Prokuroria me këtë vendim e nxirrte lakuriq.