Sali Berisha, nismëtari i kauzës së Shqipërisë pa viza në BE

CNN, kronikë të posaçme për heqjen e vizave për shtetasit shqiptarë
Rrjeti më i fuqishëm mediatik në botë, CNN, i ka kushtuar një hapësirë të konsiderueshme, vendimit të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave Shqipëri-BE, si dhe hyrjen në fuqi të këtij vendimi vetëm 3 ditë më parë. CNN specifikon se 15 dhjetori, është dita e ndryshimit të madh për Shqipërinë. Ndërsa kryeministri Berisha, cilësohet si nismëtar i kësaj kauze.
“Ndryshime të mëdha në Shqipëri, në javën që kaloi. Që prej 15 dhjetorit, qytetarëve shqiptarë nuk u nevojitet më një vizë për të udhëtuar drejt vendeve të Bashkimit Europian, pas dekadash të tëra të regjimit të vizave. Sipas raportit të organizatës “Open Society”, numri i qytetarëve që udhëtojnë drejt vendeve të Bashkimit Europian do të dyfishohet”, thotë CNN.
Gazetarja Daniela Konstandini, e cila ka raportuar nga Tirana për rrjetin prestigjioz amerikan, thekson se nismëtari i kauzës së lëvizjes pa viza, ka qenë kryeministri i vendit Sali Berisha.
“Nëntor 2010, Bashkimi Europian aprovon liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë. Gjatë këtyre 20 vjetëve demokraci, shqiptarët kanë pasur të drejta të kufizuara për të udhëtuar drejt Italisë, Gjermanisë, Francës dhe vendeve të tjera të Bashkimit Europian. Ata ishin të detyruar të merrnin viza dhe të prisnin gjatë para dyerve të ambasadave. Por tani kjo ka marrë fund. Nismëtar i kësaj kauze është Kryeministri i Shqipërisë zoti Sali Berisha”, thotë Konstandini.
Nga ana e tij, shefi i ekzekutivit Sali Berisha, evidenton se heqja e vizave u bë e mundur falë reformave të thella. Sipas kryeministrit, 15 dhjetori shembi murin e izolimit për shqiptarët.
“Ky është shpërblimi më i madh për reformat dhe për ekonominë, që Bashkimi Europian i ka dhënë ndonjëherë Shqipërisë. Liberalizimi i vizave është një vendim i rëndësishëm për çdo vend, veçanërisht për ata që 20 vjet jetonin në një bunker të vërtetë, e që u përballën me izolimin më të thellë në histori, si shqiptarët. Më duhet të kujtoj se nga janari deri në dhjetorin e vitit 1990, 52 të rinj u vranë në kufijtë shqiptarë në përpjekje për t’u larguar nga vendi”, tha kryeministri.
Nga ana tjetër, ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu thekson se liberalizimi i vizave erdhi menjëherë pas kryerjes së reformave të gjera në Shqipëri. “Liberalizimi i vizave vjen si rezultat i luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe riorganizimi i të gjitha pikave kufitare. Tani, qytetarët shqiptarë që duan të udhëtojnë për në Bashkimin Europian duhet të kenë pasaportën biometrike, e cila është pasaporta më e mirë e prodhuar në vendet e bashkimit Europian vitet e fundit”, deklaron ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu.
Pas rënies së komunizmit ku shqiptarët lanë vendin për t’iu drejtuar perëndimit, qytetarët shqiptarë kanë mundësinë të udhëtojnë të lirë për në vendet e Bashkimit Europian.
Kronika/Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve- Emigracioni sjell zhvillim, ekonomia vazhdon të rritet/Pa emigracionin dhe migrimin drejt vendeve të Europës perëndimore, shume vende pune aktualisht të lira nuk do të plotësoheshin, ndaj qeveritë duhet të vlerësojnë emigracionin dhe përfitimet ekonomike si në shtetin pritës, por dhe në vendin e tyre.
Në Ditën Ndërkombëtare të Emigrantëve shefja e misionit të IOM-it në Shqipëri Nicoletta Giordano u shpreh se dërgesat në para të emigrantëve janë ende shumë të rëndësishme për ekonominë shqiptare.
“Është një ditë e rëndësishme për të gjithë ne dhe për Shqipërinë.
Rreth 27 për qind e shqiptarëve jetojnë dhe punojnë jashtë dhe ata janë mjaft të vlerësuar në shumë vende pritëse. Vetëm në Itali numërohen 20 mijë sipërmarrësish shqiptarë në ndërtim, shërbime e turizëm. Emigrimi në përgjithësi dhe ai ekonomik do te ekzistoje pasi është pjesë e ekonomisë globale dhe një force pozitive”, u shpreh Giordano.
Sipas shefes së IOM në Tiranë me kontributin e emigrantëve në shoqëritë pritëse, ekonomia vazhdon të rritet. Sipas përllogaritjeve të bëra nga ekspertët mendohet që rreth vitit 2050 në botë do të ketë 405 milion emigrantë dhe rreth 30 për qind të vendeve ekzistuese të punës do të zihen nga emigrantë si pasojë e mungesës së krahut të punës në vendet pritëse veçanërisht duke pasur parasysh rënien e numrit të popullsisë në vendet e industrializuara në Europën Perëndimore.
Giordano shprehet se Organizata Ndërkombëtare për Migracionin ne Shqipëri ka nisur një fushate për të informuar emigrantët shqiptarë si të emigrojnë në mënyrë të rregullt, të dine të drejtat e tyre, por dhe detyrimet në vendin pritës.