Z Mobile shkel marrëveshjen
-490x320.jpg)
Operatori virtual i telefonisë mobile, Z Mobile, pjesë e Kompanisë Dardafone, dy javë pas hyrjes në treg, nuk duket se do të jetë vetëm stërshitës i impulseve për kompanitë e telefonisë mobile, Vala. Gjatë kësaj periudhe të operimit, është treguar konkurrent serioz i kësaj kompanie, me çmime edhe më të lira se vetë Vala, pavarësisht se impulset që ua shet konsumatorëve i blen nga ajo. Me këto çmime, Z Mobile, do ta dëmtojë seriozisht operatorin Vala, siç edhe kanë lajmëruar ekspertët e kësaj kompanie më herët.
Në faqen zyrtare të Z Mobile, çmimet standarde për një minutë bisedë me numrat 045 që shfrytëzon ky operator virtual (MVNO) dhe të gjitha thirrjet në Vala kushtojnë 0.07 euro. Ndërkaq, thirrjet brenda operatorit Vala janë për një cent më të shtrenjta.
Burime të gazetës brenda Postë-Telekomit të Kosovës thonë se kjo po e dëmton PTK-në, si rezultat i kontratës së pamenduar mirë të arritur me operatorin virtual.
Marrëveshja e arritur në fund të vitit të kaluar me këtë operator, sipas këtij burimi, nuk specifikon qartë tarifat.
“Në këtë mënyrë ai del më lirë se Vala në treg”, thekson ky burim.
Në anën tjetër, zyrtarët e PTK-së që kanë qenë edhe nismëtarë të licencimit të operatorëve virtualë, thonë se çmimet e produkteve të Z Mobile dallojnë varësisht nga pakot e shërbimeve.
“Operatori Vala dhe operatori virtual Dardafone ofrojnë shërbime me çmime përafërsisht të njëjta, ato dallojnë varësisht nga pakot e shërbimeve”, thekson zëdhënësi i PTK-së, Mendu Abazi.
Sipas tij, është obligim ligjor që në fund të vitit Vala dhe MVNO-ja, të ndajnë profitin siç është paraparë me kontratë.
Në bazë të kontratës, Z Mobile gëzon 73 për qind të profitit nga shitja e produkteve, ndërsa Vala vetëm 27 për qind.
MVNO-ja në bazë të licencës është operator që nuk posedon spektër frekuencor, por që shfrytëzon tërë infrastrukturën e kompanive mobile ekzistuese. Megjithatë, gëzon të drejtën e futjes në treg edhe të numrit të ri të telefonisë mobile, me të cilin edhe i shet produktet sikur të ishte një operator i ri.
Z Mobile në këtë rast ka hyrë në treg me aktiven apo me kapacitetet e “pashfrytëzuara” nga “Vala” të linjës 045 dhe numrat që fillojnë me 500 mijë dhe 600 mijë.
Zyrtarët e kompanisë Dardafone, të kontaktuar nga gazeta, nuk kanë komentuar tarifat e shërbimeve që ofrojnë në treg.
Në anën tjetër, kreu i Bordit të Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit, Ekrem Hoxha, thotë se çmimet e shërbimeve që ofrojnë operatorët e telefonisë mobile janë çështje komerciale e tyre.
“Çështja e çmimeve është e rregulluar në marrëveshjen komerciale ndërmjet operatorit mobil MNO (Mobile Network Operator – PTK sh.a.) dhe operatorit MVNO (Z Mobile) dhe kjo konform legjislacionit në fuqi është çështje konfidenciale që mund të komunikohet vetëm nga operatorët dhe jo nga rregullatori”, thekson Hoxha.
Sipas tij, ART-ja mirëpret dhe përkrah çdo marrëveshje komerciale që operatorët arrijnë në mes vete dhe është në funksion të liberalizimit të tregut dhe rritjes së mundësisë së zgjedhjes nga ana e konsumatorit.
Ofrimin e shërbimeve më të lira se Vala, operatorit virtual nuk ia ndalon as Korniza legjislative që rregullon MVNO-të.
Në këtë kornizë thuhet se në rastin më të thjeshtë të MVNO-së, kompanitë janë më tepër se sa rishitës duke e shtuar brendinë e vet dhe duke bërë strategji të veta marketingu.
Disa MVNO-ja e posedon dhe zhvillon qendrën e vet komutuse mobile (ang. Mobile Sëitching Center-MSC) dhe Infrastrukturën Inteligjente (ang. IN Infrastructure) për të mbështetur ofrimin e shërbimeve me vlerë të shtuar. Në këtë rast, MVNO-ja e shfrytëzon pjesën radio të rrjetës nga MNO-ja dhe ofron shërbime të veta të avansuara dhe shërbime të tjera duke u mbështetur në IN platformën e vet.
“Kjo iu mundëson MVNO-ve që të hyjnë në konkurrencë me operatorët ekzistues jo vetëm në aspekt të çmimeve, por edhe në aspektin e llojeve të produkteve dhe shërbimeve të ofruara”, thuhet në kornizë.
Në Kosovë tanimë janë licencuar dy operatorë virtualë nga Autoriteti Rregullator i Telekomunikacionit, “Dukagjini Telecomunication”, dhe “Dardaphone”, të cilët janë pajisur me licenca 15-vjeçare nga ART-ja, me mundësi vazhdimi edhe për 10 vjet të tjera.
Kjo licencë u mundëson të lidhin marrëveshje biznesi me dy operatorët e telefonisë mobile, “Vala” dhe “Ipko”, për shitjen e impulseve që i blejnë nga operatori mobil, duke shfrytëzuar infrastrukturën e tyre.