Gjatë vitit 2009, u rritën pagat në shtet, u ulën te privati
Analiza
Mesatarisht pagat u rritën me 5.6 për qind, por qe shteti që ndikoi më shumë
Gjatë pjesës së parë të vitit 2009, pagat në Shqipëri pësuan një rritje të lehtë prej 5.6 përqindësh në krahasim me një vit më parë, por kjo rritje erdhi pothuajse tërësisht nga pagat e sektorit publik, ndërkohë që sektori privat nuk pa asnjë ndryshim, bëhet e ditur nga një analizë e publikuar nga Banka e Shqipërisë.
“Rritja mesatare në pjesën e parë të vitit në vijim rezultoi rreth 5.6 për qind apo rreth 12 pikë përqindjeje më poshtë sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Bazuar në të dhënat e fundit të INSTAT-it, paga mesatare mujore në sektorin shtetëror në tremujorin e dytë të vitit, përshpejtoi ritmin vjetor të rritjes, me rreth 11.6 për qind në terma nominalë”, thuhet në raport.
Viti i kaluar u karakterizua nga vështirësi të konsiderueshme ekonomike, përballë të cilave punëdhënësit privatë përgjithësisht zgjodhën ngrirjen e rritjes së pagave për të rritur rentabilitetin e punës. Por të punësuarit në sektorin publik përfituan nga zgjedhjet e qershorit dhe vendosmëria e qeverisë për t’i rritur pagat që në maj, pavarësisht vështirësive të hasura nga buxheti i shtetit në shlyerjen e detyrimeve.
“Në terma të aktiviteteve ekonomike, është regjistruar një ritëm më i lartë vjetor i rritjes së pagës mesatare për degën e transportit dhe telekomunikacionit, me rreth 13.6 për qind, në tremujorin e dytë të vitit. Në sektorët prodhues të industrisë dhe të ndërtimit, gjatë tremujorit të dytë, rritja vjetore e këtij treguesi ka qenë me përkatësisht 7.9 dhe 5.6 për qind, mesatarisht 1.5 herë më e lartë se në tremujorin e parë të vitit. Paga mesatare e punonjësve të aktivitetit tregtar vlerësohet të jetë rritur me 0.6 për qind në nivel vjetor, pas normës së lartë vjetore të shënuar në tremujorin e parë, rreth 9.3 për qind”, thotë Banka e Shqipërisë.
Sipas analizës së BSH, indeksi i produktivitetit të punës shënoi përgjithësisht përkeqësim gjatë vitit të kaluar kryesisht për shkak të uljes së prodhimit dhe shitjes. Por për shkak të zvogëlimit të numrit të punonjësve, kostoja e punës për njësi malli të prodhuar ka shënuar rënie.
#