E Shtunë, 31 Tetor 2026

The New York Times

Davos 2010
Rritja ekonomike e Kinës sjell konflikt me Perëndimin

Deri në vitin 2008, Kina ishte ende një ekonomi në zhvillim, e etur për të ecur drejt stilit të konsumerizmit perëndimor përmes liberalizimit dhe hoqi censurën mbi shumë faqe interneti para Lojërave Olimpike të Pekinit. Në të njëjtën kohë iu nënshtrua presionit të politikanëve perëndimorë dhe lejoi monedhën e vet të forcohej kundrejt dollarit.
Sot Kina nuk është më në zhvillim. Ajo është zhvilluar shumë më shpejt se sa pritej, para se bota të zhytej në krizën financiare, e cila dëmtoi rëndë të gjitha fuqitë industriale të botës së vjetër, nga Shtetet e Bashkuara në Europë e Japoni. Në ditët tona, renminbi ka ngrirë së lëvizuri sërish në një nivel të ulët ndërsa kontrollet e internetit janë më të ashpra se kurrë, aq sa ”Google” ka kërcënuar se do të largohet nga ky vend. Recesioni i ashpër ka përshpejtuar rrjedhën e historisë, duke e zhytur një botë të papërgatitur në një periudhë bashkëjetese të vështirë mes Shteteve të Bashkuara, ekonomia numër 1 dhe pasardhësit të mundshëm.
“Kina është shpresa dhe frika më e madhe e Perëndimit”, thotë Kristin Forbes, një ish-anëtar i Këshillit Ekonomik të Shtëpisë së Bardhë dhe një nga qindra zyrtarët e lartë që kanë shkuar këto ditë në Davos të Zvicrës, për disa ditë diskutime në Forumin Ekonomik Botëror. “Askush nuk qe tërësisht i përgatitur të shihte se sa shpejt u rrit Kina”, thotë znj. Forbes. “Tani të gjithë janë duke u përpjekur të kuptojnë se si do të jetë Kina me të cilën do të përballen”.
Për herë të parë, ekonomistët janë duke monitoruar të dhënat e konsumit të Kinës – jo atë të SHBA-ve, si shenjë kyç për fundin e recesionit. Prodhimi vjetor i Kinës mund të kapërcejë atë të Shteteve të Bashkuara brenda një dekade, parashikoi një raport që u publikua së fundmi, ndërkohë që raporte të tjera parashikojnë zëvendësimin e dollarit nga monedha kineze si valutë rezervë për botën e së ardhmes.
Në shumë vende në zhvillim po flitet prej kohësh për “Konsensusin e Uashingtonit”, term që nënkupton teorinë se rritja ekonomike kërkon tregje të hapura, monedha me kurs këmbimi të lirë dhe zgjedhje të lira. Por në shumë vende po flitet edhe për “konsensusin e Pekinit”. Rritja e Kinës në skenën botërore pritet të bëhet më e dukshme këtë javë, pasi në Davos ka mbërritur delegacioni më i madh kinez i parë në historinë e forumit.
Kur Shtetet e Bashkuara i zunë vendin perandorisë britanike si dominuesja e re botërore në fillim të shekullit të njëzet, situata shkaktoi shumë përplasje, megjithëse të dyja vendet flisnin të njëjtën gjuhë, kishin kultura të ngjashme dhe qenë demokraci liberale. Por Kina është krejt e ndryshme. Ajo është një hibrid konfuciano-komunist që bazohet te shteti njëpartiak. Me rritjen e saj ekonomike, shumë ekspertë besojnë se do të ketë përplasje të konsiderueshme në të dyja anët e Paqësorit. “Nuk është habitëse se rritja mbresëlënëse ekonomike e Kinës do të jetë shqetësues për disa”, thotë Pascal Lamy, drejtor i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Tregtisë. Deri tani, përplasja me Kinën ka qenë më së shumti retorike. Janë regjistruar gjatë viteve të fundit 45 nisma ligjore në Kongresin e SHBA-ve kundër Kinës, por asnjëra prej tyre nuk është miratuar. Kjo gjë ka filluar të ndryshojë kohët e fundit, kur në SHBA dhe Europë janë miratuar masa kundër importeve nga Kina.Por çfarë është konsensusi i Pekinit? Disa e shpjegojnë termin si një model menaxhimi ekonomik, me përfshirje të gjerë të shtetit, një fenomen që po shtohet në të gjithë botën. Disa të tjerë thonë se termi nënkupton kontroll më të madh në tregjet e kapitalit, një kontroll që është shfaqur edhe në vende si Brazili, që konsiderohen gjerësisht si vende të hapura. Disa sugjerojnë se mungesa e demokracisë në Kinë është një avantazh që i lejon të bëjë ndryshime jopopullore, por të nevojshme. Kina është e aftë të organizojë strategjinë e vet në periudha afatgjata, pasi qeveria e saj nuk përballet me zgjedhje çdo katër vjet, ndryshe nga perëndimorët, strategjitë e të cilëve përballen me nevojat afatshkurtra të votuesve pa menduar për të ardhmen.
Ndërsa Kina po del në arenën globale me fuqi dhe ndikim të paprecedent, thotë një ekspert, ajo nuk duket se është partneri botëror që Shtetet e Bashkuara dhe BE kërkojnë. Kina negocion me të gjitha vendet e botës pa dallim nëse janë autokraci të pamëshirshme apo demokraci, ndryshe nga perëndimorët që kanë deri diku skrupuj. Disa mendojnë se metodat e Kinës do t’i bëjnë të mundur që të jetë ekonomia më e madhe e botës më 2020-n, ndërsa monedha e saj renminbi mund të zëvendësojë dollarin brenda katër dekadave të ardhshme.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›