Tarifat celulare, më të shtrenjtat në rajon
Shqiptarët vijojnë të paguajnë më shumë se çdo vend tjetër pavarësisht ofertave
Tregu i shërbimit celular në Shqipëri është zhvilluar shumë, sidomos në dy vitet e fundit, me rritjen e konkurrencës, ndërsa përdoruesit janë mbi 3 milionë abonentë. Megjithatë, edhe pse me një luftë të madhe ofertash mes tri kompanive celulare, sërish vërehet kosto e lartë, nëse bëjmë krahasim me vendet e tjera. Aktualisht një shqiptari, kostoja e përdorimit të celularit i zë 8.3 për qind në shportën mujore të konsumit, kurse në vendet e tjera të rajonit është më i ulët. Nëse bëjmë krahasime me vendet e Bashkimit Europian, ku rregullat janë më të forta, kostoja e telefonave është më i ulët. Sipas Bashkimit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU-degë e OKB-së), Shqipëria renditet e para në rajon sa i takon peshës që zë kostoja në shportën e konsumit, kurse pas nesh renditen Bullgaria me 4.9 për qind dhe Maqedonia me 4.6 për qind. Më lirë flasin serbët dhe malazezët, me mesatare të kostos 1.3 dhe 1.6 për qind. Treguesit u referohen të dhënave për vitin 2008 dhe përgatitur nga ITU-ja, duke marrë tarifat që ofrojnë kompanitë celulare të çdo vendi.
Tregu
Aktualisht, në treg operojnë tri kompani celulare dhe pritet të hyjë një tjetër, duke parashikuar rritje më të madhe të konkurrencës. Sipas Agjencisë së Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), mesatarisht çdo vit regjistrohet një ulje e kostos së bisedave telefonike, me të paktën 20 për qind. Edhe pse qeveria ndërhyri me ligj për t’i ulur ofertat, rreth një vit e gjysmë më parë, duke ndryshuar metodologjinë e kostos, sërish vërehet çmim i lartë në krahasim me vendet e tjera. Vetë kompanitë celulare e gjykojnë si të duhur paketën aktuale të tarifave, në përputhje me atë çka ofron tregu dhe konkurrenca. Sipas Institutit të Statistikave (INSTAT), gjatë vitit 2009-n, indeksi i çmimeve mesatare në sektorin e komunikimeve (celular, fiks, internet etj) ishte rreth 80 për qind, duke marrë për bazë muajin dhjetor 2007, pra me ulje 20 për qind. Duke parë statistikat zyrtare bie në sy fakti se në tre muajt e fundit nuk ka pasur reduktim të kostos në sektorin e telekomunikacionit, edhe pse në muajin dhjetor ka pasur fluks ofertash favorizuese me rastin e festave, madje sipas INSTAT shënohet një rritje e lehtë 0.4 për qind.
#