Z. President, mos gradoni pjesëtarë të rebelimit
Kol. Kostandin Koliqi
Gjate këtyre ditëve, shtypi ka vënë në dukje një shkelje të Kushtetutës së Republikës nga Ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, në lidhje me emërimin e z.Ferdinand Kreshpani, në detyrën e lartë në Forcat e Mbrojtjes Detare. Veç shkeljes së Kushtetutës nga Imami, problemi ka edhe një këndvështrim tjetër, atë të zbatimit të kritereve në përzgjedhjen e kuadrove ushtarakë, për kësi detyrash të larta që shoqërohen edhe me grada. Në periudhën 9397, unë kam drejtuar Shërbimin Informativ Ushtarak për Forcën Ushtarake Detare. Një nga detyrat tona ka qenë edhe furnizimi i ministrit me informacione që kishin të bënin me personalitetin, karakterin, dijenitë ushtarake dhe civile të oficerëve që kandidoheshin në detyrat e larta.
Edhe në atë periudhë, ka dalë kandidatura e z. Kreshpani për një detyrë të lartë, por jo të këtij niveli. Mbasi u bë verifikimi na doli se z. Kreshpani kishte mbaruar Akademinë e Marinës me mesatare të ulët si dhe tregonte një sërë të metash në realizimin e detyrave. Në vitin 1995, z.Ferdinand Kreshpani, duke qenë me detyrë në Bazën e Limjonit në Sarandë, bashkëpunoi me një grup të madh njerëzish nga fshati Nivicë, ju hapi portën dhe ata pushtuan një territor të bazës duke pretenduar se ishin pronat e tyre. Në atë kohë u vërtetua bashkëpunimi i tyre me punonjës e Bashkisë dhe me z. Kreshpani.
Nga informacionet që unë kisha, në ngjarjet e bujshme të vitit 97, z. Kreshpani kishte rol në shkatërrimin e bazës detare dhe në drejtimin e reporterëve të agjencive të vendeve fqinje ku shkatërroheshin apo edhe mbyteshin anijet e Flotës Luftarake. Por mendoj se merita më e madhe e z.Kreshpani është pritja dhe ndihma që i dha Arben Imamit për të zbarkuar nga Greqia, për tu vënë në krye të rebelimit të atëhershëm. Si një nga të paktët punonjës, që i kam ndjekur nga afër ato ngjarje makabre për vendin, dua tju kujtoj se shumica e kriminelëve ordinerë apo politikë kanë zbarkuar nga Greqia.
Në raste të tilla, për emërime në detyra kaq të larta, mendoj se çështja nuk duhet të ngelet vetëm midis Ministrit dhe Presidentit, por duhet edhe ndërhyrja e Kryeministrit i cili i ka të gjitha informacionet për ta hetuar dhe më pas të vendosë për emërimin apo jo të kuadrove në detyra të larta. Ngjarjet e 97-ës nuk janë hetuar dhe as që do të hetohen ndonjëhere dhe kjo për të zezën tonë, por së paku ata që dihen se kanë kontribute në shkatërrimin dhe djegien e reparteve ushtarake dhe institucioneve, të mbahen larg dhe jo tu jepet drejtimi kryesor i forcave ushtarake. Kjo është shumë e dhimbshme për vendin.