Z.Berisha: Qeveria shqiptare ka një vizion të qartë për reformat në mbështetje të sektorit privat dhe përmirësimit të klimës së biznesit
Nën drejtimin e kryeministrit Sali Berisha, u zhvillua, të hënën, mbledhja e Task Forcës për përmirësimin e klimës së biznesit, e cila mori në shqyrtim planin e veprimeve për vitin 2006. Në fillim të mbledhjes, z.Berisha theksoi se qeveria shqiptare ka një vizion të qartë për ndërhyrjet prioritare dhe drejtimet e ardhshme të reformave të mbështetjes së sektorit privat dhe përmirësimit të klimës së investimeve. Struktura dhe komponentët themelorë të këtij Plan Veprimi, nënvizoi z.Berisha, janë të mirëbalancuara dhe vihet theksi i duhur në inisiativat e fuqizimit të institucioneve dhe ndërtimit të kapaciteteve. Kryeministri vlerësoi punën e bërë nga grupet teknike dhe sekretariati i Task Forcës për organizimin e konsultimeve efektive me përfaqësues të sektorit privat dhe shoqatat e biznesit, ashtu edhe me donatorët që mbështesin projektet në këtë drejtim. Ai inkurajoi grupet e punës që bashkëpunimi me sektorin privat të shtrihet edhe jashtë Tiranës dhe ai të jetë i përhershëm, konstant dhe në procesin e zbatimit të reformave që pritet të realizohen në secilin nga këto drejtime. Ndësa ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës Genc Ruli raportoi mbi përmbajtjen e Planit të Veprimit të reformës rregullatore në drejtim të përmirësimit të klimës së biznesit.