E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhvillohet mbledhja e Task Force-s për antikorrupsionin

Nën drejtimin e Kryeministrit, z. Sali Berisha, u zhvillua të premten mbledhja e Task Force-s Antikorrupsion, e cila mori në shqyrtim fenomenet e korrupsionit dhe abuzimeve në Dogana, Tatime dhe KESH. Kryeministri theksoi domosdoshmërinë e vendosjes së treguesve që do të monitorohen në këta sektorë tepër të ndjeshëm, jo vetëm për ekonominë e vendit, por dhe për taksapaguesit, si dhe gjithë qytetarët e thjeshtë.

Nga të dhënat që disponon Task Force dhe nga drejtuesit e këtyre sektorëve, u theksua se ende vijojnë praktikat abuzuese. Ende ka shumë biznese të paregjistruar që vazhdojnë të paguajnë taksat, por ato përvetësohen nga agjentët tatimorë, të cilët më pas i kthejnë ato në pasuri personale.

Korrupsioni është i pranishëm dhe në KESH. Kështu, vjelja e tarifave të energjisë elektrike në Tiranë është në masën 79%, Shkodër 40%, Vlorë 60%, ndërsa në Has 14% dhe në Koplik 26%. Ndërkohë, në rang vendi, tarifat e energjisë janë mbledhur vetëm 60%. Të dhënat nga burime të ndryshme faktojnë se punonjës të pandërgjegjshëm të KESH përvetësojnë faturat, përvetësojnë pagesat e qytetarëve dhe i fajësojnë këta të fundit për mospagim. Janë jo të pakët këta punonjës që duke përvetësuar tarifat e energjisë që paguajnë qytetarët kanë blerë vetura dhe vila luksoze.

Drejtuesit e Drejtorisë së Tatimeve po marrin masa që të realizojnë urgjentisht eveidentimin dhe regjistrimin e çdo biznesi në mënyrë që ti jepet fund informalitetit.

KESH po përgatit një skemë kontrolli, e cila do të përcaktojë qartë përgjegjësinë për faturimet dhe lidhjet ilegale ndëshkuese për personat përgjegjës.

Task Force ritheksoi detyrën për rishikimin dhe rinovimin deri në fund të marsit të autorizimeve për Magazinat Doganore, si dhe skemën e mbajtjes së tyre nën kontroll për të shmangur abuzimet. Njëkohësisht, Task Force e ngritur, po punon në Dogana për kontrollin me përparësi të mallrave të aksizës, veçanërisht cigareve dhe kafesë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›