E Shtunë, 31 Tetor 2026

ZGJEDHJET DHE MEDIAT, SHERBETORE E NARCIZISTE

Një muaj pas zgjedhjeve, disa
ditë pas rezultatit me vulën
e KQZ-së, ia vlen reflektimi
mbi rolin e padiskutueshëm
të medias shqiptare në gjithë këtë proces
pa standarde politiko-mediatike. Duhet
thënë që në fillim se "fitoi" politika e
pazareve, por bashkë me të, edhe media
e pazareve, e cila kësaj here tërhoqi për
hunde edhe atë pjesë që i kishte të gjitha
shanset të kishte qëndruar ndryshe e të
mos bëhej palë me të njëjtën palë.
Në këtë panoramë ia vlen të theksohet
se ka disa gjëra që ndodhën për
herë të parë. Kështu, si asnjëherë tjetër
në zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri,
mbizotëruan mediat pro-qeveritare
dhe ato kundër opozitës. Në sensin më
negativ të fjalës, ky ishte investimi më i
madh që Berisha bëri në katër vitet e qeverisjes
së tij. Përkthyer ndryshe, media
në përgjithësi e humbi rolin, misionin
dhe lirinë e saj, e ky ishte një falimentim
profesional pa kushte. Shkurt ka ardhur
koha që kjo lloj medie duhet të lirojë
vendin një sahat e më parë. Për një vend
demokratik apo në përpjekje për të qenë
i tillë, ekziston një normë sa morale, aq
edhe logjike, që mediat dinjitoze, kryesisht
janë në krahun e opozitës, për shkak
të një misioni të përbashkët që nuk ka lidhje
me emra të caktuar opozitarësh. Ky
është misioni i kritikës, vëzhguesit dhe
investiguesit të pushtetit, që vë median
në të njëjtin kamp me kundërshtarin e
qeverisë, pavarësisht se kush është ai.
Por doza anti-opozitare mediatike,
që helmatisi krejt opinionin publik
shqiptar, pa diskutim pati efektin e saj
në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.
Ka një lajm pozitiv: ky efekt nuk u
pa në votën e njerëzve. Absolutisht jo,
madje ka ndikuar për të kundërtën. Por
lajmi i keq është që ky efekt u ndje tek
numëruesit. Kështu, ende pa u hapur
kutitë, u shpall fituese e thellë Partia Demokratike.
Kur kutitë u hapën, rezultati
ishte krejt tjetër gjë, por vala vazhdoi
dhe ndikoi jo pak në demoralizimin e
atyre që numëronin votat dhe që në
fund të fundit janë njerëz që pushteti
u kërcënon direkt familjen, punën dhe
bukën e gojës.
Duke marrë mesazhin se PS-ja ka
humbur, disa prej tyre nuk panë më arsye
për të ruajtur apo numëruar votën, e
aq më pak për t‘u përleshur me pushtetin,
i cili, kamerat e qendrave të votimit
mesa duket, vetëm për të fiksuar fytyrat
e komisionerëve i ka përdorur. Kur pikat
kyçe, ku PS-ja priste mandate të reja,
nuk u numëruan për t‘i dhënë shansin
Metës të bënte aleancën e famshme me
Berishën, media e shpërqendroi vëmendjen
te Kodi Zgjedhor dhe dorëheqja
e Ramës. U anashkalua me vetëdije të
plotë analiza e fakteve reale që vinin nga
kutitë e votimit. Por sidomos u anashkalua
aleanca turra-vrap e një allishverishi
të bërë qysh para zgjedhjeve, midis dy
meshkujsh që qëndronin në aparencë
në kahe të kundërt, por që kishin
vendosur të bashkëjetonin shumë më
parë se aleanca e tyre të kurorëzonte
homoseksualët.
Zgjedhjet duhet të na kishin ndarë
nga tranzicioni, por kjo nuk ndodhi, e
media ka rolin e saj jo të vogël në këtë
fatkeqësi. Po kështu, për herë të parë,
raporti dhe qëndrimi ndërkombëtar
është më i ashpër se ai mediatik. Historikisht
në Shqipëri, ndërkombëtarët kanë
folur me gjuhën e gurit, janë shprehur
me qëndrime që mund të interpretohen
në disa mënyra, në konkluzione
që lënë vend dhe hapësirë për lexime
të ndryshme nga partitë dhe opinioni
shoqëror. Por jo kësaj radhe. Ata ishin
të qartë dhe të prerë në disa pika kryesore,
duke na përforcuar atë që kishte
thënë opozita, se: u bë presion mbi
administratën shtetërore para zgjedhjeve;
pati defekte të mëdha në pajisjen
e njerëzve me kartat e identitetit dhe
së fundmi, vota nuk u numërua. Por
ky nuk është lajm për mediat, është
thjesht një citim deklarate, kur në fakt
duhet të ishte puna dhe misioni i saj të
zbërthente dhe investigonte çdo pikë
të mësipërme. E ndërsa nuk e bëri këtë
gjatë fushatës dhe ditës së zgjedhjeve
apo numërimit, të paktën tani duhet të
kishte pasur minimumin e përkushtimit
ndaj profesionit: të analizonte rezultatin
e zgjedhjeve në bazë të këtyre vërejtjeve,
që nuk kishte nevojë të na i tregonin
ndërkombëtarët. Ndodhi tjetra: media,
në një zë gati uniform, pranoi se ne nuk
kemi standarde, por kjo është Shqipëria,
se Berisha vjedh, po ky është Berisha,
se zgjedhjet i fiton ai që i vjedh, por për
ne kjo është normë dhe s‘ka pse të na
bëjë përshtypje. Aq më pak ka vend për
analiza. Të gjitha të mësipërmet merren
të mirëqena, po fajin na e ka Kodi dhe
Rama.
Së fundmi, KQZ-ja i shkoi deri në
fund dhe vendosi të mos numërojë
kutitë e kontestuara, sepse ishin shumë
dhe kjo (larg qoftë!) do të ndryshonte
rrjedhën e pazareve të tavolinës. Edhe
kjo u quajt normë, madje, madje, standard
demokratik.
Sa për politikën e re, që synoi Rama,
ajo u quajt thjesht një iluzion dhe demagogji
në rastin më të mirë dhe dështim
në rastin më të keq. Në fakt, përballë një
muri politik 18-vjeçar, që nuk di të bëjë
gjë tjetër veçse atë që bëri në këto zgjedhje,
përballë një klani mediatik me të
njëjtën moshë, që sot është po aq pjesë e
pazareve sa edhe politika, e reja jo vetëm
është iluzion, por dhe pse jo, për sytë e
tyre, utopi. Për të mbuluar dështimin e
tyre, u munduan të flasin për dështimin
e misionit të Ramës.
Ajo që ishte akoma më e trishtueshme,
është se klanet mediatike, të
lidhura ngushtë me interesa ekonomike
pas pushtetit të Berishës, morën me
vete dhe ata që janë jashtë këtyre klaneve.
Për këtë meritojnë gjithë kreditet
e mundshme. Kështu, edhe ata pak
zëra që u rreshtuan hapur me opozitën
dhe Ramën (sakrilegj ky në Shqipëri),
kërkuan dorëheqjen e kryetarit të PS-së,
duke mos u kujdesur aspak për çfarë kishin
shkruar e thënë më parë, por duke i
tundur kryetarit të PS-së punën e tyre të
deriatëhershme si një investim të madh,
që nuk duhej shpërblyer kështu.
Në të vërtetë, është investim dhe
për këtë arsye duhej mbrojtur nga vetë
investuesit. Por më parë le të bëjmë
një marrëveshje fjale me këtë punën
e investimit mediatik, që të jemi në të
njëjtën faqe libri. Personalisht kuptoj
me investim mediatik vlerësimin nga
lexuesi/shikuesi dhe asnjë lloj shpjegimi
tjetër, sepse në fund të fundit ai
është "elektorati" i një gazetari. Çdo lloj
shpërblimi apo dëmshpërblimi tjetër
bie erë narcizizëm.
Dhe në fakt, në Shqipëri e ka marrë
në dorë narcizizmi. Shqipëria është një
vend që nuk ka "Hollivud", por që shtron
‘red carpet‘ për filmat e botës. Shqipëria
është një vend, ku gratë e pushtetit dhe
Parlamentit vihen në garë me Çiljetën
e Ingridin. Shqipëria është një vend, ku
politikanët vdesin të tregojnë veshjet
"Burburry", të blera me lekët e vjedhura
të shqiptarëve. Dhe në këtë "Hollivud" të
vogël fshataresk, me pluhur në verë dhe
baltë në dimër, pa ujë dhe drita në katër
stinët, pa mundësinë bazike për të bërë
një dush në mëngjes, sigurisht gazetarët
janë heronjtë e vërtetë. Nuk mund të
mos tundohesh nga kjo atmosferë dhe
të mos fillosh të besosh se tashmë i ke
kaluar kufijtë e të qenit thjesht gazetar,
një koordinator mes mendimit shoqëror
dhe atij politik. Madje, më shumë se kaq,
nuk mund të mos kapërcesh, me apo pa
vetëdije, linjën e zanatit.
Në këtë fazë, nuk ka më vend dhe nuk
bëhet më fjalë për analiza të mirëfillta të
një procesi zgjedhor si rasti i fundit, sepse
ka ndodhur shndërrimi nga gazetar
në "ideolog" dhe ekrani apo gazeta shfrytëzohet
për të përcaktuar platforma,
e më keq akoma, për të dhënë verdikte.
Midis shërbëtorëve të oborrit dhe narcizistëve,
media noton në një shtrat të
turbullt, ku ulërima e përbashkët e këtij
momenti është: Të ikë Rama. Motivi i
kësaj ulërime është akoma më ulëritës
në vetvete. Quhet: "moral"! Thonjëzat
qëndrojnë!
Rama, sipas logjikës mediatike, duhet
larguar, sepse është plangprishësi. Ai
bëri Kodin dhe penalizoi partitë e vogla.
Eshtë e vërtetë, por duhet thënë se penalizimi
erdhi nga vota e popullit për disa
kryetarë partish imagjinare që kishin 15
vjet që nuk votoheshin, por fshiheshin
pas një sistemi të kalbur, që ka 18 vjet që
prodhon vetëm prapambetje e varfëri në
Shqipëri. Fjala "politikan karriere", që u
vihet shpesh si epitet komplimentues
këtyre kryetarëve, të cilët nuk do jenë më
në Parlament në shtator, është shumë
dëshpëruese. Por ka lidhje me standardet
vetëm të Shqipërisë, ku karrierë,
edhe e suksesshme, quhet ajo që është
bërë në kurriz të Shqipërisë qysh pas
vitit 1991. E që të mos i largohemi Kodit
dhe partive të vogla, Rama respektoi
deri në fund marrëdhënien me aleatët
e paktë, që grumbulloi pas vetes. Ai nuk
bëri atë që bëri Berisha me Topallin, që i
quajtën kriminelë dhe trafikantë aleatët
e tyre. Por, përveç lajmit për një vrasje të
një anëtari partie aleate, fill pas këtyre
deklaratave, absolutisht asgjë tjetër nuk
u tha e nuk u bë në media, rreth mënyrës
se si Berisha i përdori të vegjlit. Gjithashtu,
i quhet meritë Berishës zgjerimi
pafund i koalicionit, me parti që nuk ua
di as emrin. Dhe i quhet mangësi Ramës
e kundërta, kur i kishte të gjitha mundësitë
ta kishte hapur në tavolinë koalicionin,
qysh para zgjedhjeve dhe po në
tavolinë, pa u nisur njerëzit nëpër kuti
votimesh, të ishte bërë Kryeministër. Të
gjitha mundësitë i ka pasur për ta bërë
këtë dhe nëse nuk e bëri, por zgjodhi një
rrugë tjetër, kryekëput ndryshe nga ajo e
Berishës, kjo assesi nuk tregon etje për
pushtet me çdo kusht.
Nëse politika e re, që ai kërkoi të
vendosë, nuk u kuptua apo bëri sikur
nuk u kuptua nga elita e vjetër politikëmedia,
kjo erdhi sepse Rama është
vërtetë plangprishësi i tyre. Por jo i atij
lloji që pretendon media sot, si denatyruesi
i PS-së, vjedhësi i identitetit të
saj, e të tjera përkufizime të ngjashme
që s‘kanë asnjë bazë apo provë reale ku
të mbështeten. Në fakt, analiza e vërtetë
fillon me analizën e votës së shqiptarëve,
që anashkalohet ose injorohet, njësoj
sikurse nuk përmendet vjedhja që i bëri
Berisha, apo deformimi e keqpërdorimi
që i bëri Meta kësaj vote. Po ta nisnim
pikërisht nga vota që u hodh vetëm për
PS-në, rezulton se Rama, jo vetëm nuk
ka humbur terren, por ka fituar. Që nga
viti 1991, thuhet së fundmi, PS-ja gjithmonë
ka qenë forcë e parë. E tillë është
dhe sot. Atëherë ku qëndron denatyrimi
apo mungesa e identitetit të PS-së?
Ky argument do kishte bazë, nëse
elektorati nuk do ta votonte Ramën dhe
për më tepër kësaj radhe ka pasur një
shans ta hedhë votën për një parti tjetër
të majtë, që sot nuk është më e tillë, LSInë.
Shifrat thonë që LSI-ja ka pësuar një
rënie drastike nga viti 2005 dhe këtu s‘po
flasim për numër deputetësh, por për
vota në terren, ku Kodi s‘ka asnjë mëkat.
Argumenti se votat e kësaj partie janë
vjedhur, ka rënë qysh kur vetë LSI-ja
doli kundër rinumërimit të votave dhe
jo vetëm kaq, por i bëri thirrje PS-së të
ndalonte kërkesat e saj ndaj KQZ-së.
Sot PS-ja, edhe pa 73 mijë vota të majta
të LSI-së, edhe pa mijëra të tjera të vjedhura
nga Berisha e të panumëruara nga
KQZ-ja, ia doli të qëndrojë forcë e parë.
Sot Edi Rama është vetëm plangprishës
i botës së vetëkalbur politiko-mediatike
që, në vegjetacionin e saj të plotë nuk
kërkon t‘ia prishë askush rehatin.
Misioni i Ramës, për ta, është quajtur
biblik. Në fakt, nuk është biblik, në një
vend ku shenjtorin e bën Berisha me
ndihmën e mediave që bëjnë punën e
djallit. Ai është vetë engjëlli, që pasi ka
vjedhur të drejtën elementare të qytetarëve
për të votuar dhe zgjedhur, u jep të
drejtën homoseksualëve për t‘u martuar.
Media sot duhet të përpiqet të gjejë
një fjalë tjetër për Ramën. Ndoshtandoshta,
"apokaliptik" do ishte më e
përshtatshme, sepse do t‘i afrohej më
shumë efektit që e reja sjell me vete për
këtë lloj gazetarie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›