E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Gjobat", FMN mbështet Kushtetuesen

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e nenit që detyronte biznesin të paguante gjobat dhe interesat para apelimit në gjykatë. Shefi i misionit të FMN-së, Geriwn Bell, gjatë takimit me dyer të mbyllura, zhvilluar dje në Komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat, ka komentuar vendimin e Kushtetueses, duke deklaruar se "një vendim i tillë pritej për aq kohë sa cenonte të drejtën e biznesit për t‘u ankimuar". Pa dashur të bënte rolin e ekspertit, duke qenë se misioni mbulonte çështjet mbi buxhetin, Bell tha se "FMN e kishte kundërshtuar më parë projektligjin e qeverisë "Për procedurat tatimore", në pikën ku flitej për parapagimin e gjobës në masën 15 për qind, përfshi interesin. Por shqetësimi i vërtetë për FMN kësaj here mbetet klima me biznesin, që sipas Bell duket e acaruar. "Klima pozitive e biznesit në vendin tuaj është një faktor kyç në aspektin e konkurrueshmërisë tek investimet e huaja. Me sa kuptoj, raporti qeveri-biznes nuk duket dhe aq pozitiv, e për këtë duhet të kihet kujdes", mësohet të ketë thënë shefi i misionit të FMN-së para anëtarëve të Komisionit të Ekonomisë, ku nuk mungonin dhe deputetë të opozitës. Tashmë me shfuqizimin e nenit 107 në ligjin e procedurave tatimore, qeverisë i mbetet të ndryshojë të gjitha aktet nënligjore që lidhen me të, duke e lënë biznesin të veprojë si më parë. Kështu, me ndryshimet në ligj, subjektet private kanë të drejtë të ankimojnë vendimin e tatimorëve pa qenë nevoja të paguajnë gjobën dhe interesin, duke përjashtuar detyrimin tatimor, i cili do paguhet në fillim të procesit të apelimin që në shkallën e parë. Misioni i FMN-së, kryesuar nga Geriwn Bell, ndodhet prej disa ditësh në vendin tonë për rishikimin e 5 të marrëveshjes rreth rezultateve të arritura në fusha të ndryshme. Bell në ditët e fundit ka takuar Kryeministrin e vendit dhe ministrin e Financave, ndërsa zyrtarë të misionit kanë shkëmbyer takime me drejtues të Tatim-Taksave dhe Entit Rregullator të Energjisë elektrike.

Misioni

Edhe pse takimi është zhvilluar me dyer të mbyllura, gazeta ka mundur të zbardhë disa nga detajet rreth diskutimit të mbajtur mes FMN-së dhe anëtarëve të Komisionit të Ekonomisë. Njëra nga pikat kyçe, ku FMN shprehu rezervat duke kritikuar qeverinë, ishte rritja deri në dyfishim i deficitit buxhetor. Bell e ka cilësuar tepër të lartë normën e deficitit prej 7,9 për qind, nisur nga marrëveshja trevjeçare me qeverinë për ta mbajtur nën kontroll me rreth 4 për qind. Për vitin 2008, qeveria ka rritur nivelin e borxhit 4,9 për qind më shumë sa lejohej, duke alarmuar Fondin Monetar Ndërkombëtar. Rritja e deficitit buxhetor, sipas Bell, ka ardhur si pasojë e përdorimit në maksimum të fondeve hua të lejuara nga FMN. Në rritjen e deficitit buxhetor ka ndikuar ndjeshëm kredia prej 230 milionë euro për financimin e rrugës Rrëshen-Kalimash. Po dje, Presidenti Bamir Topi, ka dekretuar marrëveshjen financiare, mes qeverisë dhe dy bankave greke, duke i hapur dritën jeshile marrjes së kredisë. Sipas marrëveshjes trevjeçare, qeveria duhet të përdorte brenda kësaj periudhe normën e lejuar prej 600 milionë eurosh, por brenda një viti ka përdorur rreth 400 milionë euro, duke ndikuar ndjeshëm në rritjen e borxhit. Mësohet se Bell ka shprehur shqetësimin për rritjen e deficitit, duke shpresuar për një ulje të tij deri në fund të vitit. FMN do të rishikojë programin me qeverinë në janarin e vitit që vjen, ku ndër pikat kryesore të raportit përfundimtar do të jenë rezultatet e arritura në parametrat buxhetorë, gjë për të cilat nuk janë arritur.

Inflacioni

"Në nivele të larta, por asgjë për t‘u shqetësuar. Shpresojmë që norma prej 4,6 për qind të mos rritet më tej. Çmimet? Proces i konjekturave"

Kritikat

KESH

Rezultatet duken pozitive, por jo aq për meritë të administrimit nga ana e KESH, sesa nga rritja e çmimit të energjisë elektrike dhe përmirësimit të kushteve klimaterike. Kërkohet një rritje e mëtejshme e çmimit të dritave

Bankat

Problem serioz për sistemim bankar mbetet norma e lartë e kreditimit pa kolateral (garanci), duke rritur ndjeshëm rrezikun e sigurisë në sistem. Për këtë fakt, mbështesim dhe shqetësimin e Bankës së Shqipërisë. Bankat duhet të ulin koston e shërbimit

Deklarata

Deputeti Shpëtim Idrizi mbështet vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ligjin e gjobave

"Qeveria t‘i kthejë biznesit paratë e mbledhura nga neni famëkeq"

Socialistët i kërkuan dje qeverisë t‘u kthejë bizneseve shumat e marra nga zbatimi i nenit antikushtetues të ligjit të gjobave. Deputeti Shpëtim Idrizi vlerësoi Gjykatën Kushtetuese për rrëzimin e nenit famëkeq të gjobave si shkelje të Kushtetutës. "Ku parapagimi i gjobës në masën e 15%, në momentin e apelimit në sistemin gjyqësor, shkel parimin e ‘prezumimit‘ të pafajësisë", theksoi Idrizi. Në këtë mënyrë, shtoi ai, biznesi duhet të paguante përveç detyrimit tatimor të pretenduar dhe gjobën, megjithëse ai akoma nuk kishte një vendim nga sistemi gjyqësor.

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste vlerësoi dhe mbështeti iniciativën e shoqatave të biznesit në mbrojtje të parimeve të ekonomisë së tregut dhe antikushtetutshmërisë së nenit famëkeq të gjobave, në ligjin e procedurave tatimore. "Ky nen, sa famëkeq dhe qesharak, u votua me votat e kësaj mazhorance, në vazhdën e vendimeve të tjera antiligjore, që bien ndesh me parimet e fiskalitetit dhe që cenojnë hapur lirinë e tregut dhe të sipërmarrjes së lirë", vlerësoi Idrizi. Ai kujtoi vendimet antiligjore të pagave referuese, të çmimeve referuese apo aplikimin diskriminues të taksës së sheshtë. Ndërsa argumentoi se neni 107 famëkeq i gjobave, i rrëzuar tashmë nga Gjykata Kushtetuese, kishte një qëllim të vetëm, të rriste arbitraritetin fiskal të një administrate totalisht të paftë dhe militante "duke vështirësuar apo i hequr mundësinë biznesit të apelonte kontrollet dhe vlerësimet tatimore të kontestuara", u shpreh Idrizi. Ai vuri theksin te fakti se Grupi parlamentar i Partisë Socialiste e kundërshtoi miratimin e këtij neni, si në Komisionin e Ekonomisë, ashtu edhe në seancë plenare, duke deklaruar jo vetëm antikushtetutshmërinë e tij, por dhe abrogimin pas zgjedhjeve të vitit 2009. Sipas Idrizit, neni ka nevojë vendosjen e garancive monetare dhe pasurore në rastet e apelimit të vlerësimit tatimor. "Po kaq i rëndësishme për neutralitetin e administrimit tatimor është edhe krijimi i gjykatave administrative", tha Idrizi. Partia më e madhe e opozitës është kundër aplikimit të metodave etatiste-komuniste, që i përcaktojnë biznesit xhiron, kostot, referencat, rentabilitetin, numrin e punëtorëve, çmimet e shitjes dhe blerjes, pagat etj. Idrizi tha se, edhe ligji i ri i Procedurave Tatimore duhet të mos përfundojë si ligj antikushtetues, apo të abrogohet nga Partia Socialiste pas zgjedhjeve të vitit 2009.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›