E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skaner e vizita falas, për duhanpirësit mbi 50 vjeç

 

Një gamë e gjerë analizash për të gjithë duhanpirësit mbi moshën 50 vjeç. Gjithçka do të ofrohet falas nga Spitali Amerikan në Tiranë. Është një paketë ekzaminimesh që vlerën reale e ka 400 euro, por qytetarët që do të bëhen pjesë e fushatës nuk do të paguajnë asgjë. Kjo për të gjithë muajin dhjetor. Pikërisht incidenca e lartë e sëmundjeve të mushkërive ndër personat duhanpirës dhe dëmet serioze, që shkakton konsumimi i duhanit kane qenë shtysa që Spitali Amerikan i Tiranës ka nisur misionin e tij sensibilizues. Kjo fushatë do të ndiqet nga të tjera për t'u ardhur në ndihmë të grupeve të ndryshme të pacientëve, t'i kushtojë rëndësi të veçantë kontrollit pneumologjik-kardiologjik falas për gjithë duhanpirësit mbi 50 vjeç. Grupi i mjekëve pneumologë dhe kardiologë pranë këtij spitali kanë hartuar një paketë ekzaminimesh që mund të konsiderohet një check up pneumo-kardiologjik përfshin, vizitë nga mjeku pneumolog dhe ai kardiolog, EKG dhe Spirometri (mat kapacitetin e pulmoneve), skaner i mushkërive dhe i zemrës, konsultë vlerësuese e përfundimeve të ekzaminimeve. Mjekja radiologe e këtij spitali,  Iris Allajbeu shpjegon se përdorimi i tomografisë së kompjuterizuar multidetektorë (skaneri-MDCT) është mënyra më e mirë për të kapur kancerin e mushkërisë në faza të hershme. "Procedura është e shkurtër, rreth 20 sekonda. Me një kompjuter të zhvilluar mund të formohen pamje me tre dimensione dhe me matjet e detajuara merren të dhëna për zona të dyshimta të mushkërisë. Me këtë metodë është e mundur të diagnostikohet kanceri i hershëm i mushkërisë në 3% të personave mbi 40 vjeç që pinë 1 paketë në ditë për më shumë se 10 vjet", sqaron Allajbeu. Duke pasur aparaturën më të avancuar të skanerit në vend, CT me 64 detektorë, Spitali Amerikan ka zgjedhur që në këtë fundvit të sensibilizojë pacientët e tij duhanpirës për dëmet e duhanit dhe t'u ofrojë atyre që dëshirojnë edhe një program të detajuar për lënien e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›