E Diel, 1 Nëntor 2026

-Z.Nano viziton panairin "Konsumoni produktet shqiptare"- Gjatë vizitës në Sarandë, Kryeministri Fatos Nano mori pjesë në seminarin "Bujqësia shqiptare në rrugën e integrimit", or

-Z.Nano viziton panairin "Konsumoni produktet shqiptare"-

Gjatë vizitës në Sarandë, Kryeministri Fatos Nano mori pjesë në seminarin "Bujqësia shqiptare në rrugën e integrimit", organizuar nga ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit. Në këtë kuadër, z.Nano mori pjesë në hapjen e panairit "Konsumoni produktet shqiptare", ku u njoh me prodhimet vendase të paraqitura në këtë panair nga një numër i madh firmash, fermerësh dhe sipërmarrësisht shqiptar në fushën e agrobiznesit nga të gjitha zonat e vendit, si dhe u interesua për ecurinë e aktivitetit të sipërmarrjes prodhuese vendase, duke i garantuar për vëmendjen dhe mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë për zhvillimin e këtij sektori. Më pas, z.Nano ishte i pranishëm në përurimin e fabrikës së prodhimit të verës në Sarandë, një investim modern dhe me teknologji bashkohore i financuar nga qeveria japoneze(500 mije euro) nëpërmjet projektit 2KR. Në këto aktivitete, z.Nano shoqërohej nga ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit, Agron Duka, ministri i Ekonomisë, Anastas Angjeli dhe autoritete të pushtetit vendor.

Në seminarin "Bujqësia shqiptare në rrugën e integrimit", z.Nano mbajti këtë fjalë:

"E zhvillojmë këtë aktivitet mbi "Bujqësinë shqiptare në rrugën e integrimit europian" pikërisht në vitin që përmbyll procesin e tranzicionit në këtë sektor bazë të ekonomisë dhe nis fazën e fundit të ristrukturimit të thellë sipas standarteve në botën moderne ku po integrohemi. Këtë vit nis zbatimi i strategjisë Kombëtare të Zhvillimit Rural, e cila do të ndërthurë rritjen e qëndrueshme të prodhimit bujqësor me rritjen e shpejtë të mirëqënies së familjeve dhe individëve në fshat. Për të kuptuar atë transformim që kemi programuar sëbashku me BE dhe partnerët e tjerë ndërkombëtar të Shqipërisë në fushën e bujqësisë mjafton t'ju bëj me dije se rreth 70% e reformave që vendi po ndërmerr për integrim europian i takojnë bujqësisë, ushqimit dhe mjedisit. Në këtë mënyrë procesi i integrimit europian i jep prioritet sektorit agrar dhe zonave rurale, me ndikim direkt në më shumë se gjysmën e popullsisë.

Ka pasur një debat të gjërë publik kur Qeveria mori vendimin për hapjen e bujqësisë shqiptare në tregun rajonal nëpërmjet nënshkrimit dhe zbatimit të Marrëveshjeve të Tregtisë së Lirë. Partizanët e zhvilimit të bujqësisë nëpërmjet politikave proteksioniste e kritikuan ashpër Qeverinë duke e akuzuar se do sillte rrënimin e prodhuesve vendas. Debati me i zhurmshëm ka qenë ai për duhanin. Sot, pas vënies në funksion 8 Marrëveshje të Tregtisë së Lirë me vendet e rajonit rezultatet janë të jashtëzakonshme. Janë ulur importet, janë rritur 3 herë eksportet, janë ulur çmimet e produkteve në treg, është rritur cilësia e tyre. Meqenëse citova duhanin, prodhimi i tij në vitet e fundit pothuajse është dyfishuar. Këto arritje janë provë e qartë e kapaciteteve gjithnjë në rritje të ekonomisë dhe veçanërisht bujqësisë shqiptare për t'u integruar në tregjet rajonale e globale. Vetëm për shkak të Marrëveshjeve të Tregtisë së Lirë ekonomia jonë është bërë pjesë e një tregu rajonal të lirë nga barrierat administrative e financiare me rreth 50 milion konsumatorë dhe qindra mijëra sipërmarrje. Këto marrëveshje i paraprijnë lëvizjes së lirë të mallrave me BE nëpërmjet adaptimit të normativave komunitare. Ky transformim është mbështetur maksimalisht nga ana e Qeverisë me financime dhe projekte të posaçme. Për vitin 2004 sipërfaqet e tokës bujqësore nën ujë arritën në 120 mijë ha, nga 80 mijë që ishin në vitin 2001. Kosto e ndërtimit dhe rehabilitimit të sistemeve të ujitjes dhe kullimit, e financuar nga partnerët ndërkombëtar, është 100 milion USD. Ndërsa angazhimi për financime të reja nga donatorët në fushën e ujitjes është 110 milion USD të tjera. Ka arritur në 700 numri i traktorëve të rinj dhe 1200 numri i agregatëve të mekanikës bujqësore. Qeveria po nxit projektin e dhënies së traktorëve me qera (leasing) për fermat në zhvillim, duke bërë gati një kontigjent prej 700 unitetesh që do të thotë dyfishim i parkut të mekanikës brenda një periudhe të shkurtër.

Do doja të ritheksoja edhe një herë vlerën e subvencionimit nga ana e qeverisë e akcizës së karburanteve për bujqësinë që po rezulton efektiv dhe i suksesshëm në katër zonat pilot, duke mundësuar që nga kjo masë të përfitojnë të gjithë fermerët në të gjithë vendin.

Me gjithë progresin e bërë, eksportet e produkteve bujqësore janë baraz me vetëm 10% të volumit të importeve. Ky tregues është njëkohësisht edhe një objektiv për t'u përmirësuar deri në përmbysje të raportit në favor të eksporteve. Unë jam i bindur në arritjen e këtij objektivi, duke patur parasysh potencialet dhe përvojën e fituar dhe investimet e kryera tashmë nga fermerët shqiptarë, nga qeveria dhe partnerët ndërkombëtarë. Por gjithashtu duhet që dikasteri i Bujqësisë dhe ushqimit në veçanti të evidentojnë deri në detaje gjendjen e të gjithë bujqësisë dhe blegtorisë, të agroindustrisë dhe të peshkimit, të nxjerrë konkluzione krahasuese me tregun rajonal dhe atë europian dhe të negociojë mbi përvojën tashmë të arrirë të anëtarësimit me OBT, marrëveshjet e Tregtisë së Lirë me BE dhe me rajonin.

Sipas MSA brenda një periudhe 5 vjeçare rreth 80% e importeve të produkteve bujqësore që mbërrijnë në Shqipëri nga BE do të jenë pa taksa doganore. Për vitin 2005 apo 2006 mund të bëjmë ndonjë politikë proteksioniste për produkte të vecanta. Pas 5 vjetësh do jenë të mbrojtura me barriera doganore vetëm një pjesë shumë e vogël e produkteve bujqësore shqiptare. Për këto arsye sfiduese dhe motivuese dikastereve të Bujqësisë dhe Ekonomisë u del detyrë të përcaktojë pa vonesë listën e produkteve që do të importohen nga BE me taksë doganore, për t'i mundësuar sipërmarrjes orientimin mes kultivimit apo prodhimit të produkteve të mbrojtura dhe atyre të pambrojtura. Gjithashtu dikasteri i bujqësisë duhet të përgatisë fermerët shqiptarë për efektet që do të ketë në tregun tonë futja e produkteve bujqësore europiane pa taksa doganore, si dhe mundësitë e fermerëve shqiptarë për të dalë në tregjet europiane gjiathshtu pa taksa doganore.

Integrimi rajonal dhe europian i vendit dhe në mënyrtë të vecantë i bujqësisë duhen parë vetëm në funksion të rritjes së të ardhurave dhe të mirëqënies për zonën rurale. Ritheksoj se në zonat rurale banojnë dhe punojnë më shumë se gjysma e popullsisë së vendit ndaj dhe vëmendja e qeverisë do të mbetet e lartë deri në shrrënjosjen e plotë të varfërisë dhe rritjes së standarteve të jetesës.

Qeveria ka arritur në përfundimin se efeçenca e masave për përparimin ekonomik e social të fshatit është e pamjaftueshme për shkak se shumica e ndërhyrjeve mbështetet në prioritete të ngushta sektoriale dhe ato janë shpesh të veçuara nga njëra tjetra. Mënyra e deritanishme e programimit dhe zbatimit të zhvillimit rural bie ndesh me përvojën dhe konceptin bashkëkohor të zhvillimit rural, i cili në dhjetëvjeçarin e fundit është promotori i politikave financuese të BE, që synojnë rritjen e cilësisë së jetës në fshat. Samitet e tokës, të mjedisit dhe ushqimit të mbajtura gjatë këtij dhjetëvjeçari, si dhe marrëveshjet dhe deklaratat e shumta që kanë dalë nga forumet ndërkombëtare kanë vënë në lëvizje një proces dinamik për zhvillimin rural. Për t'i bërë objektivat dhe masat tona plotësisht koherente me këtë proces, qeveria po orienton për zbatim Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit Rural, i cili duhet kolauduar deri në nisjen e tij të plotë në të gjithë vendin në vitin 2006.

Në këtë funksion ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit merr një rol të veçantë, sepse menaxhon sekretariatin teknik të Komitetit Ndërministror për Zhvillimin Rural që po harton platformën kombëtare afatmesme për zhvillimin rural dhe integrimin ndërsektorial të investimeve në shërbim të këtij zhvillimi. Ndërmjet këtyre masave të integruara, Qeveria synon në përmirësime të shpejta të nivelit të jetesës në fshat, me ndërhyrje të përqendruara afatshkurtra për përmirësimin e shërbimeve dhe infratsrukturës për të rritur aftësinë konkuruese të prodhimit tonë bujqësor e blegtoral, nxit zgjerimin e shpejtë të agroindustrisë dhe përmirëson aksesin e prodhimeve në treg.

Zhvillimi i shpejtë dhe integrimi europian i bujqësisë sonë kërkon dhe një ristrukturim të dikasterit dhe institucioneve apo enteve të vartësisë, për t'ju përgjigjur më mirë nevojave dhe sfdave me të cilat përballen fermerët shqiptarë. Objektivi i kësaj qeverie në fushën e bujqësisë ka qenë ndarja e prodhuesit nga shpërndarësi dhe shitësi. Stadi ku kemi arritur në zhvillimin agrar si dhe sfida për integrimin rajonal dhe europian nuk përballohen vetëm duke ndërtuar kanale ujitje apo drenazhime, aq më pak me ndërtime tregjesh pa marketing. Pavarësisht kostos, Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit duhet të jetë në dispozcion të çdo fermeri për ta asistuar, pavarësisht në cilën komunë apo krahinë ndodhet, në mënyrë që të reduktohen kostot e tepërta apo të ulen për shkak të transferimit të disa funksioneve tradicionale si transporti dhe shitja në sipërmarrje të tjera.

Vetëm mbi koncepte dhe përvoja të suksesshme bashkohore, vetëm mbi harmonizimin e interesave të fermerëve me Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit Rural dhe të MSA me BE ne do të kemi mundësi që brenda 8 viteve të ardhshme ta vendosim plotësisht bujqësinë dhe fshatin shqiptar në standarte tërësisht europiane. Unë kam besim tek aftësitë dhe përkushtimi juaj.

Punë të mbarë!"

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›