E Diel, 1 Nëntor 2026

Zaganjori-Cannon: Përpjekje maksimale për forcimin e pushtetit gjyqësor

TIRANE -Kryetari i Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, Xhezair Zaganjori, zhvilloi sot një takim me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, z. Nicholas Cannon OBE, dhe zv/ambasadorin Stephen Hickling.

Z. Zaganjori e falenderoi ambasadorin Cannon për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme që qeveria e Britanisë së Madhe i ka dhënë gjatë viteve të fundit drejtësisë shqiptare, me anë të projekteve dhe asistencës konkrete në këtë fushë.

Gjatë takimit Kryetari i Gjykatës së Lartë theksoi se do të vazhdojë bashkëpunimin e nisur, së bashku me koleget, duke bërë përpjekjet maksimale në kuadër të forcimit të pushtetit gjyqësor. Shteti i së drejtës dhe konsolidimi i tij kërkon mbi të gjitha forcimin e institucioneve dhe pavarësinë e tyre, por në të njëjtën kohë edhe ndryshim të mentalitetit, tha Zaganjori.

Kryetari i Gjykatës së Lartë iu drejtua ambasadorit Cannon me vlerësime mbi punën e bërë gjatë këtyre viteve nga ana e Slynn Foundation, duke nënvizuar si shumë të rëndësishëm faktin se ekspertët britanikë, pavarësisht përvojës së gjatë disa vjeçare në fushën e drejtësisë, nuk kanë ngurruar të bashkëpunojnë me homologët e tyre shqiptarë duke marrë mendime të nevojshme për të ndihmuar sistemin e drejtësisë dhe gjyqësorit. Kryetari Zaganjori e ka quajtur privilegj bashkëpunimin me ekspertët britanikë, në mënyrë që të përvetësohet prej tyre praktika më e mirë që duhet ndjekur, mbi administrimin e dosjeve gjyqësore në Gjykatën e Lartë dhe rritjes së cilësisë së vendimeve gjyqësore. Rritja e transparencës dhe nxitja e një debati pozitiv, sipas Kryetarit të Gjykatës së Lartë, është e nevojshme për ta sjellë gjyqësorin sa më pranë publikut, duke rritur besimin ndaj tij.

Z. Cannon shprehu konsideratat e tij më të larta për Gjykatën e Lartë të Shqipërisë, duke vlerësuar rëndësinë e këtij institucioni si dhe detyrën e rëndësishme e anëtarëve të kësaj gjykate. Ai parashtroi përpara Kryetarit të Gjykatës së Lartë tre prioritet bazë të qeverisë britanike kundrejt shtetit shqiptar, ku në fokus është forcimi dhe konsolidimi i shtetit të së drejtës. Ambasadori Britanik vlerësoi faktin se ka pasur progres në këtë fushë, por në të njëjtën kohë edhe momente ngadalësimi të reformave. "Për këtë ne jemi të angazhuar që të ofrojmë asistencën tonë në mënyrë që këtyre reformave ti jepet shtysa e nevojshme për të ecur përpara. Slynn Foundation, është tashmë një vlerë për Shqipërinë, pasi ekspertët britanikë kanë shpenzuar shumë vite në Shqipëri, duke kuptuar sistemin dhe problematikat, në mënyrë që të gjejnë zgjidhjet më të mira dhe funksionale për Shqipërinë", tha ambasadori britanik.

Sipas tij, disa nga problemet me të cilat përballet sot Gjykata e Lartë, ku ka mbingarkesë çështjesh të regjistruara e dosjesh të mbartura, kanë ndodhur edhe në Gjykatën e Lartë të Britanisë së Madhe. Shkëmbimi dhe ndarja e praktikave për të gjetur zgjidhjen e duhur do të ishte në interesin e organizimit dhe funksionimit normal të gjykatës.

Në fund të takimit Kryetari i Gjykatës së Lartë dhe Ambasadori Britanik, u angazhuan për ta çuar përpara bashkëpunimin, duke parë si mundësi të kësaj edhe një vizitë zyrtare pranë Gjykatës së Lartë në Mbretërinë e Bashkuar.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›