Eagle Mobile: Flisni me gjithë botën me 45 lekë për minutë!
Nuk kanë të sosur surprizat e Eagle Mobile në këtë fundvit. Kompania më e re e telefonisë celulare në Shqipëri, ka lançuar së fundi ofertën më të re për thirrjet ndërkombëtare. Të gjitha abonentët e Eagle (me parapagesë standarde, Riniring dhe Proring) do të mund të flasin në këto festa me vetëm 45 lekë në minutë kundrejt çdo numri jashtë Shqipërisë që nga Italia në Australi e Japoni, që nga Kosova në Shtetet e Bashkuara e Argjentinë. Kjo dhuratë me rastin e festave, do të zgjatë deri më 15 janar 2009 dhe vjen si një falënderim për qytetarët shqiptarë pas arritjes së abonentit të 200 mijtë. Kjo është tarifa më e lirë që është parë ndonjëherë në tregun shqiptar të telekomunikacionit dhe u jep mundësinë më se 2.5 milionë shqiptarëve, të komunikojnë me të afërmit, miqtë dhe të dashurit e tyre që jetojnë e punojnë si brenda kontinentit ashtu edhe jashtë tij. Kështu Eagle, me sloganin “Mos numëroni minutat, por të dashurit tuaj në botë që doni t’i uroni” u jep të gjithë abonentëve Eagle dhe të gjithë atyre që do të anëtarësohen në këtë familje mundësinë për të folur më gjatë, për t’u çmallur dhe uruar festat e fundvitit të gjithë atyre që janë larg vatrës familjare. Eagle Mobile e sheh këtë si një detyrim ndaj shoqërisë shqiptare, e cila numëron më se 1.5 milionë pjesëtarë të saj që me mund e me djersë punojnë larg vendit të tyre për një jetë më të mirë. Me këtë mundësi, tashmë do thyhet tradita e thirrjeve telefonike që shqiptarët kanë pritur nga jashtë, pasi do të jenë ata të parët që do t’u telefonojnë të dashurve të tyre në çdo shtet të botës. Vetëm pak ditë më parë Eagle Mobile ka shënuar suksesin e radhës duke regjistruar abonentin e 200 000-të. Abonenti me fat 21-vjeçar z. Altin Shehaj nga qyteti i Vlorës, fitoi kështu një Eagle USB Modem dhe një vit abonim falas në internet. Ky sukses vjen në një kohë rekord, kur Eagle Mobile ka vetëm 9 muaj në tregun shqiptar të telekomunikacioneve falë punës së kompanisë dhe interesit në rritje të qytetarëve shqiptarë. “Kam kënaqësinë t’u shpreh se Eagle sot (23 dhjetor 2009) shënon 220 mijë abonentë, një shifër tërësisht tej pritshmërisë sonë, që na bën më të vendosur për të punuar me përkushtim e devotshmëri, për t’u sjellë abonentëve tanë dhe gjithë shoqërisë shqiptare shërbimet më të mira dhe cilësore, çmimet më të arsyeshme dhe ofertat më tërheqëse”, - tha drejtori i përgjithshëm i Eagle Mobile, Ali Taskin, në një prononcim për gazetarët.