E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zaneti: Ishte penalltia ime e parë!

Interi

Mbase jo të gjithë e dinë, por ishte penalltia ime e parë që kam gjuajtur ndonjëherë Havier Zaneti rrëfeu se ai që i dhuroi të dielën në mbrëmje Superkupën Italiane Interit ishte penalltia e tij e parë në karrierë. "Më vjen mirë që shënova 11-metërshin vendimtar. E ndjeva shumë peshën e përgjegjësisë në ato çaste. Mbase jo të gjithë e dinë, por ishte penalltia e parë që kam gjuajtur ndonjëherë. Për fat të mirë, ajo përfundoi në rrjetë dhe na bëri të fitojmë Superkupën, që është e treta në sezonet e fundit," - tha kapiteni 35-vjeçar zikaltër. Ai ishte i bindur për legjitimitetin e fitores ndaj Romës, e cila mbërriti me 11-metërsha, pas barazimit 2-2 në fushë. "E meritonim, sepse ishim ne ata që treguam gjërat më të mira, - shpjegoi argjentinasi. - E nisëm shumë mirë sezonin. Ndihem tepër i kënaqur, - shtoi Zaneti, - sepse është diçka fantastike ta hapësh në këtë mënyrë një sezon. Eshtë tepër bukur dhe e drejtë për Interin, i cili luajti shkëlqyer." Kapiteni zikaltër vuri në dukje edhe meritat e kundërshtarëve. "Roma u tregua e zonja që nuk u dorëzua për asnjë çast dhe kontribuoi në spektaklin e përgjithshëm të ndeshjes, por ne, - vijoi ai, - jemi një skuadër që qëndroi gjithnjë kompakte. Nuk e humbëm në asnjë moment kontrollin e ndeshjes, as në çastet e shkurtra të vështirësive. Pavarësisht nga lodhja, që është e pashmangshme në këtë fazë të sezonit, shfaqëm një nivel të lartë. Dhe në fund festuam me shumë meritë. Të festosh përpara publikut tënd është gjithnjë diçka e këndshme. I falënderojmë tifozët, të cilët fituan sërish bashkë me ne."

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›