Zanier: Administrata e OKB-së ende e nevojshme në Kosovë
Ai tha se Prishtina dhe Beogradi mund të bisedojnë për çështje teknike dhe këto biseda mund të zgjidhin problemet ndërmjet komuniteteve.
“Unë mendoj se administrata e Kombeve të Bashkuara është ende e nevojshme në Kosovë. Ky mision mund të ndihmojë në lehtësimin e raporteve ndërmjet komuniteteve dhe mund të ndihmojë Kosovën të lidhet me shtetet dhe organizatat ndërkombëtare, që nuk e njohin pavarësinë e saj”, ka thënë Zanier në një intervistë për Radion Deutsche Welle.
UNMIK-u, sipas tij, mund të ndihmojë edhe në çështje shumë praktike. “Marr shembull studentët shqiptarë që kanë studiuar këtu dhe dëshirojnë ta vazhdojnë shkollimin në shtete që nuk e kanë njohur pavarësinë apo të studiojnë në Serbi. Ata mund të marrin vula nga UNMIK-u në dokumentet e tyre që ato të pranohen nga këto vende”, tha ai.
Zanier në këtë intervistë ka folur edhe për raportet e tij tremujore në Këshillin e Sigurimit të OKB-së lidhur me zhvillimet në Kosovë. Sa i përket raportit që do ta paraqesë më 22 janar, Zanier ka thënë se, raporti i tij bën fjalë për zhvillimet në Kosovë në tre muajt e fundit.
“Raporti aktual do të përfshijë zgjedhjet lokale të Kosovës, që u zhvilluan në muajin nëntor, zhvillimet politike si ato në nivelin qendror ashtu edhe lokal dhe për këtë vlerësimi im është që ka pasur progres nga të gjithë mekanizmat, në kompetencat që ato kanë. Pra, është shënuar progres, ka qenë një situatë e qëndrueshme dhe nuk ka pasur kriza të mëdha. Por, unë them se është i nevojshëm që dialogu ndërmjet komuniteteve të vazhdojë”, është shprehur Zanier.
Zanier po ashtu ka bërë të ditur se ai gjithmonë ka konsultime me udhëheqësit politik kosovarë. /Telegrafi/