Meta: Rama ofron Kirgistanin
Aristir Lumezi
Kreu i LSI Ilir Meta akuzoi Edi Ramën se kërkon të destabilizojë vendin. LSI mblodhi dje Komitetin Drejtues Kombëtar ku u diskutua për situatën politike që po kalon vendi, organizimin e LSI-së në kuadër të përballimit të sfidave të ardhshme, si dhe rolin i LSI-së në proceset integruese të vendit dhe në qeverisje. Gjatë takimit përfaqësuesit e LSI-së në Qeveri, bënë një pasqyrë të punës së arritur deri më sot, pas tetë muajsh qeverisje si dhe prezantuan projektet për të ardhmen. Gjatë fjalës së tij në këtë mbledhje, Ilir Meta duke folur për situatën politike dhe pretendimet e opozitës për transparencë, e akuzoi atë se kërkon të sjellë në Shqipëri skenarë që rrezikojnë rendin. “Dihet që në Shqipëri sot ofrohet edhe një alternativë tjetër, që është alternativa, për fat të keq e shprehur nga vetë ata, e Kirgistanit. Pra e shtyrjes së Shqipërisë në shkretëtira politike, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me realitetin në të cilin ndodhet ky vend, si një vend anëtar i NATO-s për shkak të atij angazhimi dhe kontributi të jashtëzakonshëm të të gjithë shqiptarëve, por njëkohësisht edhe për atë stad në të cilin sot ndodhet Shqipëria tetë muaj pas krijimit të kësaj qeverie koalicioni”, u shpreh Meta. Sipas tij, opozita e sotme e udhëhequr nga PS, nuk po kontribuon në proceset e integrimit të vendit, madje mundohet t’i pengojë ato. “është paradoksale t’ju kujtoj se ditën që dorëzohet Pyetësori i KE me përgjigjet e tij në Bruksel, po atë ditë në Tiranë kryetari i partisë më të madhe të opozitës bën thirrje për mosbindje civile, bën thirrje për konfrontim civil, pikërisht për të dëmtuar dhe penguar përshpejtimin e procesit integrues në Evropë që është në interes të gjithë shqiptarëve përtej së majtës dhe përtej së djathtës”, tha gjatë fjalës së tij Meta. Ai i kërkoi socialistëve të kërkojnë çështjen e hapjes së kutive në gjykatën Kushtetuese. “Përsa i takon çështjes së kutive janë dy alternativa, një alternative është që t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, sepse ne jemi vend demokratik dhe është Gjykata Kushtetuese ajo që jep fjalën e fundit për çdo çështje që vë në diskutim problemet e gjyqësorit e pavarësisë së tij dhe ne kemi treguar që punojmë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese, por ka dhe një çështje tjetër që i verifikon kutitë, këto janë zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme vendore dhe askush nuk duhet të këtë frikë nga transparenca dhe nga rezultati i tyre”, u shpreh Meta
Zgjedhjet
Kreu i LSI-së u ndal në fjalën e tij para anëtarëve të KDK-së dhe në zgjedhjet e ardhshme për pushtetin vendor dhe përgatitjet e kësaj force për t’i fituar ato. “Zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme vendore, po trokasin dhe do të jenë një test shumë i rëndësishëm për forcën tonë politike. Por jo vetëm kaq, edhe një mundësi e shkëlqyer për të treguar rritjen e vlerësimit të qytetarëve shqiptarë për Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe jo vetëm të tregojmë se rezultati i LSI-së në 28 qershor për shkak të një kodi diskriminues vetëm ndaj saj nuk ka asnjë lidhje me realitetin elektoral që ekziston në Shqipëri dhe gjithashtu për të treguar se Lëvizja Socialiste për Integrim nuk u krijua për t’i shërbyer interesave të një grupi të caktuar, por është një forcë politike që hapi një rrugë të re dhe afatgjatë në Shqipëri me një investim gjatë këtyre viteve, por edhe gjatë kësaj periudhe në qeverisjen e vendit është në shërbim të zgjerimit dhe intensifikim të kësaj rruge të re për politikën shqiptare”, u shpreh Meta. Ai garantoi se LSI do të punojë për një reformë zgjedhore ndryshe nga ajo e zgjedhjeve të 28 qershorit. “Në këtë drejtim ne theksojmë rëndësinë e angazhimit të OSBE-ODIHR dhe do të punojnë për një reformë gjithëpërfshirëse”, u shpreh Meta.
Ndryshimet në LSI
Luan Rama Sekretar i Përgjithshëm
Petrit Vasili Nënkryetar
Ardit çela Sekretar për Marrëdhëniet me Publikun