Prifti: Rritje me 10% të pagave dhe pensioneve
Rrogat dhe pensionet do të rriten serish këtë vit deri në 10 për qind. Kështu deklaroi ministri i Ekonomisë Dritan Prifti gjatë mbledhjes së djeshme të Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së ku konfirmoi edhe masën e kësaj rritje ndërsa foli edhe për performancën e pritshme ekonomike të vendit tonë për vitin 2010.
“Ne do të rrisim rrogat dhe pensionet deri në nivelin 10 për qind. Nuk i shkon në mend asnjë nga vendeve rreth nesh, në qoftë se keni qenë të vëmendshëm, vendet rreth nesh i kanë ulur nga rreth 10-15 për qind rrogat dhe pensionet vitin e kaluar. Dhe për 2010 ne parashikojmë të kemi një rritje ekonomike prej 5 për qind, rritjen ekonomike më të lartë përsëri në Evropë, për këtë vit”, tha Dritan Prifti, ministër i METE-s. Prifti deklaroi më tej se Qeveria po përgatit një tjetër politikë për uljen e taksave ndaj biznesit duke filluar së pari me lehtësimin e barrës fiskale për arsimin. Prifti akuzoi socialistët se po mundohen të nxijnë çdo arritje të Qeverisë shqiptare, ndërsa tha se performanca e Qeverisë ishte nga më të suksesshmet në Evropë. “Gjatë vitit 2009 i vetmi vend që ka rritur rrogat dhe pensionet e administratës dhe pensionistëve të vet ka qenë Shqipëria. Kemi rritur 10% rrogat dhe 15% pensionet gjatë një viti krize të gjithanshme. I vetmi vend në Evropë i cili ka ulur 25% kontributin e punëdhënësit për sigurimet shoqërore, pra ka ulur taksat në vitin 2009 është përsëri Shqipëria dhe jo pak, por 25% një taksë të vetme. I vetmi vend në Evropë që ka pasur rritje të investimeve të huaja direkte, 59% kanë qenë rritjet gjatë vitit të kaluar në Shqipëri. Rëniet e importit kanë qenë vetëm 1%, ndërkohë kur BE-ja ka pasur 20% rëni importi, Turqia ka pasur 25% rënie të importit, Amerika ka pasur 20% rënie të importeve”, u shpreh Prifti.