Alarmi i partive të vogla: Vulat tona po falsifikohen
Padi në Gjykatën e Tiranës nga anëtarët e PESH-it.
Laureta Rryçi
Shpeshherë, vulat e partive të vogla janë “gjahu” më i mirë për falsifikatorët. Kështu që partitë e vogla, që shpeshherë etiketohen si parti fantazmë, shfrytëzohen më së miri nga persona me precedentë penalë. Një fakt i tillë është denoncuar nëpërmjet një padie vetëm pak ditë më parë në Gjykatën e Tiranës. Nëpërmjet kësaj padie, anëtarët e partisë PESH kërkojnë që nëpërmjet një vendimi të posaçëm, gjykata të ndalojë Haki Koltrakën që të mos abuzojë më me vulën e partisë. Ata kanë ngritur shqetësimin se ai po i keqpërdor ato për interesa për persona të dyshuar që paraqesin rrezikshmëri për shtetin tonë. Në të vërtetë mendohet se ky fenomen ka prekur të gjitha partitë e vogla, të cilat tentojnë të gjejnë mënyra jo të ligjshme për të siguruar fonde për mbijetesë. Padia tashmë i ka kaluar procedurat e para të shortit dhe pritet të shqyrtohet nga gjyqtarja Fida Osmani.
Padia
Disa anëtarë të një partie të vogël, gati-gati për shumëkënd prej nesh e panjohur, duket se kanë pasur të pamundur të durojnë situatën e krijuar në partinë e tyre. Ata kanë mësuar se dikush po abuzon me emrin e partisë së tyre, duke marrë me lehtësi disa lloje vizash në disa ambasada të ndryshme të vendit. Sipas tyre, vula është lëshuar për persona që përbëjnë rrezikshmëri jo vetëm për vendin tonë, por edhe për vendet europiane ku pretendohet se dhe janë larguar këta persona. Shqetësimi i tyre shkon edhe më tej duke thënë se vetëm një vendim gjykate mund t’i ndalojë tipa të tillë që shfrytëzojnë mundësitë që kanë nëpër përfaqësi diplomatike anëtarët e partive të vogla.
Partitë e reja
Sipas legjislacionit shqiptar, nuk është e vështirë të krijosh një parti të re. Nëse siguron 500 firma dhe nëse aspiratat e partisë nuk janë në kundërshtim me Kushtetutën apo me motive që kanë prejardhje nga terrorizmi, atëherë i drejtohesh gjykatës për ta regjistruar si subjekt juridik. Kjo mënyrë është ndjekur nga të gjitha partitë duke dalë si kërpudhat pas shiut, sidomos pak muaj para zgjedhjeve elektorale. Partitë e vogla vetëm dërgojnë disa anëtarë në gjykatë që pohojnë vërtetësinë e firmës së tyre dhe anëtarësinë në parti, më pas ato janë gati-gati të pakontrollueshme. Përfitojnë fonde sipas rastit nga KQZ-ja dhe kanë përfitime të tjera nëpër përfaqësi diplomatike.
Banda e Lushnjës
Dy dëshmitarë tregojnë për një nga pengmarrjet e bandës
Seanca e radhës për procesin ndaj bandës së Lushnjës vijoi dje me dy dëshmi dhe leximin e deklarimeve të një dëshmitari tjetër. Të thirrur nga prokuroria, dëshmitarët, që ishin dhe banorë të qytetit të Lushnjës, dhanë detaje të rëndësishme për një pengmarrje që pretendohet se është bërë me urdhër të kësaj bande. Në seancën e djeshme, i pari që nisi dëshminë e tij ishte Rasim Nexhi. Dëshmitari ishte thirrur për të dhënë detaje për pengmarrjen e djalit të tezes së tij, Mirko Gjerveni. Mirëpo pas deklaratave të para që ai dha dje, prokurori i çështjes i kujtoi se po devijonte me thëniet, kështu që me leje të gjykatës lexoi deklarimet e dhëna në prokurori. Ai është shprehur se një ditë ka parë Mirkon duke vrapuar dhe e ka pyetur përse po vraponte. Përgjigjja ka qenë se po e ndiqnin disa persona, të cilët donin ta merrnin peng. Mirko, ka shpjeguar dëshmitari, i ka treguar me gisht Ilir Stërgun, i cili qëndronte i ulur në një lokal. Më tej dëshmitari ka thënë se i ka treguar Mirkos të shkonte në shtëpi, pasi ai vetë do të pinte një kafe në lokal. ”Kur shkova në lokal kam parë një person të veshur me të errëta, i cili çalonte. Ishte larg meje rreth 200 metra kur takova Mirkon. Kur unë vajta te lokali, ky person u largua. Kur vajta në shtëpi Mirko më tregoi se donin ta merrnin peng për një gërvishtje makine”, - thuhet në deklarimet e Nexhit. Më tej seanca ka vijuar me dëshmitarin e dytë, Albert Çela. Nëpërmjet deklarimeve të tij prokuroria mësoi se Ilir Stërgu, së bashku me disa persona të tjerë, e kanë kërkuar për ditë me radhë Mirko Gjervenin. Dëshmitari i ka dhënë Mirkos mbesën e tij për grua. Çela është shprehur në gjykatë se Mirko kishte probleme me disa djem nga Bulqiza. ”Kam qenë një ditë në Plug, kur disa persona erdhën, më ndaluan dhe më pyetën për Mirkon. Unë i thashë se nuk është këtu por, do ta lajmëroja kur ta takoja. Ata djemtë më thanë se e njihnin Ilir Stërgun. Pak më vonë kishte ardhur një djalë, së bashku me Ilir Stërgun dhe e kishin ftuar për kafe. Iliri ishte prezantuar dhe i kishte thënë se shoku i tij kishte një problem me Mirkon”. Në fund, prokurori i çështjes lexoi deklarimet e një dëshmitari tjetër, Faslli Koreshi. Sipas deklarimeve të tij, rezultonte se kishte pasur probleme me Rexhep Ginën, një nga të pandehurit e kësaj bande. Gjithçka kishte të bënte me një kioskë që kishte pasur Korreshi, dhe Gina kërkonte t’ia shembte për të bërë dy kate ndërtesë për aktivitetet e tij. Koreshi nuk kishte pranuar dhe për rrjedhojë, për të dhe familjen e tij kishin nisur kërcënimet. Pa kaluar shumë kohë kioska e Koreshit ishte hedhur në erë. Sipas deklarimeve të tij, eksplozivi iu vendos nga Rexhep Gina dhe dikush tjetër që e shoqëronte atë natë.
Shërbimi i Provës dhe burgjet e reja ulin mbipopullim në burgje
Një ndër problemet kryesore të sistemit penitenciar ka qenë mbipopullimi në institucione. Sipas të dhënave statistikore të vitit 2008, mbipopullimi në IEVP ka qenë përafërsisht 900 persona. Në vitin 2009, rreth 540 persona, ndërsa në janar të 2010-s, 271 persona. Ulja e mbipopullimit në IEVP ka ardhur si rezultat i ngritjes së institucioneve të reja, ku gjatë viteve 2008-2009, me financim të Komisionit Europian dhe të qeverisë shqiptare janë hapur 4 institucione të reja. Me financim të Bashkimit Europian janë hapur tri institucione të reja penitenciare; Vlorë (kapaciteti 115 persona), Fushë-Krujë (kapaciteti 350 persona) dhe Korçë (kapaciteti 350 persona), me një vlerë totale prej 13.3 milionë euro. Me investim të qeverisë shqiptare është hapur paraburgimi i ri në Durrës (kapaciteti 245 persona), si dhe është rikonstruktuar Spitali i sëmurëve mendorë me mjekim të detyruar në territorin e ish-KFOR-it (kapaciteti 69 persona), ku vlera e plotë e objekteve është 157 621 000 lekë. Në tetor të vitit 2009 u hap Instituti i të Miturve në Kavajë, me financim të Komisionit Europian, me një vlerë prej 2.4 milionë eurosh. Ky institut shërben si qendër këshillimi dhe rehabilitimi për të miturit shqiptarë që për arsye të ndryshme ndodhen në institucionet penale. Kapacitetet akomoduese janë për 45 të mitur. Element tjetër i rëndësishëm që ka ndikuar në zbutjen e problemit të mbipopullimit ka qenë dhe miratimi i ndryshimeve të Kodit Penal dhe ligjit “Për ekzekutimin e vendimeve penale”, me synim vendosjen e Shërbimit të Provës.
Kushtetuesja rrëzon kërkesën e Ylli Kambos
Gjykata Kushtetuese ka refuzuar kërkesën e ish-bosit të piramidave në vitin 1997, Ylli Kambo. Sipas vendimit zyrtar të kësaj gjykate, kërkesa e tij nuk është pranuar as për shqyrtim paraprak për shkak se i mungonte objekti ligjor për të vënë në lëvizje këtë gjykatë. Ylli Kambo u arrestua në shkurt të vitit 2003 në Rumani dhe u ekstradua në Shqipëri një vit më parë. Gjykata e Shkallës së Parë e kishte dënuar me dhjetë vjet burg për veprën penale të "vjedhjes në shuma të mëdha me anë të mashtrimit". Më pas Kambo e ka apeluar çështjen në Gjykatën e Apelit, ku ai është rigjetur fajtor, por i është zbritur dënimi në 7 vjet heqje lirie. Firma piramidale "Kambo Marshall" ka pasur kulmin e aktivitetit të saj gjatë viteve 1996-1997, kryesisht në qytetin e Beratit. Pas përfundimit të procesit të auditit të firmave piramidale dhe procesit gjyqësor në ngarkim të presidentit të firmës, Ylli Kambo, rezultoi se kjo firmë kishte pasur 62 kreditorë, të cilëve u kishte marrë rreth 800 mijë dollarë. Në vitin 1999, duke ndier rrezikun e arrestimit, Ylli Kambo u largua nga Shqipëria dhe u shpall person në kërkim nga Drejtësia shqiptare.
29 Janar 2010