Pensionet, kategoritë që preken nga ndryshimet që sjell skema e re
Përfituesit aktualë të pensioneve nuk do të preken nga ndryshimet
Jonida Tashi
Përfituesit aktualë të pensioneve nuk do të preken nga skema e re e pensioneve që do të aplikohet për herë të parë në vendin tonë. Ky fakt konfirmohet nga specialistët e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, të cilët shprehen se askush nga pensionistët që përfitojnë aktualisht pension nuk do të cenohet nga kjo skemë e re. “Duke qenë se është parashikuar se do të jenë moshat e reja ato që do të futen në sistemin e ri për të përfituar pensione, atëherë asnjë prej pensionistëve aktualë nuk duhet të shqetësohet se mund t’u cenohen përfitimet e tyre”, - shprehen ekspertët pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Sipas tyre, çdo individ i punësuar apo edhe vetë punëdhënësi do ta zgjedhë vetë kompaninë private të pensionit dhe do ta përcaktojë vetë masën e kontributit që do të derdhë. Specialistët e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare shpjegojnë se këto kompani private do të jenë nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të Agjencisë së Mbikëqyrjes së Financave për të garantuar sigurinë e të ardhurave të tyre.
Përfitimet
Sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Financave, aplikimi i sistemeve të reja në skemën aktuale të pensioneve synon përmirësimin e marrëdhënieve financiare të të rinjve që do të përfshihen në to. Si pasojë e këtij projekti, pensionistët do të vazhdojnë të marrin pagesat mujore duke përfituar nga indeksimi vjetor, si dhe nga rritjet e ndryshme që vijnë si pasojë e politikave qeveritare. Në kuadër të këtij procesi, në vendin tonë, përveç skemës klasike të pensioneve, kanë filluar të aplikohen edhe skemat e pensioneve private. Aktualisht janë tri institucione që ofrojnë pensione suplementare për të gjithë ata persona që kanë derdhur kontribute në arkat e tyre. Këto skema, në krahasim me atë aktuale, ofrojnë së pari dalje në pension në moshë më të re nga sa është miratuar dhe kuota minimale që duhet të paguhet në skemat private të sigurimeve. Sipas kushteve të vendosura, që të përfitosh nga kjo skemë do të duhen 5 vjet që të marrësh pension minimal, ndërsa përsa i përket atij të plotë, nevojiten 35 vjet. Ndryshe nga skema shtetërore e pensioneve, në skemën e sigurimit privat, mosha e daljes në pension është 20 vjet më pak sesa mosha e daljes në pension shtetëror. Ndërkohë që, ndryshe nga skema shtetërore, sistemi privat të kthen 100 për qind kontributet e derdhura nëse përfituesi ndahet nga jeta. Atëherë pensionin vazhdon ta marrë një nga personat e autorizuar në nënshkrimin e kontratës.
Skema e re
Skema e pensioneve pritet të ndryshojë së shpejti. Ekspertët e Ministrisë së Financave dhe të Sigurimeve Shoqërore kanë përfunduar draftin e ri për ndryshimin e bazës së përfitimit për pensionet. Sipas këtij drafti, diferenca midis pensionit minimal dhe atij maksimal do të rritet me një pension minimal. Aktualisht, pensioni maksimal i pleqërisë përbëhet nga dy pensione minimale, por pas miratimit të draftit të ri, pagesës së këtij përfitimi do t’i shtohet edhe shuma e një pensioni minimal. Sipas kalkulimeve paraprake, rritja e shkallës së përfitimit nga dy pensione minimale në tre pensione minimale, do të prekë jo vetëm përfituesit më të rinj që do të bëhen pjesë e skemës së pensioneve, por edhe të gjithë pensionistët që janë midis dy ekstremeve të përfitimit: pensionit minimal dhe atij maksimal. Sipas ligjit të Sigurimeve Shoqërore, pensioni maksimal, me ligj, është sa dy pensione minimale, pavarësisht se sa para paguan për sigurimet shoqërore.
Ndryshimet
Ekspertët që janë marrë me hartimin e draftit të ri të pensioneve theksojnë se qeveria ka vendosur dhe po bën gati edhe ligjin për në Kuvend, për ta zëvendësuar me tri pensione minimale diferencën e pensionit maksimal. “Pensionet do të kenë disa objektiva specifike, sepse pensionet jo vetëm që do të rriten, ashtu siç është njoftuar në programin 4-vjeçar të qeverisë, por synohet që të shkohet drejt një ristrukturimi më të thellë, që do të thotë se do të fillojmë të thellojmë diferencën mes pensionit minimal dhe atij maksimal. Deri sot ne japim maksimumi dy pensione minimale. Me ndryshimet që kemi gati, ne mendojmë të japim 3 pensione minimale. Kjo është hera e parë dhe do të jetë një reformë e thellë në sistemin e pensioneve”,- theksojnë specialistët e Sigurimeve Shoqërore. Sipas ekspertëve në fushën e pensionit, kjo reformë do të jetë e thellë, sepse do t’i përfshijë të gjitha përfitimet. “Ne do të bëjmë një lidhje të fortë dhe më të drejtpërdrejtë midis kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe përfitimeve nga këto kontribute”,- sqarojnë specialistët. Përfundimisht, efektet e reformës së pensioneve do të mësohen pas saktësimit të vendimit të qeverisë, e cila do të japë verdiktin e fundit se si do të realizohet ajo dhe cilat do të jenë kategoritë që do të përfitojnë më shumë. Gjithsesi, ajo që dihet deri tani është fakti se rritja e shkallës së përfitimit nga dy pensione minimale në tre pensione minimale, do të përfshijë të gjithë pensionistët që janë midis dy ekstremeve të përfitimit.
Pensionet, si do të funksionojë sistemi trikolonësh
Përveç ndryshimit të bazës së përfitimit, që pritet të realizohet së shpejti, sërish skema e pensioneve në vendin tonë do të pësojë ndryshime. Ekspertët e Sigurimeve Shoqërore kanë vendosur të ndryshojnë skemën aktuale të pensioneve duke e përshtatur atë me vendet e tjera të zhvilluara të botës që operojnë sipas sistemit me disa shtylla. Sistemi i quajtur shumështyllash, i cili do të aplikohet edhe në vendin tonë, është i përbërë prej tri shtyllash kryesore. Shtylla zero është për të moshuarit, pavarësisht nëse ata kontribuojnë apo jo. Në disa vende kjo shtyllë aplikohet vetëm për të moshuarit e varfër dhe në disa të tjera për të gjithë të moshuarit mbi një moshë të caktuar. Qëllimi i kësaj kolone është të ofrojë një nivel të ardhurash bazë për të gjithë të moshuarit. Ndërsa shtylla e parë është sistemi i pensioneve me kontribut që aktualisht ekziston në Shqipëri. Ky është një sistem publik i bazuar në solidaritet, por ku pensioni varet nga vitet dhe niveli i kontributit. Shtylla e dytë ka hyrë në disa vende si një sistem kursimesh, ku punonjësve dhe punëdhënësve u kërkohet të vendosin një përqindje të pagës në llogari të specializuara kursimesh, të cilat pastaj investohen. Pasi del në pension punonjësi përfiton kontributin dhe interesat e krijuara nga ky sistem. Kjo shtyllë mund të menaxhohet në mënyrë publike apo private dhe nuk mbështetet në sistemin e solidaritetit. Së fundi, shtylla e tretë është e ngjashme me shtyllën e dytë, por punonjësit dhe punëdhënësit mund të bëjnë vullnetarisht kontribute shtesë në mënyrë që të rrisin nivelin e pensionit të tyre të ardhshëm. Sistemi aktual i pensioneve në Shqipëri fokusohet kryesisht në reduktimin e varfërisë dhe ka një strukturë të ngjeshur të përfitimeve të pensionit në krahasim me gamën e gjerë të kontributeve të paguara në sistem. Tri shtyllat e reja, të propozuara për ndryshimin e skemës së pensioneve, do të jenë efektive vetëm pas disa vitesh. Ministria e Financave, si iniciatore e reformës, nuk ka përcaktuar ende kushtet, por një gjë është e sigurt që, brezi i popullsisë që aktualisht merr pension, nuk do të përfitojë nga reforma. Sot të gjithë ata që janë të punësuar paguajnë rreth 30 për qind të pagës për të përfituar nga sigurimet shoqërore. Vetëm 23 për qind e saj shërben për pensionin, pjesa tjetër janë për asistencë mjekësore dhe shërbime të tjera. Skema aktuale është e bazuar në sistemin solidar. Pra, paratë që mbahen nga paga e një të punësuari nuk shërbejnë për pensionin e tij, por për pagesën e të moshuarve që tashmë kanë dalë në pension. Kjo skemë sigurohet edhe me mbështetjen e buxhetit të shtetit dhe i ka të përcaktuara pensionet maksimale dhe minimale në qytet dhe fshat. Sipas specialistëve dhe Bankës Botërore, skema aktuale e pensioneve po shkon drejt falimentimit. Për këtë arsye është propozuar sistemi tjetër, ai me tri shtylla.
29 Janar 2010