Zbardhen pronat e sindikatave, 125 pasuri në të gjithë vendin
Pronat e sindikatave ndodhen në zyrën e Kryeministrit, i cili duhet të vendosë për fatin e tyre, edhe pse një pjesë e mirë janë shfrytëzuar nga privati, me marrëveshje nga federata. Janë gjithsej 125 prona, një pjesë e të cilave nuk disponojnë të dhëna të mjaftueshme nga zyrat e regjistrimit të pasurive. Sindikatat kanë më shumë prona në Tiranë, Fier, Korçë, Lezhë, Durrës dhe Vlorë, pra në zona me potencial turizmi. Ministria e Brendshme ka kryer inventarizimin e pasurive shtetërore, të luajtshme dhe të paluajtshme, në administrim të sindikatave, si dhe identifikimin e marrëdhënieve të krijuara me të tretët për këto pasuri. Po ashtu janë: identifikimi i objekteve të kulturës, të ish-ndërmarrjeve bujqësore, të cilat kanë kaluar apo duhet të kalonin në pronësi të qeverisjes vendore, sipas nenit 7 të ligjit nr.8340/1, datë 6.5.1998.
Gjatë këtij procesi, AITPP-ja shfrytëzoi dokumentacionin e ardhur nga Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, dokumentacionin e inventarit të mjeteve themelore të ish-bashkimeve profesionale sipas inventarit të vitit 1991, listat e inventarit që AITTP disponon për sa u përket objekteve të ish-NB, të dhënat që kanë dërguar prefekturat.
“Dokumentacioni i vënë në dispozicion nga ZRPP-të është i paqartë, pasi në AITPP kanë ardhur vetëm fotokopje të një pjese të dokumentacionit, shpesh i palexueshëm dhe pa komente për pronat për të cilat mendojmë të na jepet një fazë të dytë informacion i detajuar dhe me komente për paqartësitë që kanë dalë për prona të veçanta”, sqaron Ministria e Brendshme. Ministria ka listuar të gjitha pronat për të cilat ka dokumentacion ose jo nga ZRPP-të, si dhe informacioni i mbledhur nga inventarizimi dhe verifikimi fizik i objekteve. Për çdo pronë, është bërë një përshkrim i përmbledhur për dokumentacionin e ardhur nga ZRPP–të dhe verifikimet që janë bërë në terren për këto prona. Në disa raste nga ZRPP-të nuk ka të dhëna për pronat por pas verifikimit në terren të tyre është mbledhur informacion gojor dhe shkresor nga personat që i administrojnë objektet me qira, i kanë blerë nga sindikatat ose nga persona të cilët i kanë blerë nëpërmjet ankandeve ose në forma të tjera. Gjithashtu, për një numër të konsiderueshëm pronash ka vendime të KKP për ish-pronarët, të cilët i kanë marrë këto prona, kanë kryer investime, ose i kanë tjetërsuar. Gjithashtu, në informacionet e ZRPP ka prona për të cilat janë hapur procese gjyqësore që nuk kanë përfunduar. Komentet më të detajuara për secilën pronë janë dhënë në formularin e inventarizimit.
#