Sarajevë, Meta: BE mbështeti integrimin e Shqipërisë
Tirana zyrtare ka njohur dje ndoshta për herë të parë implikimet që mund të sjellë kriza e tanishme në perspektivën e procesit të integrimit. Duke folur nga Sarajeva, ministri i Jashtëm, Ilir Meta, ka nënvizuar nevojën e gjetjes së zgjidhjes në mënyrë që Shqipëria të mos penalizohet. “Të gjithë instrumentet janë aty. Partitë duhet të mendojnë me shumë vullnet pozitiv. Duhet më shumë respekt për të gjitha institucionet kushtetuese dhe për të gjithë ata aktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë që kanë qenë të interesuar për dialogun dhe zgjidhjen... T’i largohemi retorikës që nuk afrojnë drejt zgjidhjes. Kjo situatë nuk është e këndshme dhe Shqipëria mund të marrë një ndëshkim të pamerituar”, theksoi Meta. Kriza aktualizohet kështu si pjesë qendrore e negocimit për integrimin, penalitetet, për shkak të së cilës po njihen tanimë edhe nga shumica në pushtet. Ndërkohë, axhenda e ministrit të Jashtëm shqiptar ka pasur si moment të veçantë një takim me homologun britanik, William Hague. Zyra e shtypit e Ministrisë së Jashtme njofton se në bashkëbisedimin e zhvilluar është folur për marrëdhëniet dypalëshe dhe ndihmën që Britania e Madhe i jep Shqipërisë për luftën ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve. Goditja e këtyre dy fenomeneve përbën ndërkohë një nga tri kushtet e vëna nga Komisioni Europian për liberalizimin e vizave, gjë e cila do të monitorohet gjatë verës nga një grup ekspertësh. Po kështu, Hague ka shprehur interesin britanik për investime në sektorë prioritarë të ekonomisë shqiptare, interes i cili konfirmohet deri diku edhe nga pranimi i kërkesës për një vizitë të afërt në Tiranë.
#