Burgaj: Situata në Lazarat? Është e kënaqshme
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ka falënderuar strukturat e policisë së Gjirokastrës për punën e bërë në drejtim të parandalimit të kultivimit të bimëve narkotike në fshatin Lazarat. “Situata në Komunën e Lazaratit është e kënaqshme dhe nën kontroll, por s’duhet të mjaftohemi me kaq, pasi muaji qershor është vendimtar në fitoren e kësaj sfide”, ka theksuar Burgaj gjatë analizës së punës së Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës. Burgaj nënvizoi se shumë shpejt do vihet në funksionim edhe sateliti dhe helikopterë të pajisur me mjete vëzhgimi speciale, që do të monitorojnë çdo territor të vendit tonë. Gjithashtu, kryepolici i shtetit, Burgaj, është ndalur edhe në luftën kundër korrupsionit në të gjitha fushat, si në mjekësi, arsim, tenderë, apo edhe brenda radhëve të policisë në raste se konstatohen shkelje ligjore. “Asnjë punonjës i policisë nuk do t’i shpëtojë ligjit. Policia e Shtetit do të bashkëpunojë ngushtë me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm (SHKB), me të vetmin qëllim, për një polici të pastër e të sigurt”, tha Burgaj. Gjatë këtij viti në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër janë zhvilluar 8 operacione të koduara, duke bërë të mundur sekuestrimin e rreth 1.7 tonë marijuane, si dhe janë arrestuar në flagrancë 13 autorë.
#