Zbardhet VENDIMI për Gërdecin, gjykata: Vrasja nuk ishte qëllim, ndryshe pse do rrinte Minxolli në fabrikë?
Gjykata thotë se veprimtaria që zhvillohej në Gërdec ishte e ligjshme, edhe pse nuk u respektuan kushtet e sigurisë. Sipas saj, Pinari e Delijorgji nuk kishin qëllim vrasjen. Tek e fundit për një gjykatë shqiptare duhet që të kesh armë në dorë e të qëllosh për të provuar se ke vrarë
Gjykata e Tiranës ka zbardhur me vonesë vendimin e marrë për çështjen e Gërdecit. Në vendimin prej 530 faqesh, treshja gjykuese, e drejtuar nga gjykatësi Ridvan Hado, thotë se Ylli Pinari, Mihal Delijorgji dhe Dritan Minxolli nuk kishin për qëllim të vrisnin. Madje argumenti që jep gjykata është se nëse kishin qëllim vrasjen, pse rrinte në fabrikë Dritan Minxolli. Do të ishte e palogjikshme të mendohej se i pandehuri Minxolli do kishte lejuar ardhjen e një pasoje të tillë për sa kohë ishte vetë i rrezikuar, pasi qëndronte pjesën më të madhe të kohës në fabrikë, shto faktin se ditën e ngjarjes tragjike i pandehuri ka ikur për të ngrënë drekë 10-15 minuta para se të ndodhte shpërthimi. Synimi i të pandehurit Dritan Minxolli ishte që të vazhdonte procesi i demoncimit për realizimin e fitimeve dhe çdo incident që do të ndodhte do të çonte në ndërprerjen e aktivitetit, siç ndodhi pas ngjarjes tragjike, thuhet në vendimin e gjykatës. Mirëpo këta gjykatësit nuk e kanë dëgjuar kryeministrin tonë kur flet e thotë se njerëzit e kanë në gen babëzinë. Madje gjykata e pranon se në Gërdec punohej jashtë kushteve të sigurisë, ishin grumbulluar male me municion, sa ishte e vështirë të lëvizje.
Por në vendim thuhet se për Gjykatën rezultoi se megjithëse mangësitë e dukshme në kushtet e punës, punëtorët punonin në një veprimtari të ligjshme, të lejuar nga shteti, të rregulluar me akte nënligjore të nxjerra për këtë qëllim dhe në bazë të një kontrate të lidhur midis shtetit dhe subjektit privat SAC çka do te thotë sipas gjykatës se përgjegjësia largohet sado pak nga të akuzuarit.
Po kështu vijon gjykata është fakt i analizuar në këndvështrimin e logjikën e një njeriu me intilegjence mesatare se puna e civilëve me municione të rrezikshme ishte e rrezikshme dhe për këtë rrezikshmëri ishin parashikuar dhe një sërë kushtesh teknike e sigurie dhe një disiplinë në punë.
Sipas gjykatës subjekti Albademil, por edhe te tjerët të akuzuar për vrasje me dashje nuk e kanë kryer këtë vepër.
Gjykata kujton edhe njëhere së si shpërtheu Gërdeci ku sipas gjykatës shpërthimet erdhën në formën e një reaksioni zinxhir, që filloi me ndezjen e një thesi të mbushur me barut dhe vazhdoi me ndezjen e barutit që ndodhej aty pranë dhe kutive të municionit.
Zjarri vazhdoi të përhapej me shpejtësi, derisa shkaktoi shpërthimin e municioneve luftarake me detonator dhe pa detonator, të cilët ishin të vendosur në skajin juglindor të fabrikës. Nxehtësia e madhe që u krijua dhe efektet e përhapjes së shpejtë të flakës së barutit, sollën shpërthimet e pakontrolluara të predhave, djegoreve dhe shtimjeve unitare të kalibrit 100 mm.
Gjykata vijon më tej: U provua gjatë shqyrtimit gjyqësor se paraditen e datës 15.03.2008, shtetasi Qemal Deliu ka punuar së bashku me grupin e tij të përbërë nga familjarët shtetaset Kore Deliu, Jetmir Deliu dhe Adelina Cani. Atë ditë, përveç punës së zakonshme, ai ka nxjerrë për të salduar gjithsej tre karroca. Dy prej tyre kanë dalë sëbashku dhe e treta ka dalë më vonë se to dhe është risjellë e salduar në kohën pak përpara fillimit të pushimit të drekës. Mbasi ka salduar karrocën në banesën e tij, shtetasi Qemal Deliu e ka risjellë atë pa marrë masa për ta ftohur dhe mbasi karroca është futur në territorin ku bëhej demontimi, është përdorur për të kryer transportin e barutit. Në momentin kohor kur karroca ishte nxjerrë për saldim dhe më pas ishte rikthyer e salduar, shtetasi Veiz Muço kishte dhënë urdhër që baruti që ndodhej në shesh, të transportohej me karroca dhe të futej menjëherë brenda në kapanon.
E po kështu se: Gjykata krijoi bindjen e plotë se tërësia e veprimeve të kryera në këtë proces demontimi dhe cmilitarizimi nuk ka pasur si qëllim dhe synim shkaktimin e vdekjes se personave që humbën jetën në këtë tragjedi, si objekt i drejtpërdrejtë i prekur nga kryerësi apo kryerësit e veprës penale dhe njëkohësisht si qëllim dhe synim i tij.
Në thelb vetë procesi ka qënë një sipërmarrje, e cila nga ana e saj duhet të vepronte sipas parashikimeve të caktuara në ligje dhe akte të tjera nënligjore të dala për këtë qëllim dhe për zbatim të saj. Në këtë veprimtari, kanë qenë pjesë të gjithë personat, të cilët me punën e tyre kanë ndihmuar në zbatimin e procesit, duke marrë dhe një shpërblim për punën e kryer.