Sa mirë do ishte të mos e kishim këtë sistemin TIMS
Para pak kohësh, kandidati i opozitës për komunën Dajç në Lezhë, denoncoi se ishte votuar në emër të shumë emigrantëve, të cilët më 8 maj nuk ishin në Shqipëri. KQZ dhe Kolegji Zgjedhor e shpërfillën kërkesën e tij. Por prokuroria nuk u vonua shumë dhe zbardhi mashtrimin. Sistemi TIMS i kontrollit të kufijve tregoi se ashtu siç kishte denoncuar kandidati i opozitës, këta qytetarë nuk ishin në Shqipëri kur votuan.
Tani sistemi TIMS ka zbardhur një tjetër mashtrim të demokratëve. Kësaj here me Këshillin e Qarkut të Fierit, ku po bëhet një betejë gati primitive. Demokratët synojnë ta marrin me çdo kusht Këshillin e Qarkut, edhe pse kanë vendime gjykatash kundër tyre.
Kryetari demokrat i Këshillit të Qarkut, Artur Shehu ka organizuar një mbledhje, por siç ka denoncuar Fiks Fare, aty nuk ishte i pranishëm Eduard Dogani, këshilltar i komunës Strum. Në vend të tij është paraqitur një punonjës i policisë ndërtimore të komunës Strum, i cili kur është bërë apeli, ka ngritur dorën sikur të ishte Eduard Dogani. Prokuroria ka nisur një hetim dhe siç raporton Shqip, është faktuar se Dogani atë ditë ishte në Greqi.
Ndërkaq, në pamjet e transmetuara në Fiks Fare vërehet se dy këshilltarë të tjerë, të cilët janë filmuar që kanë marrë pjesë në mbledhjen e organizuar nga z. Vangjel Ndreka, rezultojnë që të kenë firmosur në listën e këshilltarëve të palës tjetër. Bëhet fjalë për Aulent Tolin, i cili nuk ka qenë i pranishëm në mbledhjen e zhvilluar në hotel Fieri, por në procesverbalin e të djathtëve rezulton firma e tij. Pamjet tregojnë se Aulent Toli ka qenë i pranishëm në mbledhjen e drejtuar nga Vangjel Ndreka, që u zhvillua në ambientet e Bashkisë së Fierit. E njëjta gjë rezulton edhe për këshilltarin Veiz Dervishi. Ndërkaq, të dy këta këshilltarë kanë firmosur nga një deklaratë noteriale, ku mohojnë praninë e tyre në mbledhjen e organizuar nga z. Artur Shehu.