E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhet atentati me eksploziv, prangoset i dyshuari

Policia e kryeqytetit arrestoi mesnatën e të martës, Luan Dervishin, të dyshuar si autor të vrasjes me bombë në televizor


I arrestuari bleu dhe një marrës satelitor dhe ia dërgoi familjes ku ndodhi tragjedia në formën e dhuratës me taksi


TIRANE- Rreth 12 orë pas tragjedisë së rëndë të ndodhur në Sauk, në shtëpinë e Xhevdet Xhebrahimit, ku mbetën të vdekur dy persona dhe u plagosën, tre të tjerë, policia arrestoi të dyshuarin kryesor të krimit, Luan Dervishi, në banesën e tij në fshatin Picallë të Tiranës.

Drejtori i Policisë së Tiranës, Drejtues i Parë Tonin Vocaj, njoftoi në një konferencë shtypi zbardhjen e autorit të ngjarjes, të mekanizmit si dhe arrestimin e të dyshuarit të krimit.


Vocaj në konferencën e djeshme dha detaje mbi hetimin e kryer, si dhe për arrestimin. Si shkak të ngjarjes, Vocaj pohoi motivin e hakmarrjes pasi , viktima Xhevdet Xhebrahimi në vitin 1997, kishte vrarë në kushtet e vetëmbrojtjes, xhaxhain e autorit, Naim Dervishin.


Arrestimi i Luan Dervishit u krye gjatë mbrëmjes së të hënës në fshatin Picallë të Tiranës, në shtëpinë e tij, menjëherë pas mbërritjes së tij në shtëpinë e tij. I arrestuari tashmë akuzohet për vrasje me dashje dy herë, si dhe vrasje në rrethana cilësuese ndaj tre personave të tjerë e mbetur në tentativë.


Hetimi


Mesditën e djeshme, kur sapo policia kishte krijuar të plotë kuadrin e dyshimeve të saj, si dhe kishte mbledhur provat e nevojshme në vendin e ngjarjes, ngriti si pistë të vetme të ngjarjes, vrasjen për motive hakmarrjeje nga njerëzit e afërt të Naim Dervishit, i vrarë në derën e shtëpisë së Xhevdet Xhebrahimit, në vitin 1997 nga ky i fundit me armë zjarri. Në këto rrethana është ngritur dyshimi se shpërthimi i shkaktuar nga televizori, ishte përgatitur në mënyrë të posaçme, për të kryer një akt të tillë të rëndë.


Për ngjarjen nuk kishte dyshime se ishte e qëllimshme, nisur nga rrethanat dhe dëmet e shkaktuara. Në cilësinë e provave materiale, policia kishte administruar veç objekteve të shpërthyera në vendin e ngjarjes dhe dëmet e shkaktuara prej tij, edhe disa numra telefoni me të cilët kishte komunikuar Xhebrahimi.


Nga ky numër telefoni Xhebrahimit, i ishte thënë se kishte fituar një televizor plazma 32 polësh, si dhe një dekoder satelitor të një kompanie transmetimesh televizive që operon në vendin tonë. Menjëherë hetuesit e zyrës së vrasjeve, mbërritën në adresën e kompanisë së mësipërme.


Nga komunikimi me ta është mësuar se një person kishte kontaktuar me punonjësit e kompanisë para disa ditësh, duke iu kërkuar që t'i bënte një surprizë mikut të tij, me një abonim tre mujor dhe një marrës satelitor.


Më pas vetë, i dyshuari i krimit ka dërguar pranë kompanisë televizorin e plazma 32 polësh të blerë në një qendër tregtare, në kryeqytet, në të cilin është montuar lënda shpërthyese. Ajo ishte parashikuar të aktivizohej menjëherë nga shkëndija elektrike, sapo televizori të binte në kontakt me eneregjinë elektrike.


Në fund kur ato janë ambalazhuar dhe blerësi i kishte kërkuar punonjësve të komunikonin me mikun e tij, duke i pohuar atij se ishte fitues i një abonimi tre mujor i transmetimeve të tyre, i një marrësi satelitor dhe i një televizori plazma. Pas komunikimit me Xhebrahimin nga punonjësit e kompanisë, një taksist është paguar që të dërgonte porosinë në shtëpinë e familjes ku ndodhi shpërthimi.


Nga kjo ngjarje kriminale, mbetën të vdekur i zoti i shtëpisë, Xhevdet Xhebrahimi, i afërmi i tij, Luan Brahja, që kishte shkuar për të montuar televizorin e dhuruar, si dhe u plagosën rëndë gruaja e Xhevdetit, Fatbardha Xhebrahimi, djali Altini si dhe vajza e Xhevdetit Shpresa Xhebrahimi.


Arrestimi, i dyshuari pranon krimin në polici


Gjatë kohës që policia kryente veprimet hetimore për të zbuluar pakon bombë, grupe të posaçme të zyrës së hetimit të vrasjeve dhe të komisariatit nr1, mbajtën nën vëzhgim shtëpinë e familjes Dervishi në fshatin Picallë të Tiranës. Nga vëzhgimi i kryer është vënë re se në mbrëmje në shtëpi mbërriti, Luan Dervishi.


Menjëherë pas mbërritjes së tij, në banesë mësynë edhe efektivët e Policisë së kryeqytetit, të cilët i komunikuan se ishte i dyshuar për ngjarjen e ndodhur në Sauk, ku ishin vrarë dy persona dhe ishin plagosur tre të tjerë. Fillimisht ai nuk ka pranuar të kishte gisht në këtë histori, por kjo pak kishte rëndësi për hetuesit.


Kjo pasi nga ballafaqimi për njohje me punonjësit e kompanisë si dhe nga verifikimi i regjistrimit të kamerave të vëzhgimit, që prej të mërkurës rezultonte se karakteristikat e njeriut të dyshuar përputheshin me të.


Fillimisht atij i është kryer një kontroll në banesë, ku nuk ka rezultuar të kishte sende të ndaluara si armë, lëndë plasëse apo sende të tjera. Më pas ai u shoqërua në drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku edhe u mor në pyetje nga hetuesit.


Gjatë marrjes në pyetje dhe gjatë punës me të, policia ka grumbulluar prova dhe fakte që hidhnin dritë mbi autorësinë e mundshme të krimit. Nga ripyetja e tij, i dyshuari pranoi autorësinë e aktit të rëndë, ndërsa më pas ai vetë pranoi të rrëfente se e kishte kryer krimin për motive hakmarrjeje. Sipas tij në vitin 1997, Xhebrahimi, i kishte vrarë xhaxhain, Naim Dervishin.


Vocaj: Krimi ndodhi për hakmarrje


Gjatë paradites së djeshme, drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, në konferencën e djeshme konfirmoi se ngjarja e paradites së djeshme në lagjen Sauk të Tiranës, kishte ndodhur për motive hakmarrjeje.


Sipas Vocajt, në lidhje me këtë ngjarje u ngrit një grup i posacëm hetimor, ku nga veprimet e kryera, rezultoi se lënda shpërthyese ka qënë e vendosur në një televizor, i cili i ishte bërë dhuratë viktimës Xhevdet Xhebrahimi, nga autori i dyshuar i ngjarjes.


"Nga hetimet e kryera, ngjarja dyshohet se ka ndodhur për motive hakmarrje, pasi viktima Xhevdet Xhebrahimi, në vitin 1997 ka vrarë më armë zjari për motive të dobta shtetasin Naim Dervishi, i cili është xhaxhai i autorit,- konfirmoi Vocaj.


Më tej ai pohoi se nga specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës, u siguruan prova të mjaftueshme që implikojnë drejpërdrejt shtetasin Luan Dervishi, si autor të kësaj ngjarjeje, i cili është 25 vjec, lindur e banues në fshatin Picallë Tiranë, ndaj të cilit u mor masa e menjëhershme e arrestit në flagrancë.


Materialet hetimore i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të "Vrasje me paramendim në rrethana cilësuese" dhe "Mbajtje pa leje të municioneve luftarake"

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›