E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilir Kerni, ngurron të ngjitet në skenë

Ilir Kerni kthehet sërish në Tiranë. Ai vjen për të sjellë premierën e baletit "Copelia", një ndër veprat e suksesshme të repertorit klasik botëror. Vetëm një vit më parë, në skenën e Teatrit të Operës "La Sylphide", e solli para publikut shqiptar si balerin e koreograf njëkohësisht. Këtë herë, ndërsa premiera e 22 dhjetorit afron, ngurron të thotë nëse do të ngjitet në skenë. Nuk e ka vendosur ande. Vjet u shpreh se do të mbyllte karrierën 30-vjeçare. Por beson se "Copelia", një balet me histori dashurie e fantazira, do të krijojë një atmosferë të këndshme për fundvitin e Tiranës, sjellë në një version modern prej tij. E gjithë trupa e baletit gjendet në prova, ndërsa edhe për kostumet e skenografinë, Kerni ka zgjedhur të bashkëpunojë me dy artistë kroatë, Zorz Dransnik dhe Ljubica Wagner. Për dirigjimin ka mbërritur Ermir Krantja. Kerni e quan teatrin e tij atë të Tiranës dhe shprehet i kënaqur për çdo rikthim.

Ktheheni sërish në Tiranë për një premierë baleti. Çfarë do të shohim këtë herë?

Këtë radhë vjen në skenë "Copelia", një nga baletet më të famshme të repertorit klasik botëror, një nga veprat që ka pasur sukses që prej fillimit, që rivihet kudo në skena të botës.

Pse kjo pjesë?

Mendova se në prag të festave të fundvitit, kjo shfaqje do të krijojë një atmosferë shumë të këndshme. Po ashtu, besoj se do të jetë një eveniment edhe për trupën e baletit, e cila pas premierës së vitit të kaluar të "La Sylphide", nuk ka pasur premiera të tjera. Tashmë jemi në një proces të gjatë pune nga mëngjesi në darkë. Tri grupe solistësh po punojnë me përkushtim dhe shpresojmë që gjithë kjo të mbarojë me sukses.

E keni punuar më parë këtë balet?

E kam kërcyer në shumë variante, si në atë klasik, ashtu edhe atë modern. Jam ngjitur në shumë skena të botës, deri edhe në Japoni. Është një nga veprat që më pëlqen më shumë, ka muzikë të mirë, atmosferë dinamike e të gëzueshme. Është një nga ato shfaqje me sukses të garantuar. "Copelia" është një nga shfaqjet më të bukura që kam bërë në jetën time dhe kam kënaqësinë që punoj me trupën ku unë kam qenë dikur.

Në çfarë varianti do ta sillni në skenën e Teatrit të Operës?

Do të jetë një variant klasik, por i sjellë me disa ndryshime. Shpresoj që të jetë i pranueshëm dhe ta befasojë publikun.

Do të kërceni edhe ju?

Nuk e di. Ndoshta nuk do të ishte keq që të isha pjesë e energjisë totale që do të krijohet me gjithë trupën në ditën e shfaqjes, por nuk e kam vendosur ende. Nëse do të jetë e nevojshme që të jem në një çast të caktuar në shfaqje, qoftë edhe për të krijuar një ndërrim energjie, atëherë do ta bëj. Në të kundërt, jo.

Ku e shihni veten të shprehur më mirë, në shfaqjet klasike apo ato moderne?

Klasikja është e padiskutueshme që do të ekzistojë. E po kështu edhe modernia, si një art që është nevojë e krijuesve dhe e konsumit shpirtëror që kërkon publiku. Janë këndvështrime të ndryshme për artin e koreografisë që është kërcimi. Në Shqipëri, baleti bashkëkohor i mirëfilltë ende nuk ka hyrë ashtu siç duhet dhe mungon përvoja e vënieve të tilla. Por nuk duhet të harrojmë se si shfaqja klasike dhe ajo moderne kanë një nivel të caktuar ku duhet të arrijnë. Nëse nuk e plotësojnë, të dyja janë të papranueshme. Por besoj se vëniet e baleteve bashkëkohore gradualisht do të vijnë edhe në Shqipëri.

Cili ka qenë angazhimi juaj para se të vinit në Tiranë?

Kam realizuar një shfaqje në Zagreb dhe fill pas saj erdha këtu për të realizuar "Copelia". Pjesë e këtij impenjimi të madh janë bërë edhe dy artistë kroatë, Zorz Dransnik për skenografinë dhe Ljubica Ëagner për kostumet.

Çfarë ndjesie përjetoni sa herë që riktheheni në Tiranë?

Tirana gjithnjë e më shumë më befason me hovin e ndryshimeve. Kam kënaqësinë e madhe që vij te njerëzit e mi, por edhe në qytetin tim, siç mund të thosha se vij edhe në teatrin tim. Edhe pse nuk bëj pjesë në Teatrin e Operës dhe Baletit të Tiranës, ndjehem i këtushëm. Është ndjenjë që nuk më është bërë e huaj.

Po Teatri i Zagrebit, çfarë domethënie ka për ju?

Zagrebi është shtëpia ime dhe qyteti im, ashtu si edhe Tirana. Atje ndjehem shumë mirë me gjithçka, me teatrin, njerëzit, kolegët, miqtë e shumë gjëra që më bëjnë komod në atë vend ku jetoj. Dhe jam më shumë se i kënaqur.

A mendoni se do të kishit pasur të njëjtin shkëlqim nëse nuk do të ishit larguar?

Nuk mund të them se si do të shkonin punët, por ishte e pamundur që të mos tentoja të provoja forcat e mia me kulturën e baletit në botë. Gjithnjë e kam ëndërruar kulturimin tim dhe duke qenë se jam i lidhur me këtë profesion, mendoj se çdo devijim ndaj kësaj rruge nuk do të ishte i papranueshëm për mua dhe nuk do të ndodhte. Por, kam marrë gjithçka nga vendi im. Gjithë kënaqësinë, titujt dhe i jam borxhli.

Çfarë synoni tani me punën tuaj?

Synoj pjekuri. Jam kundër atyre që kërkojnë të jenë të parët me çdo çmim, të parët pa asnjë lloj argumenti apo baze. Ndjej dashuri ndaj profesionit dhe rrugëtim pa ndalim, por jo për të qenë i parë. Janë ata që punojnë me ty dhe publiku që të caktojnë në vendin që meriton.

Gjithnjë e më shumë, ju po i përkushtoheni koreografisë. Ju vjen keq që largoheni nga skena?

S‘ka asnjë lloj ndryshimi. Është e njëjta energji, ndoshta është konsumim edhe më i madh, sepse në rastin kur je interpret kërkon që të akumulosh për të shpërthyer, ndërsa kur e realizon ti atë vepër, duhet të zbrazesh te të tjerët për të dhënë energji. Por është kënaqësi e madhe që të perfeksionosh një trup për të arritur një shfaqje.

Jemi në fundvit. Çfarë projektesh do të sjellë 2009-a për ju?

Filozofia ime është e qetë, punë e përditshme dhe si ta ketë shkruar Zoti.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›