Zbardhet formulari për sekretaret spiune

TIRANË - Ministria e Drejtësisë është e vendosur të kontrollojë punën e çdo gjyqtari të Gjykatës së Tiranës nëpërmjet një informacioni të hartuar nga çdo sekretare gjyqësore në fund të çdo seance. Në vazhdën e idesë së ministrit të Drejtësisë, të hedhur disa ditë më parë në një mbledhje blic me sekretaret gjyqësore, rreth tri ditë më parë në Gjykatën e Tiranës mbërriti edhe një formular tip, që udhëzon sekretaret sesi duhet të veprojnë. Burime pranë gjykatës thanë se së bashku me këtë formular kanë mbërritur edhe udhëzimet përkatëse për mënyrën e veprimit të sekretareve gjyqësore. Formulari tip ka të shënuar datën kur zhvillohet seanca, orën, hapësirën për emrin e paditësit dhe të pandehurit, përbërjen e trupit gjykues, orën e caktuar për nisjen e seancës, orën e nisjes, shkakun nëse seanca shtyhet dhe një sërë detajesh të tjera. Në formular kërkohet të shpjegohen nga ana e sekretares gjyqësore të gjitha të dhënat lidhur me zhvillimin apo moszhvillimin e seancës, dhe më pas të shënohet ora e dorëzimit të këtij informacioni te kancelari. Ky i fundit këto formularë në fund të çdo dite duhet t’i përcjellë tek ministri i Drejtësisë, i cili do të njihet me të gjithë rastet e shtyrjes së procesit dhe arsyen e kësaj shtyrjeje. Një nismë e tillë u publikua vetëm pak javë më parë nga vetë ministri i Drejtësisë, i cili zhvilloi dhe një takim me sekretaret gjyqësore të Gjykatës së Tiranës vetëm për këtë çështje. Por menjëherë pas takimit, gjyqtarët i kërkuan një tjetër takim ministrit Enkelejd Alibeaj, ku i parashtruan të gjitha arsyet se përse nuk mund të realizohet një nismë e tillë. Madje në takim pati edhe nga ata gjyqtarë, të cilët e cilësuan këtë ide si një përpjekje të ministrit për t’i kthyer në spiune sekretaret gjyqësore, në një kohë që edhe Sigurimit të Shteti i ndalohej me ligj të rekrutonte bashkëpunëtorë në sistemin e drejtësisë. Por tashmë që në Gjykatën e Tiranës mbërriti formulari, i cili përcakton edhe mënyrën sesi duhet të veprojë një sekretare në përfundim të çdo seance gjyqësore, ka sërish reagime kundër. Të kontaktuar nga “Korrieri”, disa gjyqtarë thanë se sekretaret duhet të jenë në shërbim të punës përgjatë 8 orëve që parashikon orari zyrtar. Sipas tyre, nëse sekretarja arrin që të plotësojë këtë formular brenda 8-orarëshit të punës, pa lënë pas dore detyrën, atëherë kjo është një gjë shumë e mirë, në të kundërt formulari duhet të plotësohet pas mbarimit të orarit zyrtar. Ndërsa vetë sekretaret thanë se një gjë e tillë është thuajse e pamundur të realizohet brenda orarit zyrtar, pasi një gjyqtar mund të gjykojë deri në 10 çështje në ditë, ku secila nga seancat kërkon një parapërgatitje edhe nga vetë gjyqtaret. Pavarësisht mendimit kundër të sekretareve dhe gjyqtarëve, Ministria e Drejtësisë që prej tri ditësh ka nisur të vërë në zbatim këtë nismë, që kontrollon drejtpërdrejt shërbimin që gjyqtarët i ofrojnë publikut.