E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cernobili smund të përsëritet

Flet ish-drejtori i Institutit së Fizikës Bërthamore, Skënder Koja. Sipas tij, centralet bërthamorë nuk përbëjnë rrezik, madje kanë avantazhe ndaj termocentraleve, si nga ana e ndotjes, ashtu edhe nga ajo ekonomike

TIRANË - “Për Shqipërinë do të ishte fat i madh të vinte në dispozicion terrenin e saj për ndërtimin e centralit bërthamor, sepse ekzistenca e një impianti bërthamor në një vend, e ngre prestigjin e atij vendi”, shprehet kështu për “Korrierin” ish-drejtori i Institutit të Fizikës Bërthamore, Skënder Koja. Sipas tij, rreziku i katastrofave, si ajo e Cernobilit, është inekzistent, sepse reaktori është ndërtuar në mënyrë të atillë, që çfarëdo gjëje të ndodhë, sistemi i sigurisë e shuan reaktorin në vend. Ai sqaroi se kështu ndodhi edhe në rastin e Sllovenisë, ku pas një defekti në sistemin e furnizimit të ujit, reaktori u fik automatikisht, derisa u rregullua defekti dhe u vu përsëri në punë. “Ajo që ka ndodhur në Slloveni, është thjesht një rrjedhje uji në sistemin e qarkullimit të ftohjes së reaktorit, por që nuk ka asnjë lidhje me reaktorin dhe nuk e rrezikon fare atë”, u shpreh Koja. Për sa i përket ngritjes së një impianti bërthamor energjetik në Shqipëri, Koja tha se “ne nuk kemi kuadrot e duhur për ngritjen e një impianti të tillë. Në këtë rast flitet për ngritjen e një impianti nga një kompani e huaj, e cila nuk do të jetë vetëm financuese, por edhe administratore e këtij impianti”. Për sa i përket numrit të personelit shqiptar që do të jetë pjesë e administrimit, Koja tha se do të jetë aq sa ta shohë të arsyeshme kompania. “Pastaj, asnjë shtet nuk i ka ngritur vetë centralet bërthamorë. As Çekia, as Sllovenia, as Sllovakia dhe as Bullgaria nuk i kanë ndërtuar vetë”, u shpreh Koja gjatë prononcimit të tij. Ai shtoi se sot në botë ka rreth 400 centrale bërthamorë që prodhojnë energji, të cilët janë ndërtuar nga 3 ose 4 kompani të mëdha të specializuara për ngritjen e tyre. Duke folur për rrezikun e ndotjes nga të tillë centralë, Koja sqaroi se këto centrale jo vetëm që nuk përbëjnë rrezik për ndotjen e ambientit, por e zhdukin këtë rrezik. “Impiantet bërthamorë kanë avantazhe të jashtëzakonshme në krahasim me termocentralet. Avantazhi i parë i një centrali bërthamor është se ai është absolutisht i pastër, domethënë se nuk ka asnjë lloj hedhurine në atmosferë. Djegia e naftës dhe e hidrokarbureve është një problem i madh që mund të ndikojë edhe mbi klimën, problem të cilin centralet bërthamorë e zhdukin”, pohon ish-drejtori, sipas së cilit për sa u përket hedhurinave radioaktive, ato janë jashtëzakonisht kompakte, domethënë me shumë pak volum. Në shkallë botërore, hedhurinat radioaktive mund të jenë vetëm disa qindra metra kub në vit, të cilat pasi trajtohen dhe paketohen, futen në tokë. Një tjetër avantazh është ai i përfitimit ekonomik, pasi ndryshe nga termocentrali, centrali bërthamor nuk kërkon një infrastrukturë furnizuese. Koja shpjegoi se “kjo vjen, ngaqë centrali bërthamor e ka karburantin aq kompakt, sa me një autoambulancë mund të mbarosh punë për furnizimin e tij me karburant për një vit”.

Ku duhet të ndërtohen centralet bërthamorë

Në lidhje me vendin më të përshtatshëm për ndërtimin e një impianti bërthamor, ish-drejtori i Institutit të Fizikës Bërthamore, Skënder Koja, shpjegoi se zgjedhja i takon kompanisë që do ta ndërtojë. “Një nga kriteret kryesore që duhet të plotësojë ngritja e një centrali bërthamor, është se duhet të ketë pranë ujë të bollshëm. Zakonisht këto ndërtohen ose në afërsi të lumenjve, ose pranë detit. Kjo, pasi uji shërben për ftohjen e sistemit, sepse çdo sistem, edhe centralet, kanë një qark që quhet qarku i ftohjes. Koja shtoi se Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë kohët e fundit ka inkurajuar në mënyrë të veçantë vendet e prapambetura për ngritjen e centraleve bërthamorë, natyrisht nga kompanitë e specializuara. Kjo, sepse këto vende duke qenë të izoluar, nuk kanë një infrastrukturë rrugore, dhe rrjedhimisht nuk kanë furnizim me gaz apo me naftë, ndërsa furnizimi me karburant bërthamor nuk përbën asnjë problem.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›