Zbardhet grupi i diplomatit në SHBA
Zbardhet organizata kriminale shqiptare në SHBA, ku dyshohet se bënte pjesë edhe Almir Rrapo, ish-punonjës në Ministrinë e Jashtme në Tiranë. Në akt-padinë e Gjykatës së shtetit të Nju Jorkut thuhet se kjo organizatë e përbërë nga 11 shtetas merrej me pengmarrje në ndihmë të shantazhit, armëmbajtje pa leje dhe shpërndarje droge, veprime të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Ndërkohë, dje, Gjykata e Apelit me një kolegj penal të përbërë nga Alaudin Malaj, Shkëlqim Miri dhe Zeqine Sollaku, la në burg për 60 ditë Rrapon, i arrestuar në fillim të muajit korrik në ambientet e Ambasadës Amerikane në Tiranë, ku kishte aplikuar për një vizë në SHBA.
Disa ditë më parë, për 27-vjeçarin Almir Rrapo, gjykatësi i Shkallës së Parë Tiranë, Agim Bendo, kishte caktuar 40 ditë arrest me burg. Por prokurori i apelit, Dritan Peka, e cilësoi këtë vendim të Bendos të gabuar dhe sipas tij Gjykata e Apelit duhet të jepte 60 ditë masë sigurimi personal, një kohë minimale që lidhet me procedurat për ekstradimin e tij drejt Amerikës. Në seancën gjyqësore janë paraqitur procedura që janë aplikuar për disa shtetas të arrestuar në Shqipëri, por që akuzoheshin në SHBA. Në seancën e djeshme gjyqësore, në të cilën kishte edhe vëzhgues nga Ambasada Amerikane në Tiranë, Rrapo i kërkoi gjykatës një mundësi që, duke i dhënë lirinë, të provonte se ai nuk ishte një i arratisur. Ndërsa sipas avokatit Visha, klienti i tij ka qenë në Shqipëri që prej 2005-s, pavarësisht se dokumentacioni flet për një veprimtari kriminale që përfshin vitet 2003-2007. Visha tha se klienti i tij nuk figuron në akt-padinë e Gjykatës së Nju Jorkut dhe arrestimi i tij është i padrejtë.
OrganizataGjykata e distriktit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në shtetin e Nju Jorkut ka ngritur akuzë ndaj 11 personave, kryesisht me origjinë shqiptare. Në pikën e parë të akt-akuzës thuhet se shtetasit Bruno Krasniqi, Saimir Krasniqi dhe Elton Sejdaris të pandehur dhe të tjerë të njohur dhe të panjohur, kanë qenë anëtarë dhe ndihmës të një ndërmarrjeje kriminale të organizuar dhe të kryesuar nga Bruno Krasniqi dhe Saimir Krasniqi. Organizata ishte angazhuar në krime të shumta, përfshi trafikim lëndësh narkotike, rrëmbim, kërcënim, grabitje dhe transport përtej kufijve shtetëror të mallrave të vjedhur. Organizata “Krasniqi” ishte një grup i organizuar kriminal me bazë në “Staten Island” dhe “Queens”. Ajo ishte një organizatë në vazhdimësi, anëtarët e së cilës funksiononin si një njësi në vazhdim me qëllimin e përbashkët të arritjes së objektivave të ndërmarrjes. Qëllimi i organizatës kishte të bënte me pasurimin e drejtuesve, anëtarëve dhe bashkëpunëtorëve, ruajtjen, mbrojtjen dhe rritjen e pushtetit, territorit dhe fitimeve financiare të drejtuesve të saj, anëtarëve dhe bashkëpunëtorëve me anë të përdorimit të kërcënimit, dhunës dhe kërcënimeve për dëmtim fizik dhe ekonomik dhe duke kërcënuar për të kryer dhunë fizike dhe duke shkaktuar e kërcënuar për të shkaktuar dëmtim ekonomik.
Rreth qershorit 2005, në distriktin jugor të Nju Jorkut, për qëllimin e fitimit, e hyrjes dhe forcimit të pozitës në organizatën “Krasniqi”, ndërmarrja u angazhua në një veprimtari rrëmbimi. Ata kryen rrëmbimin e një rivali të përfshirë në trafik droge. Po në këtë kohë ata kanë poseduar armë zjarri, duke mundësuar rrëmbimin e rivalit.
Sipas akt-padisë së shtetit të Nju Jorkut, organizata kriminale e quajtur “Krasniqi” është ngritur në vitin 2003 dhe ka vazhduar deri në vitin 2007. Ata kanë arritur të shpërndajnë 100 kg marijuanë. Në këtë hark kohor, të pandehurit kanë kryer trafik marijuane. Në vitin 2005, të pandehurit kanë kryer një sërë grabitjesh dhe arritën që produktet e grabitura t’i trafikonin në një shtet tjetër. Akt-padia përcakton më tej disa vepra të tjera penale që kanë kryer 11 të pandehurit, si kërcënime dhe trafikime të narkotikëve.
#