E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e Konomit, motori i dyshuar shëtiste në lagje

Fakte të reja nga hetimi, motori ishte i tipit “Trans alt”, me ngjyrë të zezë dhe serbator jeshil Dy të dyshuarit ishin të bëshëm, të veshur me xhupa blu dhe xhins

Motori, me të cilin dyshohet se kanë lëvizur dy autorët e vrasjes së Franc Konomit, është parë në lagjen ku ai jetonte. Të dhëna të reja kanë dalë në dritë për hetimet e vrasjes mafioze në mes të Tiranës, ku janë dhënë përshkrime për dy autorët e krimit.

Sipas të dhënave policore, ditën e krimit, pikërisht më datë 8 të këtij muaji, dy personat me motor kanë bërë disa xhiro në rrugën “Luigj Gurakuqi”, pranë sheshit “Avni Rustemi”, ku u ekzekutua 42-vjeçari Konomi. Ata janë vënë re nga disa njerëz, e madje është menduar se mos do të kryenin ndonjë grabitje në dyqanet e këmbimit të valutës. Madje, disa prej tyre e kanë fiksuar plotësisht atë, sidomos persona që i njohin mirë motorët. Sipas hetimeve, motori ka qenë i llojit “Trans alt”, me ngjyrë të zezë. Madje, një tjetër dëshmitar ka deklaruar se ishte me targa greke. Ndërsa e veçanta e motorit është se ka një serbator ngjyrë jeshile. Burimet nga grupi hetimor shpjegojnë se dy personat që kanë kryer krimin mendohet të jenë të moshës 25-30 vjeç dhe atë ditë kanë qenë të veshur me xhupa motori, ngjyrë blu dhe xhins. Në kokë mbanin kaskat. Megjithatë, motori i veçantë ka mbetur në mendjen e disa personave, që tashmë janë marrë në pyetje edhe nga oficerët e policisë që po hetojnë vrasjen e Franc Konomit.

Duke u bazuar mbi këto fakte, dëshmitarë të ndryshëm tregojnë se një motor i tillë është parë afër banesës së Franc Konomit. Nuk dihet pse ai ka lëvizur në këtë lagje, që ndodhet pranë Shkollës së Kuqe, por dyshimet janë se mund të jetë i njëjti motor i përdorur në fillim të këtij muaji për të kryer vrasjen mafioze. Burimet policore thanë se aktualisht nën hetim kanë vënë disa persona për këtë ngjarje, ku përfshihen edhe të njohur të Franc Konomit, por nuk janë publikuar shumë detaje, për shkak të ruajtjes së sekretit. Sipas të dhënave të mbledhura nga gazeta “Shqip”, motori është parë në lëvizje ditën e martë dhe u ka bërë përshtypje shumë njerëzve, të cilët nuk ishin në dijeni për karakteristikat e tij dhe nuk e kishin fiksuar më parë një motor të tillë.

Gjatë këtyre ditëve hetimi, policia ka marrë në pyetje persona të ndryshëm, që nga të afërt të Konomit, deri te persona të tjerë që mund të kenë dijeni për ngjarjen. Mbi provat e mbledhura, burimet e prokurorisë kanë deklaruar se autorët e krimit janë të moshës 25-30 vjeç. Ata mendohet se kanë bashkëpunuar me Konomin në Spanjë. Gjithashtu, ata dyshohen edhe për grabitje të dhunshme në këtë shtet dhe vrasje për hakmarrje. Grupi, sipas hetimeve, mendohet shumë i fuqishëm. Për këtë arsye, katër persona janë vendosur nën përgjim, si dhe në vëzhgim nga operacionet speciale. Aktualisht, për shkak edhe të informacioneve të shumta që kërkohen, po bashkëpunohet edhe me strukturat më të larta të policisë shqiptare dhe me ato homologe, si në Spanjë, ashtu edhe në Gjermani. Nga një dëshmi e një tjetër emigranti në Spanjë, policia ka vërtetuar se Konomi ka pasur konflikt me këtë grup të dyshuar dhe kjo mund të ketë sjellë hakmarrjen ndaj tij.

Konomi u vra më 8 korrik, në mes të Tiranës. Babai i dy fëmijëve, një prej eksponentëve të cilësuar nga policia si më i rrezikshmi i botës së krimit në vend, sapo ishte ngjitur në makinën e tij luksoze tip “Mercedes Benz”, me targë TR 0626 S, me ngjyrë të zezë, që e kishte parkuar në sheshin “Avni Rustemi”, rrugës që të çon për te Pazari i Ri. Dy persona, të cilët udhëtonin me një motor me targa të huaja, i janë afruar me ngadalë dhe pa i thënë asnjë fjalë kanë qëlluar dhjetë herë në drejtim të tij. Gjashtë plumba e kanë zënë në trup Konomin, duke i shkaktuar vdekjen pak minuta më pas. Dëshmitarët i thanë policisë se autorët e krimit janë larguar me shpejtësi të madhe pa lënë asgjë gjurmë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›