Pavarësia e Kosovës pranohet nga Gjykata Ndërkombëtare

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) në Hagë ka shpallur vendimin këshillëdhënës, sipas të cilit deklarata e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, meqë e drejta ndërkombëtare nuk ndalon deklarata të tilla, deklaroi kryetari i gjykatës, Hisashi Owada. Mendimin mbi Kosovën në GJND në Hagë e kanë marrë 15 gjyqtarë, nga të cilët 9 vijnë prej vendeve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, duke përfshirë edhe vetë kryesuesin, japonezin Hisashi Owada. Dhjetë gjyqtarë të GJND-së kanë vlerësuar se deklarata mbi pavarësinë e Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, ndërsa katër kanë votuar kundër. Owada pohoi se kjo gjykatë ka kompetencën juridike të shpallë mendimin këshillëdhënës, në bazë të kërkesës me Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të KB-së, për atë se a është shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës në përputhje me të drejtën ndërkombëtare? Ai ka sqaruar pyetjen nëse shpallja e pavarësisë së Kosovës është në pajtim me të drejtën ndërkombëtare që ajo bën pjesë në çështje juridike, është në pajtim me statusin e gjykatës dhe me Kartën e KB-së. Owada theksoi se gjykata ka bërë të ditur se duke shqyrtuar kompetencën juridike, nuk udhëhiqet nga motive politike në çështje të tilla dhe nuk i merr në konsideratë. Gjykatësi Owada gjithashtu shtoi se mendimi këshillëdhënës nuk është detyrues për shtetet, të cilave Gjykata më e lartë e Kombeve të Bashkuara u përgjigjet në pyetjet e Asamblesë së Përgjithshme të KB-së: “A është deklarata e njëanshme mbi pavarësinë nga ana e institucioneve të përkohshme të qeverisjes në Kosovë në pajtim me të drejtën ndërkombëtare?” Kjo është hera e parë në historinë e organit më të lartë gjyqësor të KB-së që deklarohet rreth një përpjekjeje për ndarje. çështja e legalitetit të aktit të njëanshëm të institucioneve të qeverisjes në Kosovës para GJND-së është shtruar nga Asambleja e Përgjithshme e KB-së në tetor të vitit 2008 me iniciativën e Serbisë. Gjatë shqyrtimit gojor, që në Gjykatën e Hagës ka zgjatur nga 1 dhjetori deri më 11 dhjetor të vitit 2009, 14 shtete, krahas autoriteteve të Prishtinës, kanë vlerësuar se deklarata e miratuar më 17 shkurt 2008 ka qenë legale, ndërsa 12 vende të tjera, bashkë me Serbinë, pohuan se me deklaratën u shkel e drejta ndërkombëtare. Deklarata e Burundit nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjes.
#