E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbardhet kërkesa e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të deputetëve socialistë

25-01-2012 / Gazeta 55

Kërkesa e Prokurorisë drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit të tre deputetëve, zbardh rolin e Tom Doshit dhe Taulant Ballës si nxitës të veprimeve të dhunshme, nëpërmjet kontakteve personale dhe me celular, me perona të ndryshëm në turmë. Ndërsa, për sa i përket Besnik Baraj, e njëjta kërkesë bën të ditur, se ai, si organizator i protestës, nuk ka pranuar dhe nuk i ka dhënë policisë lokale të Tiranës, informacionet e domosdoshme, për itinerarin e protestës, numrin e pjesëmarrësve, orarin e protestës etj.
Ndër të tjera në kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imunitetit të Tom Doshit, të dhënat dëshmojnë për rol aktiv të tij në protestë.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, mësohet se, se në intervalin kohor 13.30 - 17.00, të datës 21 janar 2011, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para godinës së Kryeministrisë është zhvilluar një demonstratë proteste, e njoftuar nga subjekti politik Partia Socialiste e Shqipërisë. Deputeti Tom Doshi, vijon kërkesa, ka organizuar pjesëmarrjen e personave nga komunat Bushat, Dajç, Velipojë, Gur i Zi, Oblik etj., në tubimin e datës 21 janar 2011.
Nga pamjet filmike të administruara në funksion të këtij procedimi penal evidentohet se, shumë protestues të ardhur nga Shkodra apo zona të tjera përreth, të cilët janë organizuar nga ana e deputetit Tom Doshi për të marrë pjesë në tubimin e protestës të datës 21 janar 2011, kanë qëlluar me gurë në drejtim të forcave të policisë së Shtetit. Nga të njëjtat pamje filimike, mund të dallohet se shtetasit Lin Ndreu dhe Gjin Ndreu, tashmë të dënuar me vendim të gjykatës, por dhe shtetas të tjerë, pjesëmarrës në këtë protestë, përpara se të konfrontohen me forcat e policisë, kontaktojnë në mënyrë të përsëritur me deputetin e Kuvendit të Shqipërisë Tom Doshi
Ndërsa argumentimi i Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama për Taulant Ballën është se edhe ai shihet në pamje filmike pranë demonstruesve që qëllojnë me gurë dhe sende të tjera në drejtim te Kryeministrisë, por edhe sepse në telefonin e një prej te ndaluarve të 21 janarit, është gjendur një mesazh, që i drejtohej deputetit socialist Balla, teksa pyetet se çfarë duhet të bëjmë dhe pse u tërhoq shumica e protestuesve. Sipas Prokurorisë, ky mesazh le të dyshohet se Taulant Balla ka kryer veprime që mund të kenë shtyrë një numër të caktuar protestuesish në varësi të tij për të ndërmarrë veprime të dhunshme kundër forcave të policisë.
Për deputetin Besnik Baraj kërkesa për heqjen e imunitetit bazohet në faktin se, si përfaqësues i Partisë Socialiste, kryetar për Tiranën, ka njoftuar Policinë e Tiranës për protestën. Besnik Baraj sipas kryeprokurores, nuk i është bindur kërkeses së policisë, që të zbatonte ligjin për tubimet, dhe për t’i vënë në dispozicion forcave të rendit informacionin e orarit të përfundimit të protestës dhe itinerarin e saj.
Në këtë mënyrë argumentohet se Besnik Baraj shpërfilli kërkesat e ligjit, pasi nuk ka përcaktuar se kush do të ishin personat konkretë që do të drejtonin tubimin dhe as ndihmësit e tyre, të cilët do të garantonin mbarëvajtjen, shpërfillje kjo që ndikoi në degradimin e protestës në akte të dhunshme. Për këtë arsye, sipas kryeprokurores, krijohet dyshimi se Besnik Baraj ka konsumuar veprën penale të organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime dhe manifestime të paligjshme. Siç argumenton Prokuroria të gjitha këto parashtrime krijojnë bazën e mjaftueshme ligjore për të nisur procedimin penal ndaj tre deputetëve socialistë dhe për t’i kërkuar Kuvendit autorizim për procedimin ndaj tyre.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›