E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhet lista anti- Holandë

Trajneri Oto Baric ende nuk e ka zyrtarizuar listën e 23 lojtarëve që do të grumbullojë për ndeshjen me Holandën, që do të luhet më 11 tetor, megjithatë gazeta "Panorama Sport" pas një investigimi të hollësishëm mundi të zbardhë listën e këtyre lojtarëve të përzgjedhur. Në fakt, flitej se prej shumë ditësh lista e kombëtares për këtë takim gjendet në zyrat e FSHF-së, pasi është përfolur se Baric e ka ndarë mendjen, mirëpo ajo vazhdon të mos publikohet. Zëdhënësi për shtyp i FSHF-së bëri të ditur dje se emrat e lojtarëve të përzgjedhur do të bëhen publikë vetëm sot. Mirëpo, pas disa kërkimeve jo të vogla gazeta mundi të zbulojë të plotë listën prej 23 lojtarësh që janë thirrur tashmë për këtë ndeshje. Burime të sigurta pranë FSHF-së bënë të ditur për "Panorama Sport" se lista nuk do të kishte surpriza dhe se do të ishte thuajse i njëjti grup lojtarësh që u grumbulluan në takimet ndaj Bjellorusisë dhe Rumanisë. Dhe ashtu ndodhi në të vërtetë. Sic kishte deklaruar disa ditë më parë në një intervistë ekskluzive për "Panorama Sport", Oto Baric ka bërë vetëm disa ndryshime të sforcuara, por duket qartë se ai nuk ka nisur ende rinovimin. Natyrisht koha në dispozicion nuk mund të ishte kurrsesi në anën e tij këtë herë. Janë pothuajse të njëjtët lojtarë, madje edhe ata që janë afruar për të zëvendësuar mungesat si Cana, Beqiri apo Duro, janë lojtarë që kanë qenë vazhdimisht në xhiron e kuqezinjve. Bie në sy fakti se lojtarët e afruar aktivizohen në kampionatin shqiptar, pikërisht aty ku disa javë më parë ndihmësi i Baricit, Sllavko Kovacic kishte bërë një tur në Shqipëri, ku kishte vëzhguar nga afër ecurinë e disa lojtarëve. Pikërisht, pas këtij turi dyshja kroate ka vendosur përfundimisht për lojtarët që do të afrojë. Kështu në portë nuk do të ketë asnjë ndryshim. Janë thirrur Arjan Beqaj, Ilion Lika dhe Isli Hidi, me kosovarin e Anorthosis Famagustas kandidat për t'u nisur si titullarë ndaj "Tulipanëve". Beqaj bëri një paraqitje të mirë ndaj rumunëve në "Qemal Stafa", ndonëse kuqezinjtë u mundën 2-0. Gjithsesi, sipas të njëjtave burime, Beqaj ka marrë bekimin e Baricit për të luajtur si titullar edhe për ndeshjen me Holandën. Në mbrojtje do të jenë si zakonisht tashmë Armend Dallku, Debatik Curri, Adrian Aliaj, ndërkohë që konfirmohen Nevil Dede dhe Erion Xhafa. Në mungesë të Elvin Beqirit të skualifikuar, trajneri Oto Baric ka thirrur mbrojtësin e Tiranës, Arjan Pishën. Elbasanasi ka qenë i grumbulluar edhe në miqësoren me San Marinon dhe ka qenë i grumbulluar edhe herë të tjera me kombëtaren. Në mesfushë, në mungesë të Lorik Canës është afruar mesfushori i Tiranës, Ervin Bulku. Në fakt, afrimi i tij ishte komunikuar në intervistën e fundit të dhënë nga Oto Baric për "Panorama Sport". Përvec tij shënohet edhe rikthimi i Endri Vrapit, pas një mungese të shkurtër. Më tej, janë të zakonshmit Altin Lala, Ervin Skela, Edvin Murati, Altin Haxhi, Devis Mukaj, Besnik Hasi e Blendi Shkëmbi. Në sulm, ai që do të mbetet jashtë të paktën për këtë herë duket se është pikërisht Bekim Kastrati. Kosovari duhet t'i lërë vendin patriotit të tij Besart Berisha, i cili është kërkuar me ngulm nga Barici. Tare, Bogdani, Salihi dhe Kapllani plotësojnë repartin ofensiv.
Fatjon Kodra

Lista e kombëtares

Portierë
1. Arjan Beqaj
2. Isli Hidi
3. Ilion Lika

Mbrojtës
4. Armend Dallku
5. Erion Xhafa
6. Arjan Pisha
7. Adrian Aliaj
8. Nevil Dede
9. Debatik Curri

Mesfushorë
10. Endri Vrapi
11. Ervin Skela
12. Edvin Murati
13. Ervin Bulku
14. Devi Mukaj
15. Altin Lala
16. Altin Haxhi
17. Besnik Hasi
18. Blendi Shkëmbi

Sulmues
19. Erion Bogdani
20. Igli Tare
21. Edmond Kapllani
22. Hamdi Salihi
23. Besart Berisha
Trajneri: Oto Baric

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›