E Shtunë, 31 Tetor 2026

Guximi për të marrë borxh publik

Fatos Çoçoli Dje Guvernatori i Bankës sonë Qendrore, Bankës së Shqipërisë, i tërhoqi sërish vëmendjen Qeverisë për mostejkalimin e borxhit publik, gjatë konferencës për shtyp ku deklaronte se norma e interesit e institucionit tonë qendror monetar do të ngelej 5.25 për qind.  Borxhi publik i vendit ka kapur gjysmën e Prodhimit të Brendshëm Bruto(PBB), pra rreth 5 miliardë euro. është paralajmërimi i dytë i Guvernatorit Fullani për kujdes ndaj borxhit, pas atij të kryer më 23 dhjetor të vitit të kaluar. Një borxh i rritur sjell më shumë presion mbi monedhën vendase dhe mund të rrisë edhe inflacionin, që është objektivi kryesor i Bankës sonë Qendrore, për t’u mbajtur në kufijtë 2-4 për qind. Mirëpo, ndërkohë disa studiues të ekonomisë shprehen se niveli i borxhit publik mund të arrijë edhe 55 ose 60 për qind të PBB-së, kjo nuk prodhon shumë gjëra të këqija. është një situatë normale për vendet e zhvilluara. Në fakt, Qeveria ndodhet përpara një dileme. Kriza solli uljen e të ardhurave buxhetore për gjysmën e dytë të vitit të kaluar. Edhe ky vit ka filluar nën shenjën e pasojave të krizës. Kredia dhe eksportet nuk kanë startuar vrullshëm. Qeveria po mendon të frenojë disi shpenzimet e saj, edhe ato në formën e investimeve për ekonominë (rrugë, infrastrukturë tjetër, etj.). Në të vërtetë, nuk duhet të ndalet në ambicien e saj për një buxhet investues. Edhe nëse detyrohet të dalë për herë të dytë për të kërkuar në tregjet e huaja financiare të emetojë eurobonde të tjera. Ekonomia jonë duhet mbajtur në shtegun e rritjes. Nëse frenohet edhe Qeveria, pas saj do të frenohen dhe do të hyjnë në krizë bizneset e ndërtimit. Që tani një pjesë e tyre janë të mbytur në borxhe dhe presin një dritë shpëtimi nga kontratat me shtetin. Nëse hyn në krizë ndërtimi shqiptar, të jemi të sigurt se hymë në krizë të gjithë. I gjithë sistemi i ndërtimeve tek ne është bazuar në një klering(shkëmbim mall me mall) me bazë paratë nga shteti. Firmat e lëndëve të para japin në natyrë zhavorr dhe çimento në këmbim të apartamenteve, firmat e arredimit pajisjet e tyre e kështu me radhë. Kur shteti, qeveria paguan dhe respekton kontratat, hyn paraja në sistem. Kur shteti e ndal apo ngushton rubinetin e parasë, hyn në krizë i gjithë sistemi. Ngrirja e fondeve për shpenzime qeveritare për një periudhë të pacaktuar(ndoshta deri në fund të qershorit) është një kambanë e fortë alarmi. Kjo shihet me sy të mirë nga Banka jonë Qendrore, pse shkurtohen shpenzimet. Mirëpo të shpenzosh pak sot në botë është baraz me stimulim të krizës. Shpëtimi vjen nga rritja e konsumit. Prandaj edhe shumë specialistë të ekonomisë mendojnë se Qeveria shqiptare nuk duhet të ndalet. Edhe nëse do të kërkojë në tregjet e huaja 300 milionë euro të tjera në prill apo maj të këtij viti. Këto flukse do t’i japin ekonomisë sonë atë oksigjen të domosdoshëm që ajo të ecë përpara, njëlloj si atleti që duhet të mbushë gjoksin me frymë për të vrapuar. Fakti që ishim ndër dy vendet e vetme në Evropë(së bashku me Poloninë) me rritje pozitive ekonomike tregon qartë se mund të guxojmë të shpenzojmë këtë vit, të rrisim deri diku borxhin publik. Treqind milionë euro sjellin praktikisht shtim me 3 për qind. Nuk do të mbytemi, nëse veprojmë kështu. Ndërsa nga ana tjetër, i kemi dhënë frymë sektorëve jetësore të ekonomisë, si ndërtimi, bujqësia e me radhë. Po ashtu, në këtë vit sfidash qeveria nuk duhet ta shtrëngojë dorën ndaj programeve të mbështetjes për biznesin. Në radhë të parë atë prodhues, që prodhon për eksport. Ka dhënë deri tani me pikatore, deri në 50 mijë dollarë grante. Normalisht, që eksporti të ketë një bum të mirëfilltë, duhen grante me të paktën 300-400 mijë euro për rinovimin e teknologjisë së firmave tona më të suksesshme në eksport. Qeveria duhet t’i gjejë këto 3-4 milionë euro për të paktën dhjetë grante të tilla. Shtysa në eksport do të kompensonte dukshëm humbjet nga rëniet e dërgesave të emigrantëve dhe nga ulja e ritmit të ekonomisë kriminale(trafiqeve që sillnin para të pisët në vend). Pastaj liberalizimi i vizave në korrik dhe shtimi i etjes për konsum në vende, si Itali e Greqi, që do e kenë marrë gradualisht veten, do të bëjë që ekonomia jonë ta përfundojë këtë vit, përse jo edhe me një rritje 5 për qind. Por guximi për të marrë 300 milionë më tepër euro borxh, duhet të vijë tani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›